Gjyqësori dhe KLD-ja ndahen më dysh, ajsbergu i përplasjeve
Presidenti po përpiqet për një zgjidhje kushtetuese. Qeveria tenton të nulifikojë opozitën dhe të zaptojë KLD-në
Laureta Rryçi
Debatet e fundit për funksionimin e Konferencës Kombëtare Gjyqësore, me ose pa miratimin e ligjit, kanë ndarë Gjyqësorin dhe vetë KLD-në në dy blloqe. Për shkak të rëndësisë së ligjit dhe influencave mes pushteteve, ditët e fundit vihet re një tentativë e Presidentit që po përpiqet të gjejë një zgjidhje kushtetuese dhe, nga ana tjetër, manovrat e qeverisë për të nulifikuar opozitën dhe të zaptojë KLD-në. Nga njëra anë janë gjyqtarët, të cilët kërkojnë që të organizojnë Konferencën Gjyqësore falë vetadministrimit duke u treguar kështu “shtatanikë” ndaj bojkotit të opozitës. Ky qëndrim mbështetet nga një pjesë e mirë e kryetarëve të gjykatave, nga kryetarja e Gjykatës së Lartë, nga kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe vetë qeveria me në krye kryeministrin Sali Berisha. E thënë ndryshe, një grup aktorësh që luajnë jo pak rol në reformimin e Gjyqësorit, të cilët kërkojnë të rihedhin një frymë të re në radhët e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Ndërsa, nga ana tjetër është Presidenti, i cili, me sa duket, kërkon të zbatojë më së miri misionin e tij për të garantuar Kushtetutën. Mesazhi i kryetarit të KLD-së ditët e fundit është përcjellë edhe nëpërmjet zëvendësit të tij, Kreshnik Spahiu, i cili, disa herë ka deklaruar se nuk mund të thirret Konferenca pa u kaluar ligji në Kuvend me 3/5 e votave.
Përplasja
Për shkak të ndikimeve që mund të ketë në pushtetin e Gjyqësorit zëvendësimi i katër anëtarëve, ajsbergu i përplasjeve tashmë ka përfshirë dhe kupolat drejtuese, pavarësisht institucioneve që drejtojnë në vend. Prej tri ditësh pothuajse të gjithë aktorët kryesorë kanë dhënë qëndrimin e tyre duke u ndarë në dy blloqe mendimi pro dhe kundër funksionimit të kësaj konference pa miratuar më parë ligjin. Ndërsa muaj më parë debatet publike mes ish-ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj dhe numrit dy të KLD-së, Kreshnik Spahiu, sërish nuk sollën nënshtrimin e KLD-së, tani më duket se qeveria e ka gjetur një alternativë për të përfshirë influencat e saj me zëvendësimin sa më parë të katër anëtarëve të Këshillit. Ndërsa deklarohet se mbështetet pavarësia e Gjyqësorit dhe se kjo maxhorancë e mirëpranon vetërregullimin, duket se të tjera qëllime të liga fshihen pas këtyre deklaratave. Duket se qeveria kërkon ta kthejnë Presidentin thjesht në një moderator të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, duke ndërhyrë kështu në shumë çështje kyçe të Drejtësisë sipas interesave dhe pazareve.
Momenti
I gjithë debati për Konferencën Gjyqësore për zëvendësimin e katër anëtarëve të KLD-së nuk bëhen pa pasur një arsye të fortë nga të dyja blloqet. Këshilli i Lartë i Drejtësisë, falë një dekreti të pak javëve më parë të Presidentit, ka marrë përsipër të bëjë një rishpërndarje pothuajse të të gjithë trupës gjyqësore. Kjo pritet të sjellë prishje të shumë lobingjeve brenda gjykatave, të ngritura prej vitesh. Për shkak të këtij dekreti që bëhet pas shumë vitesh, është përcaktuar kompetencë e KLD-së për të bërë transferimet e gjyqtarëve pa pëlqimin e tyre. Për këtë arsye, në këtë moment, të dyja blloqeve do t’u interesonte të kishin sa më tepër vota për të marrë vendimet në fjalë. Ndërsa dy arsyet e tjera mendohet se janë disa dosje që ministri i Drejtësisë ka dërguar për procedime disiplinore ndaj gjyqtarëve, si dhe inspektimi në disa gjykata të vendit për disa çështje.
Reaguan për Konferencën Gjyqësore
Topalli: “Gjyqtarët të vetërregullohen”
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, vendos të anashkalojë institucionin që ajo drejton në lidhje më ligjin për Konferencës Kombëtare Gjyqësore. Pas debateve të ditëve të fundit Topalli ka dalë në një deklaratë për shtyp për mediat, duke shprehur qëndrimin e saj se është pro gjyqtarëve për të vënë në funksionim këtë konferencë me vetërregullim. “Pavarësia e pushtetit gjyqësor është kushti themelor për funksionimin e shtetit ligjor. Sot, një pjesë e organeve të medias kanë informuar rreth debateve të fundit brenda Gjyqësorit lidhur me nevojën për rizgjedhjen e përfaqësuesve të rinj të Konferencës Kombëtare të Gjyqësorit në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Lidhur me këtë shqetësim të Gjyqësorit shqiptar, kryetarja e Kuvendit kërkoi informacion nga të zgjedhurit e Kuvendit në KLD”, - thuhet në deklaratën e bërë publike në faqen zyrtare të Kuvendit.
