E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banorët rikthehen në Zharrëz: Dëmshpërblim e largoni puset

Rikthehen gjatë mesnatës së të premtes banorët e evakuuar nga Zharrëza pas shpërthimit të pusit me gaz. 

FIER/ MAJLINDA RAMA

Forca të policisë kanë mundësuar kthimin në shtëpi, vetëm pasi specialistët e mjedisit bënë matjen e ndotjes dhe konkluduan se nuk paraqitej situatë e rrezikshme për shëndetin e tyre.
Të qetësuar disi pasi rrjedhja e gazit është ndalur, shenjat nëpër fshat u rikthejnë panikun e përjetuar gjatë të premtes. Ditën e djeshme, në gatishmëri forca të shumta të policisë së Fierit, një ambulancë e spitalit, si dhe përfaqësues nga kompania “Albpetrol” e pushtetarë ndodheshin në zonën problematike. Shpërthimi i gazit ndodhi pas 5 ditësh nga puna e kryer për rivënien e pusit në funksion. Specialistët thonë se për të siguruar presionin e naftës janë vendosur tuba me rubinete që jepnin më tepër siguri, por dhe kjo masë nuk ka dhënë garanci. Dje, në vend është dërguar argjil, me qëllim bllokimin e rrezes së veprimit të gazit për shpërthim. Të sapokthyer në banesa, banorët kanë kërkuar menjëherë me nota revoltuese dëmshpërblim për pasojat që la gazi dhe solari i shpërndarë nëpër banesa e toka. Por, jo vetëm kaq. Për banorët e Zharrëzës duhet të shpërngulen nga zona pranë shtëpive të gjithë puset e naftës. Reagimit të banorëve i është përgjigjur dje Vilson Naçi, përfaqësues i kompanisë “Albpetrol”. Ai ka premtuar se “Albpetrol” është i gatshëm të dëmshpërblejë çdo pasojë të shkaktuar nga shpërthimi i pusit, siç ka bërë në raste të ngjashme. I ndodhur në vendngjarje ai thotë se, situata të tilla mund të ndodhin, por më e rëndësishme sipas tij, është normalizimi i situatës brenda një kohe relativisht të shkurtër. “Duhet pasur parasysh që pusi ka qenë nën kontroll gjatë gjithë kohës. Pavarësisht fontanimit për një periudhë prej dy orësh, ne morëm gjithë masat përgatitore për të mbyllur pusin, pasi fontana nuk pritej. Qëllimisht e lamë pusin të hapur për këtë periudhë kohe, pasi po ta mbyllnim mund të ndodhte diçka tjetër, dhe pusi duhej të shfrynte”. Sipas Naçit, duke qenë se nga pusi dilte një sasi e konsiderueshme gazi, mbytja me ujë ka qenë paksa e vështirë. “Kushtet e paraqitura na detyruan që përgjatë gjithë natës të marrim masat duke përgatitur solucionin e argjilës në sasinë e 40 metër kub dhe aktualisht do të bëhet mbytja e pusit me argjilë, duke evituar çdo rrezik tjetër. Pas kësaj që ndodhi do të bëjmë një program të veçantë pune, pasi të diskutojmë mbi puset e tjera të kësaj zone”.
Në fshatin Zharrëz kanë qenë të pranishëm dhjetëra forca policore, puna e të cilëve nisi në mesnatë për të rikthyer në banesa mbi 130 familje të shpërngulura nga rreziku. Drejtori i policisë së qarkut, Arian Bozhaj, deklaroi se situata aktuale është nën kontroll dhe nuk ka vend për panik. Ditën e djeshme vazhdonin të merrnin mjekim në spitalin e Fierit 9 persona, ndërsa një prej tyre, 20-vjeçari, Fatjon Dine u përcoll për në Tiranë pasi ka dhe probleme me astmën, e rënduar pas thithjes së gazit.

“Si mund të evitohej shpërthimi”

Tajar Hajdini, specialist nafte, tashmë në pension tregon me detaje procesin e punës në një pus nafte dhe rrezikun që mund të haset.
Duke qenë se ju jeni specialist në fushën e naftës, mund ta shpjegoni si del nafta nga pusi?
Duhet folur specifikisht për këtë pus. Ai ka qenë në punë që nga viti 1986, ndërkohë që prodhimtaria e tij sa vinte dhe ulej. Kështu, në këtë fazë, për të mos e lënë pusin të thahet bëhet një ripreferim shtrese, që do të thotë rihapje e saj. Në brendësi të pusit ka edhe diçka tjetër, që në gjuhën e naftëtarëve e quajmë kapele gazore. Fatmirësisht kjo kapele nuk plasi gjatë punimit në pus, pasi punëtorët do të ishin vrarë, por gazi u akumulua dhe shpërtheu vetëm disa minuta më vonë.
A mund të ishte evituar ngjarja?
Mund të ishin marrë që në fillim masa. Të viheshin saraçineskat përkatëse, të shikohej që të mos kishte asnjë rrugë hapur që gazi me gjithë forcën e tij të dilte në sipërfaqe. Gjithë guarnicionet në këtë pus janë të gjitha të djegura dhe të amortizuara, kështu që gazi ka gjetur rrugën e lirë për të shpërthyer.
Sa të thellë janë puset e naftës këtu në Zharrëz?
Në këtë zonë puset e naftës mund të jenë nga 1500-1600 metra të thellë, ndërkohë që pompat zhyten 700-800 metër, ku ndodhen edhe shtresat e naftës. Në këtë thellësi edhe gazi është bashkë me naftën, pasi ai e shtyn naftën në sipërfaqe. Mesa duket gazi gjeti rrugët e përshtatshme, pasi është ndihmuar edhe nga solari që shkriu naftën dhe në këtë mënyrë doli me furi në sipërfaqe.
Këtu ka shumë puse të fondit të ndalur. Si vendosen në punë ata?
Kryesisht ata kanë mbetur të tillë pasi edhe po të punohet nuk mund të nxjerrin sasi nafte të mjaftueshme. Në ato puse ku vihet re që debiti është më i madh, punohet duke rihapur shtresat njëra pas tjetrës për të nxjerrë naftë në sipërfaqe. Kjo kontrollohet në bazë të presionit që paraqet nëntoka. Këtu ka edhe pjesë toke të cilat janë çarë pasi presioni i gazit është shumë i madh. Pikërisht në pusin ku ndodhi edhe shpërthimi, disa metra larg tij ka edhe çarje të tokës.

Kryekomunari: Do të vlerësojmë dëmet
Kreu i komunës Zharrëz, Taulant Gremi, mblodhi dje në një takim të jashtëzakonshme të gjithë këshillin e komunës, ku u vendos ngritja e një komisioni për verifikimin e dëmeve të shkaktuara. “Rëndësi ka që gjendja në fshat është më e qetë. Nuk mund të flasim tani për të hequr puset nga ky fshat, pasi ky vendim kërkon kohë dhe urdhër nga instancat më të larta. Por për këtë që unë kam mundësi të veproj, pra për dëmshpërblimin do të mundohem ta bëj në kohë reale”, premtoi Gremi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›