E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bregu: “Jemi gati për të përgatitur pyetësorin e BE-së”



Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, deklaroi dje se Shqipëria është gati për të përgatitur pyetësorin e Komisionit Europian për statusin e vendit kandidat në BE. Gjatë një konference për shtyp Bregu u shpreh se administrata shqiptare është gati për të plotësuar pyetësorin e Komisionit Europian. “Ministria e Integrimit ka përcaktuar planin e plotë të punës, që përmban afatet dhe përgjegjësitë respektive të çdo institucioni lidhur me pyetësorin. Në këtë proces janë përfshirë të gjitha ministritë, 13 institucione të pavarura, duke përfshirë edhe Parlamentin. Numri i institucioneve që do të kontribuojnë në total do të jetë rreth 45. Ky numër mund të rritet edhe më tej si pjesë e procesit të parapërgatitjes për pyetësorin. Deri tani janë identifikuar si pjesëmarrës në këtë proces 411 nëpunës civilë të të gjitha niveleve, numri i të cilëve do të vijë duke u rritur edhe më tej”, - është shprehur Bregu. Ajo tha se koordinimi i këtij procesi do të bëhet nga zyrtarë të lartë, në nivel ministrash, ndërkohë që administrata do të jetë e angazhuar me kohë pa limit deri në përgjigjen e plotë dhe me korrektësi të këtij pyetësori. Sipas ministres së Integrimit, fazat e procesit janë hartimi i përgjigjeve, analiza e tyre, hartimi i variantit final të përgjigjeve, përkthimi i centralizuar, miratimi i përgjigjeve dhe dorëzimi i dosjes me përgjigjet në Bruksel. Për këtë qëllim, Ministria e Integrimit ka ngritur grupet ndërinstitucionale të punës dhe grupet në ministritë e linjës dhe institucionet e tjera për koordinimin dhe hartimin e përgjigjeve. Bregu gjithashtu bëri të ditur se Ministria pasi ka analizuar draftet e ngjashme të KE-së për vendet fqinje, ka marrë të gjitha masat për plotësimin e këtij pyetësori. “Kemi një ide për pyetësorin, por jo një draft të plotë të tij. Gjithsesi, duke u bazuar në formatet e vendeve të tjera të rajonit, pyetjet fokusohen në kriterin politik dhe ekonomik, çka do të thotë se shumica e pyetjeve do të adresohen në fushën e Drejtësisë dhe të sigurisë. Institucionet që do të kenë ngarkesën më të madhe përsa i përket plotësimit të pyetjeve të kriterit politik do të jenë Ministria e Drejtësisë dhe Parlamenti, ndërsa përsa i përket kriterit ekonomik, Ministria e Ekonomisë dhe ajo e Financave. Pritet që pyetësori të ketë mbi 2 mijë pyetje dhe mund t’ju garantoj se do të punohet me përgjegjshmëri dhe intensitet për të arritur cilësinë brenda një afati më të mirë të mundshëm”, - është shprehur Bregu.

13 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›