E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjoka: “As Kadarenë nuk e mbaj me hatër!”



Shkrimtari dhe studiuesi Behar Gjoka së shpejti në treg me librin studimor “Kadare i rilexuar”, një vepër që do të shkaktojë polemika siç ka ndodhur me librin për Trebeshinën, e sidomos me librin “Sistemi Letrar Piramidal”, kushtuar letërsisë bashkëkohore shqipe dhe alternativave që ajo ka sendërtuar. Z.Gjoka në ç’fazë jeni, me shkrimin e studimit tuaj mbi Kadarenë?
Libri duket sikur ka mbaruar, por në aktin përmbyllës vështirësitë shtohen sepse dalin çështje që kërkojnë një përgjigje. Në fakt, në formën e shpërfaqjes dhe të problematikës që shtroj, mëtoj që të jetë një libër i hapur, në kuptimin e debatit për letraren, që e ka zanafillën në vitin 2005, në momentin që kam përfunduar librin për krijimtarinë e Trebeshinës, paralajmëruar pikërisht në ditën e paraqitjes së tij në Panairin e Tiranës, por të nënvizuar edhe në emisionin “Biblioteka” të televizionit “Koha” po atë vit. Pra është një libër në proces, që ka nevojë për latime dhe përpunime të holla, dhe ky akt është edhe më i sikletshmi, por edhe më thelbësori për të realizuar një libër, sidomos të natyrës studimore.

Pse Kadareja i rilexuar?
Ky shkrimtar duke qenë më i njohuri, më i lexuari dhe më i përkthyeri autor i letrave shqipe, në të gjithë historinë e letërsisë shqipe, nuk ka kuptim të flitet ndryshe, vetëm si një përvojë shkrimore që i ka kapërcyer hallkat e leximit si famë, e leximeve të shumta të natyrës sociologjike, historike, biografike, antihistorike, e leximeve rakitike dhe nihiliste, etj. Pra, me Kadarenë, tashmë ka kuptim të flitet për tekstin, veprën dhe praninë e vlerave. Mënyra më e mirë, derisa të shpiket një tjetër, gjithnjë sipas teoritikës letrare është rileximi, si një kthim në letërsi, siç edhe e sugjeron Todorov. Pra, është një përpjekeje për ta kundruar dhe shqyrtuar, si akt dhe proces rileximi, vetëm në substancën e teksteve dhe jo në interpretimet sipërfaqësore, të ndërthurjes së letrares dhe joletrares, çka ka ngjarë me qasjet e deritanishme ndaj krijimtarisë së autorit, mjerisht jo vetëm në studimtarinë e shqipes.

A ka vend për rilexim? (duke pasur parasysh botimet e shumta). Pikërisht ky nivel botimi, brenda dhe jashtë vendit, e bën shkrimtarin e dy kohëve, pra që vijon që të shkruajë me ritme të larta. Duke qenë autor që sprovon dhe eksperimenton ne semantikë e shprehësi, rileximi mundëson edhe qëmtimin e vatrave të pavëna re më parë. Janë botimet e shumta, shoqëruar edhe me një akt përpunimi dhe rishkrimi të një pjese të madhe të teksteve të shkrimtarit që e bën jetik verifikimin e teksteve, verpave si rilexim. Gjithashtu, shkrimi me variante dhe invariante letrare, në veprën e shkrimtarit, është një tipar i pavënë re nga shkenca letrare e shqipes. Variantin letrar në letërsinë shqipe e hasim qysh me Budin dhe Bogdanin, si detyrim nga censura e Propagandës Fide, dhe si parapëlqim vetjak tek De Rada, me përpunimet e shumta që u ka bërë poemave të tij. Po ashtu ngjet edhe me M. Kutelin, sidomos me prozat e tij, ose me jo pak poezi të L. Poradecit. Në letërsinë bashkëkohore rishkrimi i teksteve në formën e variantit letrar haset gjerësisht tek A. Pashku, M. Camaj, B. Musliu etj. Edhe në veprën letrare të Kadaresë, përpunimi me variante letrare, si rishkrim përmbajtësor dhe formësuese, përbën një tipar dhe shenjë që do të kërkonte verifikimin e kësaj tipologjie shkrimi, çka mund të zbulohet, kryesisht përmes një rileximi. Po ashtu, gjithnjë duke respektuar pyetjen, vepra e shkrimtarit, botuar përpara viteve 90’ bart një shenjë ambiguiteti, dysie dhe dyfishimi letrar. Pra, janë tekste letrare, brenda dhe jashtë modelit letrar të socrealizmit, një pjesë e tyre fshehin dhe zbulojnë edhe shërbesën ndaj atij modeli, pa të cilën nuk do të ishin botuar në atë kohë, por si nënshtrat dhe mbivendosje tekstologjike kanë edhe kundërshtinë e padeklaruar ndaj tij. Kjo, në një kuptim, mund të formulohet si loja me artin, për hir të artit, një proces që ka ngjarë edhe me Molierin e klasicizmit, Gëten e “Stuhi dhe vrull”, Pushkinin e romantizmit rus, po ashtu me Borghesin e Markezin e realizmit magjik, etj.

