Itali, e mitura shqiptare kapet për shitje droge
ITALI - Një e mitur shqiptare vetëm 15 vjeçe është arrestuar dje nga policia italiane me akuzën e shpërndarjes së lëndëve narkotike. Lajmi është bërë publik prej mediave italiane, të cilat duke iu referuar policisë, konfirmuan arrestimin e 15-vjeçares nga Shqipëria, e cila ndodhej në Itali me dokumente të rregullta qëndrimi. E mitura mësohet se është ndjekur për disa kohë nga policia italiane ndërsa në momentin e arrestimit është kapur me një sasi të vogël droge, të cilën e mbante me vete. Sipas mediave italiane, arrestimi i pazakontë është bërë nga karabinierët në provincën e Foxhas ku hetimi ndaj 15-vjeçares mori fund me arrestimin e saj. Po gjatë ditës së djeshme, mësohet se në qytetin e Ankonës, efektivat e Guardia di Finanza kanë sekuestruar 1.5 kg kokainë dhe kanë arrestuar dy shpërndarës droge, një nga të cilët është shqiptar. Shqiptari dhe gruaja që është me shtetësi italiane, janë ndaluar pas një kontrolli në automjet, kur në bordin e makinës së tyre është gjetur substanca narkotike, e fshehur poshtë sediljes së shoferit. Policia tha se automjeti ku u gjet droga, vinte nga Milano dhe shkonte në Verona. Dy të arrestuarve u është sekuestruar makina dhe dy celularët personalë.