E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjyqi i Metës, Gjykata e Lartë: Ekspertizë orës regjistruese

TIRANE- Përfundoi rreth orës 17:30 seanca ndaj Ilir Metës në Gjykatën e Lartë, ku u vendos të kqyrej ora regjistruese dhe laptopi me të cilën u regjistrua biseda mes Metës e Priftit. Gjykata e Lartë i dha 1 muaj afat 3 ekspertëve shqiptarë për të nxjerrë ekspertizën, e cila pritet të dalë në 24 tetor.  Ekspertimi do të bëhet në prani të një prokurori, i cili do të jetë vëzhgues gjatë procesit të ekspretimit.

Avokati i Metës, Gëzim Veleshnja, deklaroi për mediat se akuza ka kërkuar që të mos ketë ekspertizë për orën, por theksoi ai "Gjykata vuri në dispozicion të ekspertëve orën". "Në seancën e sotme gjyqësore nga ana e përfaqësuesve të Prokurorisë iu kërkua Gjykatës që ekspertëve të grupit të mos u vihet në dispozicion ora, me të cilën është realizuar përgjimi i videos Meta-Prifti , çka tregon se i gjithë ky proces është i montuar dhe një lojë politike", tha avokati Veleshnja.

Sipas tij, seanca e sotme konfirmon njëkohësisht edhe fakin se prokuroria në mënyrë abuzive ka ndikuar në marrjen e vendimit nga ana e Kuvendit të Shqipërisë për heqjen e imunitetit të z. Ilir Meta, pasi ky organ ka dezinformuar publikun dhe deputetet e Kuvendit të Shqipërisë, kur ka deklaruar se me kerkesën e tyre se disponon filmimin origjinal në provën materiale origjinale orën përgjuese."Mungesa e provës origjinale materiale në vështrim të dispozitave të Kodit të Procedurës Penale po edhe praktikave gjyqësore të vendit tonë dhe vendeve të tjera ndërkombëtare e bëjnë këtë proces të parregullt ligjërisht", vijoi më tej Veleshnja.

Z. Veleshnja theksoi se filmimi, i cili gjendet në objekte të tjera jashtë provës origjinale materiale nuk mund të përdoret me fuqi provuese në një proces të rregullt gjyqesor.

Ora e përgjimit është e vetmja provë që mund të vërtetonte nëse Ilir Meta ishte përfshirë ose jo në ate që Dritan Prifti e denoncoi si skandal korrupsioni. Ekspertiza ndaj saj nxori në shesh edhe faktin që me të qe regjistruar edhe një bisedë e Priftit me ish-zv.Ministrin Leronard Beqiri për një aferë korruptive prej 50 mijë eurosh, e cila më pas në mënyrë amatoreske qe fshirë nga vetë Prifti.

Gjykata rrëzoi sot edhe një kërkesë të prokurorisë, e cila kërkoi përjashtimin nga hetimi i cështjes të tre ekspertëve shqiptarë, ndërsa ka përcaktuar për ta 18 detyra në lidhje me ekspertimin e videos Meta-Prifti. Gjykata cmoi të pabazuar kërkesën e prokurorisë për përjashtimin e tre ekspertëve shqiptarë Ardian Pollo, Artur Rrahmani dhe Ermal Beqirin. Prokuroria pretendoi se tre ekspertët shqiptarë nuk zotërojnë njohuritë e posacme dhe kushtet tekniko-shkencore për të kryer akt ekspertimin. Pas rrëzimit të kësaj kërkese Prokuroria renditi një sërë kërkesash të tjera, për të cilat Gjykata dha aprovimin e saj.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›