E Diel, 1 Nëntor 2026

Zyrtarët, pasuri me hua dhe dhurata të paverifikueshme

Inspektorati i Kontrollit të Pasurive nuk mund të verifikojë çdo të ardhur

Verifikimi i huave dhe dhuratave në vlera të konsiderueshme të zyrtarëve mbeten dy nga vështirësitë kryesore të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP). Ky proces ligjor nuk mund të realizohet, për arsye se pasqyrohen si të ardhura në rrugë joformale. Ky fenomen po përhapet gjithmonë e më shumë në deklarimet periodike të subjekteve të ligjit. Gjithashtu, një tjetër shqetësim mbeten edhe deklarimet me kërkesë për të afërmit e zyrtarëve që bëjnë deklarimin e pasurive. Sipas të dhënave zyrtare të ILDKP-së, gjatë vitit 2009 janë aplikuar pesë deklarime me kërkesë.

Huatë dhe dhuratat

Mungesa e sanksioneve në rast të refuzimit për deklarim të personave të lidhur me zyrtarin e vështirëson edhe më zbatimin në praktikë të këtij instrumenti të rëndësishëm ligjor. Në praktikën e deritanishme është konstatuar si një fenomen gjithmonë e më i përhapur fakti që, në deklarimet periodike të subjekteve të ligjit, pasqyrohen të ardhura në rrugë joformale, nëpërmjet personave të lidhur si huamarrje dhe huadhënie pa dokumente dhe dhurata në vlera të konsiderueshme. Për të verifikuar vërtetësinë e burimit të krijimit të këtyre të ardhurave del e nevojshme që ILDKP-ja të administrojë edhe deklarimet e personave të lidhur më këtë veprim. Por mungesa në Kodin Penal e masës shtrënguese dhe sanksionit në rast mosplotësimi të detyrimit për deklarim nga ana e personave të lidhur, u krijon kushte vetë subjekteve për t’i përdorur ata si burim, si dhe vetë këtyre të fundit mundësinë për mosplotësim të detyrimit, gjë që pengon vazhdimin e mëtejshëm të hetimeve nga ana e ILDKP-së. Dispozita 257/a e Kodit Penal, “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publike”, nuk i jep zgjidhje rastit kur ndodhemi para një refuzimi nga ana e personit të lidhur me subjektin deklarues, sepse subjekt i figurës së veprës penale të “Refuzimit për deklarim, mosdeklarimi...” është subjekt i posaçëm. Për këtë arsye, ILDKP ka propozuar amendimin e nenit 257/a të Kodit Penal, duke shtuar si subjekte të veprës penale të “Refuzimit për deklarim, mosdeklarimi...” edhe personat e lidhur me zyrtarin deklarues. Sanksionimi në nenin përkatës (257/a) të masave ndëshkuese edhe për personat e lidhur me zyrtarin, që mbartin detyrimin për deklarim sipas ligjit, mendohet se do të ndikojë dukshëm në rritjen e efektivitetit të punës së Inspektoratit të Lartë; në verifikimin dhe hetimin administrativ të deklarimeve periodike të zyrtarëve, për të eliminuar mundësitë e shmangies së pasqyrimit joreal të interesave private pasurore dhe burimeve të krijimit të tyre. Propozimi me objekt amendimin e dispozitës 257/a të Kodit Penal është ende në proces.

Deklarimi me kërkesë

Inspektorati i Lartë, me qëllim minimizimin e rasteve të mundshme të transferimit të interesave private të zyrtarëve, të krijuara në mënyrë abuzive, në emër të personave të tretë apo të justifikimit të pasurive me vlera të mëdha me “dhurata”, “huadhënie afatgjate pa interes”, për disa raste të dyshuara, ka nisur aplikimin e “deklarimit me kërkesë”. Ky detyrim ligjor, i parashikuar në nenin 7 të ligjit nr. 9049, datë 10.04.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive...” konsiston në detyrimin për deklarim të pasurisë dhe burimet e krijimit të kësaj pasurie, të personave jo subjekte të ligjit, por që kanë lidhje interesi privat me zyrtarët. Duke hetuar mbi burimin e të ardhurave të personave jozyrtarë që kanë interesa të përbashkëta me subjektin, ILDKP deklaron se është në gjendje që të krijojë një situatë më të qartë mbi burimin e pasurive të vetë zyrtarëve dhe zbulimin me efektivitet të rasteve të fshehjes apo deklarimit të rremë. Në hetimet administrative të kryera gjatë vitit 2009 për rastet e fshehjes së pasurisë apo deklarimit të rremë, thirrja e ekspertëve vlerësues të pasurive të paluajtshme të subjekteve të kontrolluar, ka ndihmuar në mbledhjen e provave bindëse në funksion të rezultateve të arritura nga ILDKP, duke përmirësuar cilësinë e kontrollit, si dhe duke kryer një kontroll të plotë e të gjithanshëm. Duke parë që aplikimi i “Thirrjes së ekspertit” solli rezultate pozitive, gjetje konkrete, edhe për vitin 2010, do të intensifikohet aplikimi i këtij instrumenti ligjor.

Pasuritë e paregjistruara

Gjatë kontrolleve të ushtruara për verifikimin e të dhënave të deklaratave të interesave private të subjekteve deklarues, ILDKP ka konstatuar se problemet me informalitetin në regjistrimin e pasurive, sidomos të atyre të paluajtshme, krijojnë pengesë në efikasitetin e hetimeve të ndërmarra. Për këtë arsye, në funksion të hetimit administrativ që ndërmerr mbi saktësinë dhe vërtetësinë e të dhënave të deklaratave të interesave private të zyrtarëve, në jo pak raste ILDKP ka vijuar me aplikimin e mekanizmave alternativë. Në këtë kuadër, vlejnë për t’u përmendur rezultatet e arritura nga bashkëpunimi i krijuar me ALUIZNI-n, ku vetëdeklarohen për legalizim ndërtimet informale, nga ku ILDKP ka siguruar të dhëna për pasuritë e padeklaruara të disa zyrtarëve të lartë. Ligji detyron subjektet deklarues që të deklarojnë pasuritë e tyre të paluajtshme dhe të drejtat reale mbi to, pavarësisht nga fakti nëse janë të regjistruara në regjistrat publikë ose jo. Nga kontrollet dhe verifikimet e fundit të kryera mbi bazën e të dhënave të siguruara nga ALUIZNI, konstatohet se në disa raste pasuritë e vetëdeklaruara për legalizim në këtë agjenci nga subjektet e kontrolluara nuk mbulohen dhe as justifikohen me të ardhurat e deklaruara prej tyre. Edhe për vitin në vazhdim, do të vijojë bashkëpunimi me ALUIZNI-n për verifikimin e objekteve në proces legalizimi.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›