Portreti i vërtetë i një presidenti ish
Qysh në titull autorja e një vepre të saj të pritshme, për të nxjerrë në pah të vërtetat dhe të pavërtetat e ish-presidentit Alfred Moisiu, ka treguar se pena e saj është në dorën e një personi që e zotëron artin e të shkruarit. Përcaktori është origjinal. Presidenti ish, përveçse ironik, është edhe domethënës, në kuptimin e një personi që ka shkruar për veten, por i ka bërë dëm personit të vet. Duke dashur ta idealizojë vetveten, ka nxjerrë në pah, në mënyrë fare të palatuar, tiparet e një njeriu të dashuruar me personin e tij, të krahasueshëm me mitomanin e mitologjisë, Narcisin. Pra autorja, Iris Halili, e ka portretizuar si njeri narcistik.
Librat e memorialistikës kanë një vlerë të madhe dhe bëhen burim të dhënash historike, kur analistët i vlerësojnë si të besueshëm. Në rast të kundërt, janë të rrezikshëm dhe historianët me vlerë u rrinë sa më larg. Sepse bëhen shformues të historisë. Uinston Çërçilli dhe Karl De Goli janë vlerësuar me çmime për kujtimet e tyre historike.
Iris Halili i ka bërë një shërbim të njëmendët një periudhe jo fort të shkurtër të ngjarjeve të vendit tonë, të cilat do të zënë vendin e tyre në historinë e ardhshme. Përshkrimi i saj tingëllon i besueshëm dhe vënia e pikave mbi i është një domosdoshmëri e natyrshme për të parë sesa i balancuar apo, përkundrazi, i njëanshëm, ka qenë një njeri me detyrë tepër të lartë, në një kohë të caktuar. I.Halili 13 vite më parë ka qenë pedagoge në Universitet, kur Moisiu në atë vit, 1996, ishte kryetar i Shoqatës shqiptare të Atlantikut. Po të kemi parasysh vitin që përmendëm, ai ishte një ushtarak i lartë në kohën kur Safet Zhulali ishte ministër i Mbrojtjes. Analistja Halili ka qenë shefja e kabinetit të Presidencës për katër vite e gjysmë dhe nuk ka nguruar të vërë në dukje edhe disa cilësi të presidentit të saj, gjatë kësaj kohe. Në zbërthimin e librit të kujtimeve të Moisiut, “Mes Nanos dhe Berishës” është përpjekur, duke vënë faktet si prioritare, të jetë e paanshme. Dhe, nëse ia ka arritur plotësisht kësaj detyre të vetvetes për të mos rënë në atë që duket se nuk e duron dot, domethënë ndrydhjen e të vërtetave, shënimet e Irisit – që mund të jenë mbështetje për një libër nga ana e saj, - do të uronim që kjo vepër e pritshme të dalë sa më shpejt në qarkullim. Do të ishte një antidot për ta vënë historinë në udhën e qartësisë, gjë e cila ka qenë një plagë e rëndë në historiografinë tonë, të trashëguar nga e kaluara.
Bashkohemi me autoren se një vepër kujtimesh zhvlerësohet nga simptomat e dukshme për dashurinë ndaj vetvetes. Një autor me patologjinë e Narcisit, nuk mund të shkruajë kujtime të besueshme. Proverbin “Le moi est haissable” (Un-i është i urrejtshëm), francezët e kanë në majë të gjuhës për ta përdorur ndaj atyre që kanë rënë në dashuri me vetveten. Mungesën e modestisë autorja e quan të padurueshme në kujtime personalitetesh. Me të drejtë. Sepse ky ves, vetëmburrja, i shprehur si pa të keq, shpesh bëhet burim të këqijash të bashkëlidhura. Shënimet që autorja ka mbajtur për vite të tëra, mund të shndërrohen në një libër të vlefshëm, në kuptimin e vënies në vend të të vërtetave të cunguara. Jam i bindur se mënyra e të shkruarit të saj me një qartësi që të tërheq e me një stil të përkorë, do të jetë një sukses i padyshimtë për literaturën memorialistike, që sfidon ata lloj librash si ky, të cilët “përfshijnë vetëm ato ngjarje që kënaqin vetë Moisiun”, - siç shprehet autorja në kritikën e saj. Mitomania e presidentit ish shprehet në mënyrë ekspresive kur ky “e shpall veten si Shpëtimtari, i kryqëzuar më kot nga Barabatë. Ndoshta Moisiu as e ka idenë e këtij detaji të biblës. Vetëm se në kujtimet e tij ai s’bën gjë tjetër, veçse një bibël për vete!”. Duke shqyrtuar titullin e librit të Moisiut, autorja vëren se ky president është i përkëdheluri i të parit (“për interesa personale”, siç shënohet në një vend tjetër) ndërsa të dytit, autori i librit vetëledhatues i ka kthyer kurrizin.
