E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komentki/Alternativa e Edi Ramës: Emigrantëve u dua votën, por nuk i dua deputetë

“Politika e re” e Kryetarit ende në detyrë të Partisë Socialiste, Edi Rama, që nuk u premton dot emigrantëve që t’i fusë edhe në Parlament, është mjaft e vështirë për t’u kuptuar nga ata. Në debatin e para dy ditëve të Damian Gjiknurit dhe Rudina Seserit - ku emigrantët shqiptarë nga Athina i pyetën pretendentët e qeverisë së re se çfarë zgjidhjeje kishin ata lidhur me kërkesën që edhe ata të kenë përfaqësues në Parlamentin shqiptar si pjesë e rëndësishme e kontribuesve në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të vendit - një sms e mbërritur me shpejtësi në celularin e njerëzve pa asnjë rekord publik e që përfaqësojnë ndryshimin e Ramës, shkruante: “Nuk dua emigrantë në Parlament. Thuaju se nuk ua lejon Kushtetuta që të bëhen deputetë”. 

Dhe përgjigjia që dha Gjiknuri ishte pikërisht ajo e diktuar nga mesazhi i njeriut që kontrollon plotësisht mediat dhe përfaqësuesit e të ashtuquajturës Politikë e Re. Ekzaktësisht ai sqaroi se emigrantët duhet të kthehen e të votojnë Partinë Socialiste edhe pse ka një problem kushtetues që nuk ua lejon atyre të jenë të zgjedhur në legjislativin shqiptar. As edhe një sekondë reflektimi, as edhe një sekondë mendimi e hezitimi për të zbatuar atë çfarë shkruhej në mesazhin e Edi Ramës. Të paktën, meqenëse është pjesa që pretendon të jetë në qeveri nesër dhe që mbron interesat e emigrantëve e shqiptarëve kudo që janë, të kishte thënë diçka tjetër, si për shembull, do të shohim, do të konsultohemi edhe me forcat e tjera, do të kërkojmë konsensus që të arrihet një marrëveshje që do të kënaqte edhe interesat e emigrantëve, ashtu siç u arrit pëlqimi për kënaqjen e interesave elektorale të PS me ndryshimin e Kodit Zgjedhor. 

Mirëpo asgjë e tillë nuk ndodhi dhe emigrantët e shkretë që prisnin mbi 3 orë për të bërë një pyetje tek emisioni “Shqip” e për t’u lidhur direkt me përfaqësuesit e politikës së re, iu komentua një përgjigje arrogante, se duhet të votojnë për PS-në madje edhe masivisht, por deputetë nuk bëhen dot. 

Kjo ishte ajo çfarë u ofroi Partia Socialiste dhe Edi Rama emigrantëve shqiptarë në Greqi e kudo gjetkë. Asnjë zgjidhje, asnjë alternativë, asnjë strategji, asnjë respekt dhe mbi të gjitha asnjë gjë të re. “Politika e Re” bëhet me metoda të vjetra dhe njerëzit që kandidojnë për Partinë Socialiste nuk kanë asnjë ide të tyren dhe asnjë ide të nivelit që pretendojnë se do sjellin në Shqipëri.

Përkundrazi, ideja e përfaqësimit të emigrantëve në Parlamentin shqiptar do të shihet me kujdes dhe me pozitivizëm nga Partia Demokratike, e cila para pak kohësh u hapi dyert e pushtetit (Ministrisë së Jashtme dhe Kryeministrisë) dhe legjislativit (nëpërmjet përfaqësuesve të saj tek Komisioni i Politikës së Jashtme) përfaqësisë së Unionit të emigrantëve në Greqi duke u konsultuar me ta dhe duke konsideruar kërkesat e tyre. Konsensusi dhe arritja e një zgjidhjeje qoftë edhe nëpërmjet amendimeve kushtetuese për përfaqësimin e emigrantëve tanë në Parlament është një fillesë që do të vlerësohet vetëm nga Partia Demokratike, ashtu siç është edhe ndërhyrja energjike pranë qeverisë së djathtë të Greqisë për të legalizuar edhe atë pjesë të emigrantëve shqiptarë që mbetet e pa legalizuar atje. 

Çdo premtim tjetër dhe çdo përgjigje si ajo që njerëzit e Edi Ramës kanë dhënë për emigrantët shqiptarë është strategji e mashtrimit dhe gënjeshtrës. Të tilla përgjigje japin vizionin e munguar të së majtës shqiptare.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›