E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabiten paratë në dhomat e hotelit të miseve në Golem

 

TIRANE - Një 14-vjeçar ka përfunduar në prangat e policisë së Kavajës, pasi ka vjedhur paratë e tri konkurrenteve për çmimin "Miss Shqipëria 2009". Adoleshenti ka shfrytëzuar rastin kur konkurrentet për miss po hanin darkë në një nga restorantet e kompleksit "Xixa" në Golem të Kavajës dhe është futur në dhomat e tri prej tyre, duke iu marrë të gjitha paratë që ato kishin lënë në çanta. Sipas burimeve zyrtare të policisë, ngjarja ka ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së mërkurë, ndërsa "viktima" të 14-vjeçarit kanë qenë miset Xhulia Bejo, Jehona Krasniqi dhe Kamela Terolli. Sapo kanë përfunduar darkën dhe janë kthyer në dhomat e tyre, vajzat kanë konstatuar se u mungonin përkatësisht në total rreth 120 mijë lekë të vjetra. Autori i ngjarjes kishte arritur t'u merrte vajzave përkatësisht 62 mijë lekë të vjetra, 40 mijë lekë të vjetra dhe 15 euro. Menjëherë është lajmëruar policia e Kavajës ndërsa oficerët kanë rënë në gjurmët e hajdutit që kishte plaçkitur miset. Autori i ngjarjes është adoleshenti Ardit Merhori, të cilit në momentin e arrestimit i janë sekuestruar edhe paratë e vjedhura në hotel. Ai është kapur nga oficerët e policisë ende pa dalë nga kompleksi, në një tjetër dhomë, ku po kontrollonte çantat e vajzave të tjera, për të vjedhur sërisht. Falë njoftimit të kohë të policisë, nga organizatorët e konkursit të bukurisë, 14-vjeçari Merhori nuk ka mundur të vjedhë më shumë para, edhe pse "misioni" i tij siç duket ka qenë që të futet në të gjitha dhomat ku ishin akomoduar konkurrentet për mis. Burime nga policia thanë se adoleshenti nuk ka precedentë të mëparshëm penale dhe dyshohet se mund të ketë ndonjë bashkëpunëtor më të rritur, që kishte studiuar veprimtarinë e vajzave, të cilat dy ditë më parë kishin qëndruar në Golem. Ardit Merhori është dërguar në Drejtorinë e Policisë së Durrësit dhe tashmë do të hetohet nga Seksioni i të Miturve për veprën penale të vjedhjes. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›