Gerd Hoxha, mendim ndryshe nga kryetarja e Shoqatës
Me gjithë rëndësinë për funksionimin e Konferencës dhe projektligjit për të, që pritet t’i kalojë Kuvendit, takimi i ardhshëm i 5 dhjetorit i të gjithë gjyqtarëve në Shqipëri ka ngjallur diskutime dhe interpretime të ndryshme. Pikërisht për këtë arsye, anëtari i Bordit Drejtues të Unionit Gjyqësor, gjyqtari Gerti Hoxha, deklaron se mbledhja e dhjetorit nuk do të ketë kompetencat e Konferencës Gjyqësore dhe sipas tij nuk do të zgjedhë anëtarët e KLD-së. “Kemi vendosur qe më 5 dhjetor të organizojmë një mbledhje të gjyqtarëve, ku do të diskutohet për pavarësinë e sistemit gjyqësor, rritjen e transparencës së publikut te Drejtësia dhe do të diskutohet për fatin e Konferencës Gjyqësore. Kështu që kjo mbledhje nuk mund të konsiderohet si Konferencë Kombëtare Gjyqësore”, - shpjegoi gjyqtari Hoxha. Duke iu referuar deklaratës së përbashkët në të cilën doli trupa gjyqësore gjatë takimit të thirrur nga Gjykata e Lartë, Hoxha bën apelim për një emergjencë që duhet zgjidhur sa më parë në Gjyqësor.
Nishani: “Drafti është gati, por gjyqtarët nuk mund të rrinë në ngërç”
Nishani është i mendimit se funksionimi i Konferencës Gjyqësore Kombëtare nuk mund të mbetet në ngërç, aq më tepër që edhe më parë Konferenca është mbledhur me vetërregullim. Sipas tij, Ministria e Drejtësisë ka përfunduar detyrën e saj në draftimin e projektligjit “Për Konferencën Gjyqësore Kombëtare”, mbështetur edhe në sugjerimet e bëra nga aktorë të sistemit të Drejtësisë si përfaqësues të Konferencës Gjyqësore, shoqatave të gjyqtarëve, Këshillit të Lartë i Drejtësisë, si dhe misioneve të asistencës ndërkombëtare. "Qëllimi për përgatitjen e këtij projektligji ka qenë që Konferenca Gjyqësore Kombëtare të funksionojë mbi bazën e një ligji, pasi më parë ka funksionuar mbi bazën e vetorganizimit të saj”, - deklaroi ministri.
Kreshnik Spahiu: “Ligji, pas miratimit në Kuvend”
“Kam qenë dhe jam e mendimit që të mundësohet sa më parë mbledhja e Konferencës për t’u dhënë zgjidhje problemeve. Në kushtet aktuale të mungesës së opozitës në Kuvend, miratimi i këtij projektligji është i pamundur”, - u shpreh nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, i cili mbështeti projektligjin e ri dhe shprehu gatishmëri, qoftë edhe për lobing, që ky projektligj të kalojë në Kuvend në mënyrë që situata të zhbllokohet. “KLD-ja prej disa muajsh është vënë në vështirësi për të realizuar në mënyrë funksionale rinovimin e vet, për shkak të vonesave në miratimin e ligjit. Nuk na takon të paragjykojmë një votim apo mosvotim, por kemi detyrën të japim kontributin tonë, madje edhe të lobojmë që ky ligj të votohet”, - u shpreh Spahiu.
Deklarata e përbashkët e 12 kryetarëve
Deklarata e përbashkët u hartua pas takimit që u zhvillua tri ditë më parë në organizimin e kryetares së Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj. Në takim morën pjesë të gjithë kryetarët e gjykatave, të të gjitha niveleve, dy shoqatat e Gjyqësorit dhe institucioneve ndërkombëtare që kanë dhënë asistencë në lidhje me reformën në Drejtësi, si EURALIUS, USAID etj. Kjo tryezë e rrumbullakët, e cila mblidhej për herë të dytë, ka pasur në qendër të diskutimeve projektligjin e Konferencës Gjyqësore Kombëtare të paraqitur nga Ministria e Drejtësisë. Gjatë këtij takimi u diskutua dhe u hodhën mendime mbi problemet dhe shqetësimet që janë aktualisht në fokus të sistemit gjyqësor shqiptar. Në përfundim të mbledhjes pjesëmarrësit dolën me një deklaratë në të cilën aktorët kryesorë të gjykatave, por jo vetëm, parashtrojnë disa kërkesa si ndaj Ministrisë së Drejtësisë, ashtu edhe ndaj klasës politike në tërësi. Ata vendosën të mblidheshin me 5 dhjetor me të gjithë trupën gjyqësore për të diskutuar për një sërë çështjesh midis tyre edhe mbi fatin e Konferencës Gjyqësore.
13 Nentor 2009