“Charlie Wilson’s War”, filmi i polemikave ruso-amerikane
Duke nisur nga dita e djeshme, kur edhe u shfaq premiera e filmit “Charlie Wilson’s War” në kinema Millenium 2, në kryeqytet, tashmë ky prodhim i Hollivudit mund të diskutohet edhe nga publiku shqiptar. Nga regjisori i nderuar me Oskar kësaj here vjen një histori e pabesueshme, por e vërtetë, në interpretimin e aktorëve Tom Hanks, Julia Roberts dhe Philip Seymour Hoffman.
Mike Nichols, pas një udhëtimi në seksin e “Closer” dhe “Angels” kthehet për të folur për Amerikën e ditëve të sotme, duke iu referuar një ngjarjeje në fund të viteve ‘80, lufta në Afganistan si një parathënie e tragjedive talebane; Afganistan, Irak, 11 shtator. Skenari është shkruar mjeshtërisht nga Aaron Sorkin dhe është një histori që ngrihet mbi humorin dhe cinizmin social-politik. Një Tom Hanks thuajse i përsosur për një rol të pazakontë për të, meqë kujtohet për interpretimet në “Apollo 13” e “Forrest Gump”. Pushteti është i bukur. Pushteti është gjithçka. Dhe mbi të gjitha, të lejon shumë privilegje; para, famë, dyer të hapura dhe joshje të lehta dashurie. Pikërisht kështu Mike Nichols tregon me “Charlie Wilson’s War” (në shqip “Lufta e Çarli Uillsonit”), historinë e një burri të suksesshëm, simpatik dhe pa asnjë peng në zemër, i përfshirë thuajse rastësisht në një çështje që do të ndryshonte historinë e botës. I frymëzuar nga një personazh i vërtetë, filmi që mbërrin në ekranin e kinema Millenium në Tiranë tregon sesi një senator i Teksasit, Charlie Wilson, ia doli që të jepte dërrmën vendimtare për rënien e Bashkimit Sovjetik. Dhe si e bëri këtë? Thjesht duke i dhënë të gjithë kontributin e mundshëm luftës së afganëve kundër Ushtrisë së Kuqe: një gërshetim i përsosur i dollarëve dhe spiunëve, me shumë “sponsora” teksanë të përfaqësuar nga një trashëgimtare e pasur që mbështet çështjen antikomuniste me qëllim furnizimin e afganëve me armët më moderne, pa përfshirë drejtpërsëdrejti Uashingtonin.
Polemika në SHBA, refuzim në Rusi
Meqë filmi ka një kontekst biografik dhe aq më shumë ende historik, është e natyrshme që të shoqërohet me një atmosferë debati dhe polemikash që kalojnë sferën artistike duke iu referuar historisë dhe politikës së viteve ‘80. Kështu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ish-zyrtarë të presidentit Regan janë ndarë në dy grupe përsa i takon filmit. Një pjesë e tyre janë të pakënaqur duke u ankuar se filmi promovon gabimisht nocionin se ishte CIA, që në njëfarë mënyre prodhoi 11-shtatorin, ndërsa grupi tjetër mendon se filmi është një leksion mbi fitoren e Luftës së Ftohtë nga Amerika. E ndërsa në SHBA, filmi ndez debate, në Rusi, ai mbetet thuajse i ngrirë. Në fillim u tha se filmi mund të mos shfaqej në kinematë ruse. Të drejtat për filmin ishin blerë nga Universal Pictures International (UPI). U spekulua se filmi nuk do të shfaqej për shkak të disa pikëvështrimeve negative përkundrejt Bashkimit Sovjetik. Drejtuesi i UPI për Rusinë, Yevgeny Beginin mohoi këto zëra duke thënë, “Ne thjesht menduam se filmi nuk do të sillte asnjë përfitim.” Por reagimet ne blogerat rusë që e kishin parë filmin piratisht në dvd ishin negative. Njëri prejt tyre shkruante: “I gjithë filmi tregon rusët ose sovjetikët si vrasës brutalë.”
Skeda e filmit
Titulli: “Charlie Wilson’s War”
Regjia: Mike Nichols
Skenari: George Crile (libri), Aaron Sorkin (pershtatja)
Prodhuar nga: Tom Hanks
Aktorë: Tom Hanks, Julia Roberts, Philip Seymour Hoffman, Amy Adams, Ned Beauty
Gjinia: Drameë biografi
Kohëzgjatja: 100 min
16 Korrik 2008