E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjyqi Xhani-Laçi nuk njeh vendim edhe pas 19 seancave

Nga ILIR CARA

Prej dy vitesh vijon procesi se kujt i takon administrimi i shoqërisë tregtare Partizani sh.a, që e ka humbur tashmë të drejtën e regjistrimit të skuadrës në FSHF

Partizani ka vite që është bërë i denjë për rekorde të pathyeshme në Shqipëri, kjo për sa i përket rekordeve negative, pasi ato të trofeve janë kapur, siç ishte së fundi barazimi me Kupa të Shqipërisë nga Tirana, 15 të tilla.Në morinë e rekordeve të këqija të demave të kuq bëjnë pjesë edhe disa procese gjyqësore, ku janë të përfshirë pjesëtarë të klubit.

Përveç procesit gjyqësor mes Ministrisë së Mbrojtjes dhe shoqërisë tregtare Partizani sh.a për çështjen e logos, ekziston edhe një proces i vjetër mes aksionarëve të shoqërisë, Albert Xhani dhe Paro Laçi, se kujt i takon e drejta e administrimit të shoqërisë. Paditës në këtë proces është Paro Laçi, i cili ka 40% të aksioneve.

Ai ka kërkuar pavlefshmëri të ndryshimeve që u bënë në shoqëri më 12 prill 2010. Ky proces është depozituar në Gjykatën e Tiranës më 16 korrik 2010 dhe pas dy vjetësh procesi mbetet ende i hapur pa një vendim, i cili, sido që të jetë, nuk ka shumë rëndësi për Partizanin, pasi që nga shtatori i 2011-ës skuadra ka kaluar nën administrimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Dje në Gjykatën e Tiranës ishte planifikuar të zhvillohej seanca e 19-të e procesit mes aksionarëve Laçi-Xhani, por nuk ishte e thënë që të merrte fund. Për shkak të mungesës së palës së paditur, Albert Xhani, gjyqi është shtyrë që të vijojë me 27 shtator, që i bie të jetë seanca e 20-të.

Albert Xhani kishte paraqitur raport në gjykatë, ku justifikonte mungesën në seancën e radhës. Në mungesë të përfaqësuesve të Albert Xhanit, trupi gjykues, i drejtuar nga gjyqtarja Elona Stavri, që është e treta që merret me këtë proces, vendosi:

Gjykata vendosi të shtyjë seancën për ti dhënë mundësi palës dhe palës së paditur të paraqiten në seancë. Seanca e ardhshme gjyqësore do të zhvillohet më datë 27.09.2012, ora 11.30. Pala e pranishme mori dijeni, të njoftohen palët në mungesë.

 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›