“Moisiu ka shkarkuar apo ka detyruar të japin dorëheqjen, një anëtar të stafit politik në çdo 3-4 muaj (...) ndërsa në libër bën anashkalime si dikur Enveri në kujtimet e tij”. Ne kuptojmë se A. Moisiu kaloi nga demokracia e parë, në të cilën pati poste të rëndësishme si ushtarak, në majtizmin e kohës presidenciale, duke u joshur nga interesat vetjake. Jemi në kohën kur u zhyt në korrupsion dhe në nepotizëm, siç e shohim në një titull të madh të kundërvënies ndaj librit të tij. Flitet me fakte, për një shoqëri “e cila kishte fituar përkrahjen presidenciale me dhënien e pjesëve të konsiderueshme të biznesit, dhëndrit të Moisut. Me favoret që gëzonte nga qeverisja e majtë, kjo ushtronte edhe të drejtën që të diktonte mbi heqjen e këshilltarëve të padëshiruar, gjersa mbeti vetëm me këshilltarë të jashtëm, të cilëve nuk u mësoi dot as emrat!”. Citojmë edhé: “ Tashmë Moisiu e kishte kthyer timonin majtas ose, më saktë, atje ku e lidhnin interesat e tij, të familjes, apo të debolesave të kahershme (...). Me sekretarin e përgjithshëm e lidhnin afera të përbashkëta”. Vëzhguesja vëren se tanimë ishte rrethuar nga ata që nuk kishin simpati për Berishën. Dhe i kujtohet parimi dantesk “secili preferon të ngjashmit e tij”.
Në këta të ngjashëm nuk ishte Ilir Meta të cilin, në qershor të vitit 2003, Moisiu e përjashtoi nga delegacioni për në konferencën e Selanikut.
Irisi dukej se nuk do të mbetej më tej në vendin e shefes së kabinetit, meqë ajo ishte atje edhe dëshmitare e korrupsionit dhe nuk e lozte dot rolin e gëlltitjes së kësaj së keqeje, që kishte pushtuar presidencën. Ajo shkruan tani: “Deri më sot në Presidencën shqiptare nuk është ulur asnjë kryetar Shteti që të ketë përfituar, shfrytëzuar, shtrydhur deri në fund karrigen e presidentit vetëm në realizimin e interesave të familjes”. Ndërmjet fakteve të tjera, të zgjojnë përshtypje fluturimet e tij me avionët “Albatros” me aksionere vetëm vajzën e tij e madhe dhe nipin i tij. Shefja e kabinetit kishte bërë gati praktikat që në Izrael presidenti me delegacionin pesë vetash të udhëtonte me aeroplanin e linjës . Por ai angazhoi “Albatrosin” 100 vendesh vetëm për pesë veta! (Nënkuptojmë sesi shpenzohen paret për një aeroplan 100 vendesh për pesë persona, sikur të ishim vend sheikësh!).
Shumëkujt i kujtohet sesi majtizmi ynë doli në mbrojtje të evazionit fiskal të kësaj shoqërie ajrore, që kërkonte të anashkalonte detyrimet fiskale. . .Tani shkruhen, në një numër të madh gazetash, vëzhgimet e I. Halilit: “Moisiu mbetet po aq i zhytur në korrupsion dhe në nepotizëm dhe të gjitha interesat e tij për përfitime personale ua ka servirur shqiptarëve në emër të parimeve të shtetit ligjor...”. Të gjitha këto gazeta sot përmbajnë edhe vërejtjet për Albatrosin, në dritën e tyre të vërtetë. Në kohën e evazionit fiskal të Albatrosit, gazetat e majta mbronin njëzëri këtë korrupsion në përfitim të A. Moisiut, me argumente të shpifura se është edhe X kompani s’i ka paguar detyrimet fiskale, si edhe ajo tjetra, Y kompani! Natyrisht kjo mbrojtje mbështillej edhe me pelerinën e prokurorëve të tipit Theodhorí!
Këshilltare e presidentit ish, qé edhe Aurela Anastasi. Kjo përkohësisht i rrëmbeu pronën e ligjshme pronarit, pikërisht nën pallatin ku ajo banonte, fare pranë vilës së E. Hoxhës. Nën pallat diktatori kishte ndërtuar një tankodrom, vendstrehim tankesh, për eventualitetin e një trazire. Ky tankodrom u shndërrua nga i shoqi Nasho i Aurelës, në një punishte të madhe për ndërtim dyer-dritaresh, ndonëse pronarit i ishte dhënë nga KKRT-ja me të drejtë parablerjeje. Aurela bëri trukun antiligjor, në mënyrë të fshehtë, me anë të një gjyqi të paligjshëm, ku duhej të ishte i pranishëm detyrimisht edhe pronari. Një veprim i tillë parapa krahësh doli në gjyqin e shk. 1-rë. Por gjyqtari i vetëm e anashkaloi këtë inskenim, që i dha mundësinë asaj ta privatizonte objektin e tjetërkujt, që e bëri milioner “pronarin e ri”, të shoqin e saj! Veçse, për fat të mirë, për shkak të disa skandaleve gjyqësore, në Apel çështjen e gjykoi një treshe gjyqtarësh të sjellë nga Librazhdi, të cilët vunë në dukje edhe njëanshmërinë e kryetarit të gjykatës së shk. 1-rë, që duhej të kishte kuptuar se gjyqi në atë shkallë duhej zhvilluar me tre gjyqtarë, për shkak të objektit me të ardhura të jashtëzakonshme. Natyrisht këta gjyqtarë të ndershëm vendosën në favor të pronarëve të ligjshëm. Episodet që argumentojnë thënien danteske se të ngjashmit gjejnë koka-kokën, janë, pra, të shumta.
Duke e mbyllur këtë shkrim, na duhet ta përfundojmë, duke vlerësuar guximin qytetar të autores, për të nxjerrë në dritë skutat e errëta të një veprimtarie, në kupolat e institucioneve, në funksion të davaritjes së propagandave demagogjike të njëanshme që synojnë ta bëjnë të zezën të bardhë, por edhe të bardhën të zezë.
...