E Diel, 1 Nëntor 2026

Lushnja, përsëri kontrata njëvjeçare për futbollistët

Nga Julian Kasapi

Së shpejti pritet të nisë procesi i firmosjes së kontratave, por më parë secili do të kalojë në sitën e pjesëtarëve të stafit teknik dhe drejtuesve të tjerë

Futbolli lushnjar nuk ka bërë asnjë lëvizje këto ditë të nxehta qershori, ndonëse më parë nga drejtuesit e tij ishte premtuar krejt e kundërta. Java që shkoi dhe kjo që sapo nisi, ka të angazhuar vetëm futbollistët e ekipeve zinxhir, me të cilët po punohet për përzgjedhjen e tyre.

Në bazë të cilësive të futbollistëve do të vendoset në një tjetër moment se cili prej tyre e meriton të jetë pjesë e skuadrës së të rivnjve, ndërkohë që pritet të nisë dhe seleksionimi i futbollistëve nga U-19-a për të kaluar në skuadrën e parë.

Asnjëri prej futbollistëve, të cilët mbyllën sezonin e shkuar me fanellën verdhejeshile nuk ka të zyrtarizuar ndonjë lëvizje të mundshme, aq shumë të përfolura këto pas mbylljes së kampionatit.

Deri sa të bëhet riorganizimi i skuadrës nga ana e drejtuesve, që shpresohet se mund të ndodhë përfundimisht këtë javë, nuk mund të flitet për përbërjen e Lushnjës së sezonit 2012-2013, sepse askush nuk ka një kontratë të re.

Mendohet se kontratat do të jenë përsëri njëvjeçare për futbollistët, që më parë duhet të kalojnë në sitën e imët të stafit teknik, i cili, sipas të gjitha gjasave, do të kenë në krye sërish Sajmir Malkon.

Përveç stafit teknik, është edhe vendimi i drejtuesve lushnjarë, të cilët nuk është se janë shumë të kënaqur me skuadrën për vetë faktin se nuk arriti ta realizonte objektivin sezonin e shkuar, duke dështuar për ngjitjen në Superligë pikërisht në ndeshjen shtesë, ku u mund thellë nga Apolonia.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›