Gjykatat duhet të aplikojnë dënime alternative për të miturit
Tiranë - Dënim alternativ për të miturit me qëllim integrimin e tyre sa më të shpejtë në botën reale, dhe jo në atë të krimit. Kjo ka qenë tema e takimit të Zyrës për Mbrojtjen e Qytetarëve, përfaqësues të Transparency International dhe UNICEF-it. Në përfundim të projektit për gjetjen e masave alternative, Endrit Shabani, përfaqësuesi i ZMQ-së, tha se ka pasur hapa pozitivë drejt këtij lloj dënimi, edhe pse Drejtësia shqiptare mbetet ende larg standardeve. “Bëmë një diskutim me personat që kanë ndikim në reformat në Drejtësi që për të miturit të jepen dënime alternative. Dënime të cilat u japin mundësi të miturve të riintegrohen në shoqëri, sepse nëse ata do të vuanin dënim me burg, atëherë ata do të integroheshin më tepër në botën e krimit. Tre vjet më parë dënimet për të miturit ishin me arrest me burg, tashmë 44 për qind e vendimeve nga gjykata për të miturit janë dënime alternative. Është akoma e nevojshme që gjyqtarë dhe prokurorë të ndryshojnë pjesë nga sjellja e tyre, por dhe sjellja e policëve, të cilët janë të parët që ndeshen me të miturit. Ka shumë gjëra që duhen ndryshuar në sjelljen e tyre”, - u shpreh drejtori i programit, Endrit Shabani. Sipas këtij të fundit, ky program synon të krijojë një reformë në sistemin e Drejtësisë për të miturit që dënohen njësoj si të rriturit dhe vuajnë dënimin përkrah tyre duke u lënë këtyre të fundit të vetmen mundësi, atë të integrimit në botën e krimit. Në Kodin Penal bashkëpunimi në një krim me të rriturit, por edhe për të miturit, është ende një rrethanë që e dënon atë. Ndërkohë që për kategorinë e të miturve duhet të jetë një rrethanë lehtësuese. Edhe institucioni i Shërbimit të Provës, i krijuar së fundi në funksion të dënimeve alternative, mbetet ende larg realizimit të qëllimit për të cilin u ngrit edhe për shkak të trajnimit të punonjësve, të cilët ende nuk dinë si të sillen me të miturit.
Gjykata e Krimeve të Rënda përcakton kolegjin për dosjen e Lazaratit
Tiranë - Gjykata e Krimeve të Rënda përcaktoi dje me short kolegjin penal që do të procedojë dy personat e arrestuar në fshatin Lazarat në Gjirokastër, me një sasi prej 500 kilogramësh bimë narkotike të llojit marijuanë. Beqir Avduli, 44 vjeç dhe Hasan Avduli, 27 vjeç, lindur e banues në Lazarat (xhaxha dhe nip), të akuzuar për “trafik narkotikesh, të mbetur në tentativë”, do të gjykohen nga kolegji që drejtohet nga gjyqtarja Nertina Kosova. Sipas burimeve brenda kësaj gjykate, procesi ndaj këtyre dy të pandehurve pritet të nisë këto ditë. Dy kushërinjtë Avduli janë arrestuar në kushtet e flagrancës me rreth 500 kilogramë marijuanë, në një operacion të Policisë së Shtetit, organizuar më 8 mars 2009 në fshatin e Lazaratit, Gjirokastër. Sasia më e madhe e drogës është zbuluar dhe sekuestruar në magazinën e shtetasit Beqir Avduli, ndërsa një pjesë tjetër e saj në një furgon. Bima narkotike e sekuestruar mendohet se ka qenë e destinuar për t'u trafikuar jashtë territorit shqiptar, në Greqi.
Paraqitën dokumente false për të marrë pension, në hetim shtatë persona
Tiranë – Puna në minierë duket se është shfrytëzuar nga shumë persona për të përfituar pension duke vënë në dispozicion dokumente false. Ata kanë deklaruar se kanë punuar në minierë dhe deri tani kanë marrë pension të pamerituar. Tani iu duhet të zgjidhin “lëmshin” e krijuar me Drejtësinë sepse çështja e tyre është dërguar për ndjekje penale. Dy ditë më parë, Seksioni Kundër Krimit Ekonomik Financiar ka çuar për ndjekje penale në gjendje të lirë shtatë persona pasi janë denoncuar nga Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore. Burime nga policia thanë se nga denoncimet e kryera dyshohet se tetë personat kanë konsumuar veprat penale të “mashtrimit” dhe “falsifikimit të dokumenteve”. Policia bëri të ditur se po procedohen penalisht ne gjendje të lirë shtetasit: V. M., 59 vjeç, V. R., 54 vjeç, Z. K., 64 vjeç, M. B., 54 vjeç, Q. H., 62 vjeç, M. H., 51 vjeç dhe N. L., 62 vjeç, pasi ndaj tyre është deponuar kallëzim nga Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore, pasi dyshohet se kanë përfituar pension pleqërie në minierë duke vendosur në përdorim dokumente të falsifikuara. Ndërkohë që Antikrimi Ekonomik Financiar ka çuar për ndjekje penale në gjendje të lirë edhe 37-vjeçarin P. B., pasi ndaj tij ka bërë kallëzim një shtetas, i cili ka deklaruar se ai e ka mashtruar një vit më parë, duke i marrë një shumë prej 8 mijë eurosh dhe nuk ia ka kthyer.
25 Qershor 2009