E Diel, 1 Nëntor 2026

Haga: Gjyqi ndaj Karaxhiç nuk shtyhet


Ish-lideri i serbëve të Bosnjes, Radovan Karaxhiç, dështoi në përpjekjen për të shtyrë disa muaj procesin kundër tij për genocid. Kërkesa e tij për të marrë më shumë kohë për përgatitje për marrjen në pyetje të dëshmitarëve dhe studimin e dosjeve, u refuzua nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë.
Procesi, i cili filloi në fund të tetorit të kaluar, është shtyrë disa herë me kërkesë të Karaxhiçit, i cili e ka marrë vetë përsipër mbrojtjen e tij. Karaxhiç ka hedhur poshtë të gjitha akuzat dhe deklaron se në Srebrenicë nuk ka pasur kurrë ndonjë genocid. Gjykata ndërkombëtare e krimeve të luftës për ish Jugosllavinë pasi hodhi poshtë kërkesën për shtyrjen e mëtejshme të gjyqit për të dyshuarin për genocid, Radovan Karaxhiç, ish-udhëheqësi serb i Bosnjes, tha se gjyqi do të rifillojë në 13 prill. Radovan Karaxhiçi akuzohet se ka orkestruar mizoritë serbe gjatë luftës së viteve 1992-1995 në Bosnje, përfshirë masakrën e vitit 1995 ku u vranë rreth 8000 burra dhe djem muslimanë në Srebrenicë. Por gjithmonë, Karaxhiç i ka mohuar akuzat dhe në fillim të muajit, në hapje të gjyqit të tij, ai tha se masakra është një mit. Muslimanët, shtoi ai, i vranë vetë njerëzit e tyre dhe pastaj fajësuan serbët për të fituar mbështetjen ndërkombëtare. Radovan Karaxhiçi u arrestua në Beograd në vitin 2008, pas një periudhe 13 vjeçare si një personat më të kërkuar në botë nga drejtësia ndërkombëtare. Ndërkaq, komandanti i tij ushtarak gjatë kohës së luftës, Ratko Mlladiç, është ende i lirë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›