E Shtunë, 31 Tetor 2026

8 ambasadorë të Evropës: Rama të kthehet në parlament, po dëmton Shqipërinë

Edvini është kthyer në një figurë të padëshiruar për ndërkombëtarët. 8 ambasadorë të BE-së, në përvjetorin e rënies së Murit të Berlinit i kanë bërë apel opozitës, që t’i braktisë pozicionet bojkotuese, të cilat po e dëmtojnë vendin, dhe t’i kthehen Kuvendit, si vendi i vetëm ku mund të ndihmojnë integrimin e Shqipërisë


Diplomatët e Bashkimit Evropian, përmes një thirrjeje të përbashkët apelojnë për rikthimin e Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë dhe përcaktimin e shpejtë të direktivave të bashkëpunimit politik me shumicën parlamentare. Plot 8 ambasadorë të BE i bënë thirrje dje opozitës që t’i zgjidhë problemet e veta, të cilat prej muajsh e kanë bllokuar aktivitetin normal të institucioneve në Shqipëri. Gjatë një konference për shtyp, në përkujtim të rënies së Murit të Berlinit, ambasadorët mes të cilëve ai gjerman, austriak, polak apo ajo e Çekisë, kanë deklaruar se bojkoti i parlamentit nga opozita nuk e ndihmon interesin evropian të Shqipërisë dhe se duhet bërë çdo përpjekje nga të dy palët për të gjetur gjuhën e përbashkët në funksion të realizimit të reformave që sigurojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Ambasadoret e vendeve të Bashkimit Evropian në Tiranë thonë se kriza politike në Shqipëri nuk është aspak një ogur i mirë për integrimin e vendit. Ambasadorët njëzëri thonë se Shqipëria duhet të kryejë sa më parë reformat për t’u anëtarësuar në BE dhe për këtë duhen votat e mazhorancës dhe opozitës në Parlament. Sipas përfaqësuesve ndërkombëtarë, BE nuk mund të zgjidhë asgjë në këtë mes, për sa kohë PS dhe Edi Rama nuk njohin e nuk respektojnë institucionet qeveritare, e për më tepër kanë braktisur vendin e debatit dhe të reformave, parlamentin. Në këtë drejtim, apeli i ambasadori gjerman Bernd Borchardt, por edhe atij austriak Rauing ishte se “zgjidhja duhet të vijë nga vetë opozita, e cila duhet të bashkëpunojë me pozitën dhe jo nga ndërhyrja ndërkombëtare”. “Kompromisi duhet të zgjidhë situatën, dhe ky kompromis duhet dhënë nga të dy palët”, tha Borchard. Përfaqësuesi austriak, Florian Rauning theksoi gjatë konferencës për shtyp se “që të jeni pjesë e BE duhet t’i zgjidhni vetë problemet tuaja, e jo të prisni ndërhyrje nga jashtë”. Në këtë panel ka referuar dhe ambasadorja çeke, Martjeta Fialkova e cila përsëriti thirrjen e saj që “bojkoti i kuvendit nga ana e PS nuk është në të mirë të interesave të Shqipërisë”. Sipas ambasadores çeke, një gjë e tillë nuk po shikohet mirë, pasi sipas saj, kjo nuk është rruga pozitive. Ambasadorja Fialkova theksoi se prezenca e PS në Kuvend është domosdoshmëri. “Shqipëria që të integrohet në BE duhet të mbyllë procesin e reformave sikundër është ajo në drejtësi, por reforma në drejtësi duhet që fillimisht të votohet në Kuvend, dhe votimi nuk është i mundur pa pjesëmarrjen e opozitës”, tha Fialkova.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›