E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronat, zbardhen vjedhjet në 3 komuna

Denoncimeve të bëra në Prokurori për vjedhjen e tokave në periferi të Tiranës, u bashkëngjitet edhe një raport kritik i Kontrollit të Lartë të Shtetit, që hedh dritë mbi abuzimet në komunat e Farkës, Dajtit dhe Petrelës. 

Trazhgim Sokolaj

Dosja e KLSH-së është dërguar në Prokurori disa muaj më parë ndërsa tani ndodhet në Zyrat e Njësisë Task-Force Antikorrupsion. Meqenëse sipërfaqet e tokave ku janë gjetur abuzime përputhen trojet që janë denoncuar edhe nga banorët e zonës për mbivendosje, kallëzimi i KLSH-së është bashkëngjitur me 44 denoncime të bëra deri më tani nga qytetarët. Në këtë mënyrë, dosjes në të cilën deri më tani po hetohen 11 persona, zyrtarë dhe ish-zyrtarë komunash, juristë, përmbarues, topografë dhe punonjës të Hipotekës, i është shtuar edhe një tjetër provë që dokumenton abuzimet disavjeçare me tokat në komunat periferike të Tiranës. Në komunën e Farkës janë evidentuar shkelje, mbivendosje dhe falsifikime në 97 pasuri të ndryshme, të cilat në total arrijnë sipërfaqen 416.140 m2. Për këto prona, edhe pse në Hipotekë kanë munguar aktet e marrjes së tokës në pronësi, regjistruesit kanë ligjëruar pronësinë e dyshimtë dhe kanë bërë regjistrimin e këtyre sipërfaqeve në emër të personave që në mënyrë të dyshimtë kanë marrë certifikata pronësie nga viti 1998 e në vazhdim. Sipas të dhënave zyrtare, po në Farkë në 86 prona, me sipërfaqe 920.846 m2, aktet e marrjes në pronësi të tokave janë të pakonfirmuara nga Këshilli i Qarkut Tiranë, si rrjedhim ato dyshohet se janë false dhe të pasakta. Në 34 raste të tjera pronash me sipërfaqe 429.457 m2 aktet e marrjes në pronësi janë dublikatë, fotokopje ose dokumente jo origjinale, të gjitha të pakonfirmuara nga Këshilli i Qarkut.
Komunat e tjera
Nga të dhënat zyrtare rezulton se veç komunës së Farkës, abuzime me tokat ka pasur edhe në Komunat e Petrelës dhe Dajtit, ku janë kryer mbivendosje, falsifikime dhe veprime të tjera të kundraligjshme. Prokuroria po heton për 323 490 m2 tokë “pyll” në Linzë, Lanabregas, Priskë e Madhe dhe Babrru, të kthyera në pronësi me vërtetime të falsifikuara, nga ish-Komisioni i Kthimit të Pronave. Në të njëjtën mënyrë është abuzuar edhe me 672 240 m2 “pyll” në komunën Dajt, ndërsa në Lanabregas dyshohet një sipërfaqe rreth 45 mijë m2 “pyll”, në fshatin Linzë 9 100 m2 tokë “truall” brenda territorit ushtarak, si dhe 7 680 m2 “arë”, në fshatin Lanabregas. Shkelje të tjera janë gjetur edhe në komunën Kashar, njësi vendore mjaft i përfolur për abuzime me pronat, si dhe në fshatin Mëzes. Të akuzuarit në Prokurori nga Kontrolli i Lartë i Shtetit janë disa punonjës dhe specialistë hipotekash, që në bashkëpunim me krerët dhe ish-krerët e komunave për interesa përfitimesh korruptive, besohet se kanë abuzuar duke kryer falsifikime dhe mbivendosje të pronave në komunat periferike të Tiranës. Hetimi ka zbuluar me dhjetëra raste kur pronat janë dhënë në kundërshtim me ligjin për personat që kanë ofruar ryshfet. Personat përfitues të pronave, kanë paraqitur dokumente që nuk përputhen me dokumentin kadastral ku të vërtetojë pronësinë mbi tokën para reformës agrare të vitit 1946. Dy zyrtarë të komunës së Dajtit janë në hetim për abuzime me mbivendosjen e tokave dhe falsifikimin e praktikave të pronësisë, ndërsa për të njëjtat abuzime po hetohen edhe drejtuesit dhe ish-drejtuesit e komunave Farkë dhe Petrelë.   
 

Pronat e abuzuara

Në komunën e Farkës
97 troje me mbivendosje e falsifikime
416.140 m2 sipërfaqja e pronave të abuzuara
34 troje të marra në pronësi me dokumente false
429.457 m2 tokë të pronësuara me falsifikime

Komuna e Dajtit
323 490 m2 tokë “pyll” në
Linzë, Lanabregas, Priskë e Madhe e Babrru
672 240 m2 “pyll” në komunën Dajt
45 mijë m2 pyll në Lanabregas
9 100 m2 tokë “truall” në Linzë
7 680 m2 “arë”, në fshatin Lanabregas

Dosja “Kashari II”, hetim për dhjetëra prona
TIRANE – Një dosje e dytë për abuzimet me pronat në komunën e Kasharit po hetohet nga Prokuroria e Tiranës. Ky procedim penal ka lidhje me dosjen e parë që shkaktoi arrestimin e tre ish-krerëve të kësaj komune me akuza për korrupsion, vjedhje, falsifikime dhe shpërdorim detyre, madje deri edhe për pastrim të parave që kishin përfituar në formë ryshfeti gjatë veprimeve të paligjshme. Sipas hetimeve, po verifikohet një rast në fshatin Mëzez, ku është regjistruar në Hipotekë një sipërfaqe 1050 m2 “truall” pa pasur asnjë dokument ligjor, por duke u bazuar vetëm në një vërtetim të faktit juridik mbi një ndërtesë 2-katëshe që është ngritur aty. Në Mëzez është regjistruar në Hipotekë edhe një pikë karburanti pa leje ndërtimi dhe jashtë sipërfaqes së sheshit të ndërtimit, duke krijuar jo vetëm mbivendosje pronash dhe dëm në buxhetin e shtetit në vlerën 19.8 milionë lekë. Në fshatin Yzberisht janë zbuluar 31 raste me sipërfaqe prej 159.540 m2 tokë bujqësore, e cila është kaluar nga pronë shtetërore në pronë private me dokumentacion e komunës Kashar pa konfirmim nga Këshilli i Qarkut Tiranë. Disa nga këto episode fajësojnë edhe ish-krerët e arrestuar të komunës. 

Ekspertizë dokumenteve, mbi 60 dëshmitarë
Dosja e skandalit me pronat dhe trojet e tokave në komunat Farkë, Dajt dhe Petrelë, ka deri më tani 60 dëshmitarë, persona që janë paraqitur për të bërë kallëzime në Njësinë Task-Force, si dhe të tjerë që kanë dijeni për rrethanat e falsifikimeve dhe mbivendosjeve të trojeve. Për të gjitha episodet e abuzimeve Prokuroria po kryen ekspertizën shkencore të dokumenteve me qëllim dokumentimin e falsifikimeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›