Erotizmi, është e vërtetë që është ana më pak e studiuar?
Është një pyteje interesante, që buron nga vetë prania e kësaj shenje në krijimtarinë e shkrimtarit. Erotizimi në veprën e autorit është studiuar, por mua më duket se deri më tani erotizmi, sipas optikës së verifikimit të studimtarisë së shqipes është vështruar dhe shpalosur si një çështje morali. Pra, erotika është moralizuar, si me thënë ka ndodhur etiketimi i saj, gjithsesi sipas tipologjisë këndshikuese të mjedisit shqiptar, pra si shenjë morali, amorali, pra është vështruar me syze etike, dhe jo si fakt estetik. Erotizmi, në art dhe letërsi, është një sfond frymimi i pandashëm, është një tipar që nëse do t’i mungonte letrares, ajo do të ishte si një pyll i djegur gjer në rrënjë. Ka ardhur koha që edhe ky tipar të shikohet dhe shqyrtohet në prurjen e vetë letrare, në shenjëzimin e qenies si materializimi i artit dhe estetikës që aspiron dhe sendërton shkrimtari.

Kadare shquhet për dykuptimësinë apo edhe më shumë, çdo të thoshim në këtë aspekt?
Arti dhe letërsia shënojnë kuptimet e dyta, pra të figurshme. Kuptimet e figurshme, të emërtuara shpesh si polifoni apo shumëzashmëni, në një letërsi e bëjnë atë letrare dhe veprën e një autori të lexueshme për shumë kohë, me gjasa varësie të semantikës universale për të tentuar amshimin. Një sugjerim me vlerë i B. Kroçes, teksa shprehet për ta kërkuar poezinë aty ku gjendet dhe aty ku fshihet, e zgjeron hapësirën e shqyrtimit të teksteve të autorit, shkruar përmes një dysie letrare, që edhe e zbatonte modelin, por në mënyrë të padeklaruar edhe i kundërqëndronte atij, krijon shkas dhe gjasa për të depërtuar edhe në tekstet e mbështjellura me tisin ideologjik të kohës shkrimore, të cilat të shumica e autorëve të socrealizmit shpalosen në nivelin e parullës dhe pa një grimë arti dhe shenjëzimi estetik. Proza e shkrimtarit, veçmas ajo paraqet një botë të shumëkuptimtë, në mesazhe dhe imazhet që përfton, në skicimin e personazheve dhe shprehësinë letrare. Megjithatë, letrarja mund të jetë edhe me më pak kuptimësi dhe të ketë vlera, por në rastin e Kadaresë jemi tek natyra që tenton dhe shpalos dykuptimësinë, qoftë edhe si pasojë e kohës shkrimore, të një pjese të madhe të teksteve të tij, që përkon me diktaturën.

Do ta mbani me hatër Kadarenë?
Një tekst lexohet vetëm e vetëm si shenjë letrare. Qëllon që të pëlqen, e po ashtu nuk pëlqen shumë. Në fakt, në librat studimorë të botuar deri më tani, kam ecur në rrugën e shqyrtimit të teksteve dhe jo të leximit të bashkëngjitur me famën apo mungesën e saj. Megjithatë, në rrekjen për të lexuar dhe verifikuar letraren, që gjellin nëpër tekste, kam kërkuar dhe veçuar ato tekste që më pëlqejnë, që janë të shijes sime. Kështu ka ngjarë më Kutelin, tek i cili veçoj prozën, ndonëse ka shkruar edhe poezi apo kritikë letrare. Po ashtu kam shkruar për disa tekste të Trebeshinës, Pashkut, Camajt, Fishtës, Mjedës, Poradecit etj. Madje, kështu ka ngjarë edhe me Budin, poetin dhe prozatorin e parë të letrave shqipe. Prandaj nuk ka arsye që të ndryshoj metodika e verifikimit personal, gjithnjë si një shije e objektivizuar leximi dhe rileximi. Vetë rileximi i teksteve nuk lë shtigje as për ta mbajtur me hatër dhe as për ta mohuar. Teksti as nuk adhurohet, e as s’mund të urrehet, ai vetëm lexohet, dhe nëse kalon sprovën e rileximit, me siguri që bart vlera estetike.
Intervistoi: Petrika GROSI

16 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›