E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjyqi; Masakra e Cërrikut, dështon procesi për faj të avokatëve



Për faj të avokatëve, një pjesë e të cilëve nuk është paraqitur dje në proces pa asnjë arsye të justifikuar, ka dështuar sërish procesi ndaj nëntë të pandehurve të Masakrës së Cërrikut. Ndonëse e përsëritur, me kërkesë të prokurorit Adnan Xholi, gjykata njoftoi Dhomën Kombëtare të Avokatisë dhe Ministrinë e Drejtësisë për të marrë masa ndaj avokatëve. Meqenëse avokati i të pandehurit Met Bozi mungonte, gjykata shtyu seancën përreth 30 minuta për ta zëvendësuar atë me një tjetër mbrojtës të caktuar kryesisht nga gjykata. Por, në çastet që palët janë ulur në sallë për të vijuar me procesin, dy avokatë të tjerë kishin braktisur gjyqin, duke bërë të pamundur vijimin e gjyqit. Gjykata pezulloi afatet e paraburgimit për të pandehurit, të cilët ishin prezentë në kafaz. Llazar Bicja, Met Bozi, Arjan Toska, Roland Sota, Alban Toska, Skënder Cani, Tomorr Buzani, Bujar Buzani dhe Entel Gashi akuzohen për ngjarjen e 23 majit 1997, kur gjashtë gardistë u vranë dhe disa të tjerë mbetën të plagosur.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›