Proçkat e akademisë sllavomaqedonase
Kur Akademia Serbe e arriti kulmin me botime të fabrikuara e shpifje të paskrupullta, shpërtheu lufta në ish-Jugosllavi, u shpërbe ky shtet i dhunshëm. Në kob të kujt janë ngritur shërbëtorët e Akademisë sllavomaqedonase me këtë seri të shpifjeve?
Ditë më parë kolegia e një gazete kryeqytetase me luti për një prononcim nga pozicioni i drejtorit të Kosovafilmit, në lidhje me shpifjen më të re të Akademisë sllavomaqedonase. Sipas përpiluesve të një libri filmi, sepse ta quash enciklopedi këtë gjë është vështirë, aktori me famë botërore, Bekim Fehmiu na qenka serb! Një shpifje të këtillë deri me tash nuk e ka thënë as Akademia Serbe e Shkencave - flamurtare e shpifjeve dhe e falsifikimeve. Një budallallëk të këtillë nuk e kanë shkruar as publicistët militantë nga Beogradi të cilët në këto njëzetë vjetet e fundit janë shquar për agresion mediel e shpifje duke i pri pastaj shpërbërjes së ish-Jugosllavisë e gjenocidit në Kosovë, që nuk ishte vetëm vepër kriminale e një njeriu, sikurse duan ta zbusin disa. Ata kanë bërë qindra shpifje të tjera, kanë botuar biblioteka të tëra me libra gënjeshtra që i kalojnë kufijtë e të mundshmes dhe të duken si punë e fantastikës. Ata kanë menduar se po e mashtrojnë botën më propagandë të këtillë të helmatisur, por bota e qytetëruar nuk u bë pre e mashtrimeve serbe.
Akademia e sllaveve të Maqedonisë, e financuar nga ish-shteti komunist dikur, kanë botuar dhjetëra e qindra libra plot me shpifje kundër shqiptarëve duke ia mbajtur ison Beogradit. Madje, ku e ku janë shquar me shpifje prej budallai, që nuk e beson askush. Ndërkaq, ne ose nuk kishim guxim dikur t’u kundërviheshim, ose nuk e vlente të merreshim me broçkulla sllave. Pse e vazhdojnë rrugën e njëjtë satelitët serb të Akademisë sllavo maqedonase? Ku duan të dalin dhe kush do t’u besoj?
Për ta qetësuar gazetaren e mllefosur, i thash që në fillim se gënjeshtrat e Akademisë sllavo maqedonase nuk duhet t’i marrim seriozisht, sepse ato libra dhe ato njësi të cilat i përpiluan “akademikët” - sllavët bullgarofolës, askush nuk i lexon dhe askush nuk i beson. Bekim Fehmiu është emër i madhe i kinematografisë, kështu që në vend se të interesuarit të shfletojnë libra a enciklopedi të dorës së tretë, a paçavure, më lehtë dhe më sigurt e kanë të hapin faqen Wikipedia dhe do të gjejnë aq shumë gjëra për Bekim Fehmiun, duke filluar nga filmat e parë e deri në ditët e sotme. Madje, që në fillim Wikipedia shkruan se Bekim Fehmiu është shqiptar, i lindur në Sarajevë, me prejardhje nga Prizreni e Shkodra. Emri Bekim është vetëm emër shqiptar, pra këtë gjë është dashur ta dinë edhe senilet sllavomaqedonas të kësaj akademie.
Nuk është hera e parë që Akademia sllavo maqedonase ka bërë shpifje. Edhe në enciklopedinë e mëparshme të përgjithshme, për të cilën u bë shumë zhurmë ka shpifje fund e krye. Akademikët steril- shërbëtorë të sistemit dhe të shtetit që nga themelimi i saj janë marr vetëm me botimin e librave, shpifje të ulëta kundër shqiptarëve duke i fyer e duke u përpjekur t’i denigrojnë, sepse këtë urdhër e kishin nga shteti që i mbante me rrogë, prandaj edhe punonin sikurse u thoshte. Ishin shërbëtor servil të komunizmit, u bënë shërbëtor besnik të shtetit që u ndërtua mbi ato themele. Këtë gjë e bëjnë edhe sot, sepse këta shërbëtor të qeverisë e jo të shkencës nuk dinë të punojnë në mënyrë të pavarur, nuk kanë akribi shkencore e kreacion artistik që të bëjnë diçka origjinale, ata vazhdojnë ta kopjojnë Akademinë serbe, duke shkuar edhe një hap para në shpifje, duke u treguar edhe më agresivë, sepse satelitët serbë të kësaj akademie janë të kompleksuar në raport me serbin, duan t’ua bëjnë qefin dhe njëkohësisht duan t’i hynë në hatër qarqeve shtetërore, porositese të këtyre enciklopedive të falsifikimeve e të shpifjeve. Në Akademinë sllavo maqedonase gëlojnë akademikët shterp e senil, të kompleksuar me ndjenjën e inferioritetit, të vetëdijshëm që askush nuk i merr seriozisht, nuk i çmon dhe nuk ua varë. Në vend se ata të merren me gjuhën e tyre që nuk e kanë, ndërkaq e kanë huazuar gjuhën bullgare me shumë fjalë turke e orientale, në vend se të ndriçojnë historinë e tyre që u mungon, ndërsa ua marrin bëmat e prejardhjen të tjerëve, në vend se ta gjejnë identitetin kombëtar që e kanë të dyzuar, përpiqen që me shkrirjen e sllavëve bullgarofolës, të vllehve të shkombëtarizuar apo në fazën e fundit të shkombëtarizimit, të shqiptarëve ortodoks të shkrirë dhe të një pjese të shqiptarëve myslimanë të cilët identitetin fetar e kanë venë para identitetit kombëtar dhe tash quhen myslimanë maqedonas. Me këtë mishmash kombesh e etnish synojnë të bëjnë kombin maqedon që është vetëm emërtim gjeografik e jo identitet kombëtar. Kombi nuk bëhet me dekrete e me porosi të dikujt. Këto probleme kapitale këta shërbëtorë të shtetit e armiq të shkencës, nuk mund t’i zgjedhin, sepse atëherë duhet ta përmbysin botëkuptimin e tashëm për një komb të shpikur dhe një histori tërësisht të falsifikuar. Prandaj, janë të shërbim të qarqeve shtetërore që bëjnë kalkulime politike dhe prekin pulsin se deri ku mund të shkojnë në raport me shqiptarët.
Kur Akademia Serbe e arriti kulmin me botime të fabrikuara e shpifje të paskrupullta, shpërtheu lufta në ish-Jugosllavi, u shpërbe ky shtet i dhunshëm. Në kob të kujt janë ngritur shërbëtorët e Akademisë sllavomaqedonase me këtë seri të shpifjeve?
...