Integrimi LSI apel klases politike per bashkepunim

Lëvizja Socialiste për Integrim vazhdon të kërkojë në mënyrë të përsëritur nga politika shqiptare, ngritjen e nivelit të përgjegjshmërisë dhe orientimin e veprimtarisë së saj drejt dialogut politik, komunikimit të vazhdueshëm dhe bashkëpunimit. Një apel i tillë u bë nga sekretari për marrëdhëniet me publikun në LSI, Ardit Çela, i cili në emër të kësaj partie kërkoi nga klasa politike të bashkëpunojnë për realizimin e reformave në kuadër të integrimit në BE. “Retorika politike duhet të konkretizohet e të materializohet me veprime konkrete, për të përmbushur dhe për të arritur të gjitha ato standarde të domosdoshme për të krijuar besueshmërinë e nevojshme për të marrë statusin e vendit kandidat. Në të njëjtën kohë, situata financiare në rajon, eurozonë apo më gjerë e detyron politikën shqiptare të jetë e përgjegjshme e të kuptojë njëherë e mirë se vonesa e reformave integruese, mosavancimi i tyre ndikon drejtpërdrejt në ekonominë e vendit”, vlerësoi Çela. Sipas tij, një klimë pozitive politike, një klimë besimi dhe bashkëpunimi i ndërsjelltë, me axhendë të përcaktuar qartë drejt prioriteteve europiane, do të ndikonte drejtpërdrejt, pozitivisht në ekonominë e vendit, në rritjen e investimeve të huaja, rritjen e punësimit, rritjen e ekonomisë në familjen e çdo qytetari shqiptar.