Gjykatat shtyjnë “Gërdecin” për në vjeshtë, procesi në rrezik dështimi
Tirane – Procesi gjyqësor për tragjedinë e Gërdecit dështoi përsëri dje. Gjykata e Faktit në kryeqytet shtyu seancën e radhës për tragjedinë e Gërdecit për shkak të mosparaqitjes së avokatëve dhe të pandehurve. Gjykatësi Ridvan Hado bëri apelin e palëve sipas procedurës së zakonshme, ndërsa për rreth 30 minuta seanca është dashur të mbyllet pa hapur asnjë nga provat që ndodhen në dosjen “Gërdeci”. Gjykata e Tiranës shpalli dje në seancë se procesi shtyhet për në datë 9 shtator 2009, ndërsa e njëjta gjë ka ndodhur me procesin ndaj Fatmir Mediut edhe në Gjykatën e Lartë, e cila ka shtyrë gjyqin për më 14 shtator 2009. Procesi u nda në dy pjesë me një vendim të Gjykatës së Lartë. Pa hapur fare procesin, Gjykata e Lartë vendosi ndarjen e dosjes, duke mbajtur në gjykim vetëm ish-ministrin Fatmir Mediu, ndërsa pjesa e dosjes që bën fjalë për 28 të pandehurit e tjerë u dërgua në Gjykatën e Tiranës. Kjo dosje iu nënshtrua tri herë shortit elektronik pasi disa gjyqtarë patën konflikt interesi dhe disa të tjerë ishin larguar nga detyra. Më në fund pas shortit të tretë u caktua trupi gjykues, i cili ka dështuar dje për herë të tretë të zhvillojë seancën e parë të procesit. Në seancën e djeshme, të pranishëm në sallë ishin vetëm katër nga 28 të pandehurit e tragjedisë. Një pjesë e të akuzuarve përfaqësoheshin me avokatë, ndërsa të tjerët mungonin. Dje në gjyq mungoi ish-drejtori i ndërmarrjes MEICO Ylli Pinari, ish-vartësi i tij Sokol Gjeçi kishte dërguar letër në gjykatë, duke thënë se është i sëmurë në burg. Po kështu, mungonte edhe biznesmeni Mihal Delijorgji, si dhe zyrtarë të tjerë të ushtrisë të akuzuar për ngjarjen e rëndë. Në sallën e mbushur me familjarë të viktimave të tragjedisë si dhe dy ish-ushtarakët e pandehur Hilmi Laçaj dhe Dashnor Çaushi. Numri i madh i personave të akuzuar si dhe i avokatëve duket se ka shkaktuar deri më tani problemet në procesin për tragjedinë ku gjetën vdekjen 26 persona. Megjithatë ajo që ka ndodhur është se Prokuroria e dorëzoi dosjen në gjykatë më 13 mars 2009. Tre muaj pas dorëzimit të dosjes para togave të zeza, asnjë provë e fashikullit nuk është shqyrtuar nga gjykatat. Procesi ka mbetur peng i burokracive procedurale, ndërsa është ndarë në dy pjesë. Prokuroria ka qenë kundër ndarjes duke kërkuar gjykimin e Mediut bashkë me të pandehurit e tjerë në Gjykatën e Lartë, duke qenë se akuzat bënin fjalë për bashkëpunim mes të pandehurve. Pas ndarjes së procesit ajo që parashikohet është një dështim i mundshëm i procesit edhe në shtator për shkak të numrit të madh të së akuzuarve dhe avokatëve. Kjo pasi mungesa e vetëm njërit prej tyre në seancë mund të shkaktojë shtyrjen e procesit edhe në vjeshtë.