E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykatat s’e liruan, vdes në burgun italian shqiptari

Ditët e fundit të jetës së tij, emigranti shqiptar G.Dule, i burgosur në Itali, i ka kaluar në pritje të miratimit për kërkesën e qartë që kishte bërë: të kalonte muajt e fundit të jetës në arrest shtëpie. 

 Kjo kërkesë nuk u miratua ndërsa 41-vjeçari nga Vlora, që prej kohësh ndodhej në agoninë e një sëmundje të rëndë, gjeti vdekjen dje në qendrën klinike të burgut "Rexhina Çeli" në Romë. Në fakt vdekja e shqiptarit të burgosur për trafik droge në Itali ka ndodhur më 8 gusht 2008, por ngjarja është bërë publike së fundi ndërsa aktivistët dhe organizatat e të drejtave të njeriut e cilësojnë këtë rast të pabesueshëm. Emigranti që kishte më pak se një vit për të përfunduar shlyerjen e dënimit të dhënë ndaj tij, vuante nga një sëmundje e pashërueshme dhe vdekjeprurëse, e megjithatë nuk është lejuar që ditët e fundit të jetës t'i kalonte pranë familjes së tij ashtu siç kishte kërkuar. Gjendja shëndetësore e 41-vjeçarit nga Vlora ishte përkeqësuar prej kohësh ndërsa ai kishte bërë dy herë kërkesa ndaj autoriteteve që të mbahej në arrest shtëpie me dëshirën që ditët e fundit të jetës t'i kalonte pranë të afërmve të tij. Sipas të dhënave zyrtare, mësohet se emigranti shqiptar i dënuar me pesë vite burg për akuzën e trafikut të drogës, ka lënë jetime një vajzë vetëm 6 vjeçe. Ai i ishte nënshtruar katër vizitave të specializuara në qendrat mjekësore të burgjeve italiane, ku ishte konfirmuar sëmundja e tij vdekjeprurëse. Të gjithë e dinin se ai i kishte ditët të numëruara, koha e dënimit, më pak se një vit, ishte gjithashtu e njohur për të gjithë, e megjithatë deri në momentin që lëshoi frymën e fundit, 41-vjeçari shqiptar nga Vlora, nuk mori asnjë përgjigje për kërkesën e shumëpritur që kishte bërë që pjesën e mbetur të dënimit ta vazhdonte në arrest shtëpie. Mediat italiane shkruanin dje se deri në momentin kur vdiq, gjykatat italiane nuk kishin fiksuar asnjë seancë gjyqësore ku mund të shqyrtoheshin kërkesat që emigranti kishte bërë për kalimin në gjendjen e "arrestit të shtëpisë". I burgosuri shqiptar nga Vlora jetonte në Itali që prej vitit 1991, ku ishte arrestuar për trafik droge dhe ishte i dënuar me 5 vjet e gjysmë burg, dënim i cili duhej të mbaronte në mars 2009. Vdekja e tij ka hapur debate në Itali. Kujdestari rajonal për të drejtat e të burgosurve, Anxhelo Marrone, është shprehur se është e pabesueshme që i burgosuri i sëmurë me kancer nuk ka marrë përgjigje për kërkesat e tij, për të kaluar në shtëpi muajt e fundit të jetës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›