E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjyla: “Me Shirokin Brijeg, kualifikimin e mbyllim në Tiranë”



Pas kryerjes së fazës përgatitore në Pogradec gjendja e skuadrës së Partizanit duket më se optimale për të përballuar sfidën e parë ndërkombëtare, pas një mungese njëvjeçare.
“Jemi përgatitur me shumë seriozitet. Nga ana tjetër besoj se dhe kundërshtari ynë është i të njëjtit nivel dhe do ta kalojmë patjetër”, - thotë mesfushori lushnjar Viktor Gjyla, para nisjes drejt Bosnjës, në kuadër të takimit të parë të të turit të parë eliminator të Kupës UEFA kundër Shirokit Brijeg (te enjten, 17 korrik, ora 20:15). Nënkampionia e Bosnjës, ashtu si Partizani në Shqipëri, është një nga skuadrat më të forta të Bosnjës, dhe po të kujtojmë se para dy sezonesh ka eliminuar Teutën, po në Kupën UEFA. “Edhe në letër nuk ka skuadra të lehta, pasi futbolli në të dy vendet është i përafërt. Ne do të bëjmë më të mirën tonë, për të marrë një rezultat pozitiv në takimin e parë, e për t’i mbyllur llogaritë në ndeshjen e kthimit në Tiranë”, - thotë 26-vjeçari, i cili më parë është aktivizuar me Lushnjën e Egnatian e Rrogozhinës. Gjyla, i cili ka debutuar në Kategorinë Superiore, më 28 tetor 2004, është në sezonin e tij të tretë te Partizani, teksa në kampionatin fundit realizoi 3 gola. Partizanit i janë larguar disa lojtarë titullarë në raport me skuadrën që mbylli sezonin e siguroi një vend në Kupën UEFA. “A do të kemi më shumë vështirësi? Kanë ikur katër lojtarë, por kanë ardhur po kaq të tillë, të cilët do të japin më të mirën e tyre”, - përfundon Gjyla, duke iu referuar Ngjelës, Larti, Shametajt e Shalës.
Rrahman Hallaçi është shndërruar në një nga lojtarët titullarë të Partizanit, teksa luan për të kuqtë qysh nga sezoni 2002-2003.
“Kemi pasur largime titullarësh në raport me sezonin e kaluar, por kemi marrë lojtarë të rinj, të cilët besoj se do të bëjnë më të mirën. Kemi futbollistë që do ta përballojnë ndeshjet e turit të parë dhe do të shënojmë qysh në ndeshjen e parë”, - thotë 24-vjeçari Hallaçi, autori i një goli fantastik kundër Besës në kampionatin që sapo përfundoi. Kuksiani pohon se kanë pak njohuri për skuadrën, pasi Shiroki ka luajtur në Shqipëri kundër Teutës. “Është një ekip shumë i fortë, për më tepër që ka bërë edhe përforcime, por dhe ne kemi bërë një minifazë të mirë dhe jemi përgatitur për këtë ndeshje. Skuadra ka optimizëm, pasi boshti i ekipit vazhdon të jetë, pavarësisht mungesave. Me këtë kontingjent që kemi, besoj se do të arrijmë diçka”, - përfundon mbrojtësi Hallaçi. Sulmuesi i ri i Partizanit, Arbër Capo, shpreson se do të ketë disa minutat në këmbët e tij kundër boshnjakëve të Shiroki Brijegut, për të regjistruar kështu edhe ndeshjen e parë të tij ndërkombëtare. “Është një ndeshje shumë e rëndësishme për Partizanin, dhe do të ishte kënaqësi e madhe për mua të luaja të paktën disa minuta. Besoj se mund të krijohet një hapësirë, por ajo që është më e rëndësishmja është rezultati pozitiv”, - thotë gjiganti 20-vjeçar, një prodhim i pastër i Akademisë së Futbollit “Partizani”. Capo dallohet për goditjen e tij, por edhe për veprimet e shpejta në vijën e parë, të cilat i ka dëshmuar me ekipet e të rinjve të Partizanit, por dhe në ato ndeshje kur është aktivizuar me ekipin e parë në Kupën e Shqipërisë dhe në kampionat.

Vllaznia, gati për Koperin

Vllaznia zhvilloi dje seancën e fundit stërvitore, përpara se të niset të mërkurën në drejtim të Sllovenisë, ku do të përballet me Koperin në ndeshjen e parë të turit të parë eliminator të Kupës UEFA, më 17 korrik. Presidenti Fushaj nënshkroi kontratën sulmuesin çek Miklosh, i cili bëhet kështu lojtari i dytë i huaj që ka nënshkruar me Vllazninë, pas kroatit Marko Bashiç, dhe blerja e pestë sezonale për këtë sezon pas Smajlit, Shtubinës e Belishës. Në dyshim e sipër është e ardhmja e sulmuesit brazilian Da Lima, i cili ende nuk e ka kënaqur plotësisht trajnerin Agim Canaj.

16 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›