E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykatat ne veri te Kosoves, serbet kunder vulave zyrtare kosovare

Mitrovicë, 28 shkurt, 08:25, NOA - EULEX-i po shqyrton të gjejë një zgjidhje pragmatike lidhur me përdorimin e vulave të Republikës së Kosovës në gjykatat në veri, meqë ato po kundërshtohen nga serbët lokalë. Qeveria e Kosovës hedh poshtë një mundësi të tillë.

Kundërshtimi i ligjeve të Republikës së Kosovës nga serbët në veriun e Kosovës, ka bërë që EULEX-i të shqyrtojë përdorimin e vulave të shtetit kosovar nga gjykatësit e EULEX-it.

Serbët kanë protestuar edhe dje para objektit të Gjykatës Komunale dhe asaj të Qarkut në pjesën veriore të Mitrovicës, duke kërkuar mosaplikimin e ligjeve dhe vulave të Republikës së Kosovës në organet e drejtësisë të vendosura në këtë pjesë.

Vetë zëdhënësi i misionit evropian për sundimin e ligjit (EULEX), Christophe Lamfalussy, ka bërë të ditur se çështja e përdorimit të vulave paraqet një problem dhe se do të merren parasysh shqetësimet e serbëve lokalë.

“Është problem për ne, sepse, siç e dini, në pjesën serbe të Mitrovicës zyrtarët nuk janë të kënaqur me këtë. Kështu që ne po mundohemi të gjejmë zgjidhje për çështjen e vulave dhe shpresojmë që të ketë zgjidhje”, ka thënë Christophe Lamfalussy.

Por i menjëhershëm është reagimi nga Ministria e Drejtësisë. Ministrja Nekibe Kelmendi paralajmëron se nëse hiqet dorë nga vulat e Republikës së Kosovës, ato gjykata do të konsiderohen paralele.

“Gjykatat e Kosovës janë gjykata unike, sistemi i drejtësisë, sistemi gjyqësor është unik. Kosova është republikë, shtet i pavarur dhe duhet të përdoren vetëm e vetëm vulat e Republikës së Kosovës. EULEX-i është monitorues, është këshillues, është vëzhgues, mirëpo nuk i ka vulat e veta. Ndoshta i ka në ndonjë logo të veten, apo të BE-së. Mirëpo, vendimet vetë EULEX-i i merr në emër të Republikës së Kosovës, në emër të popullit, me vula të Republikës së Kosovës. E tash, nëse kjo nuk lejohet, që vendimet e tyre të vulosen me vulat e Republikës së Kosovës, atëherë cila është arsyeja për të konsideruar se nuk qenka gjykatë paralele?”, u shpreh Kelmendi, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë.

Punonjësit serbë të drejtësisë, të cilët përmes protestave po kundërshtojnë aplikimin e ligjeve kosovare, e kanë cilësuar sot EULEX-in si dorë të zgjatur të institucioneve të Kosovës.

Në gjykatat në veri të Kosovës aktualisht punojnë vetëm gjykatësit dhe prokurorët e EULEX-it. Serbët patën bojkotuar punën në këto gjykata në veri një vit më parë, në kundërshtim të shpalljes së pavarësisë, përderisa shqiptarët nuk u patën lejuar që të ushtronin veprimtarinë në objektet në veri për të evituar incidentet e mundshme.

Një pjesë e stafit shqiptar të Gjykatës së Qarkut ende punon me kapacitet jo të plotë në Vushtrri.

NOA-INA

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›