E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjyqi i Metës, ja 18 detyrat e ekspertëve

TIRANE- Gjykata e Lartë ka rrëzuar sot një kërkesë të prokurorisë, e cila kërkoi përjashtimin nga hetimi i cështjes të tre ekspertëve shqiptarë, ndërsa ka përcaktuar për ta 18 detyra në lidhje me ekspertimin e videos Meta-Prifti.

Kërkesa u bë gjatë seancës së rradhës që u zhvillua sot në Gjykatën e Lartë në ngarkim të ish-zv kryeministrit Ilir Meta i cili akuzohet për korrupsion pas publikimit të video-skandalit me ish vartësin e tij Dritan Prifti. Gjykata cmoi të pabazuar kërkesën e prokurorisë për përjashtimin e tre ekspertëve shqiptarë Ardian Pollo, Artur Rrahmani dhe Ermal Beqirin.

Prokuroria pretendon se tre ekspertët shqiptarë nuk zotërojnë njohuritë e posacme dhe kushtet tekniko-shkencore për të kryer akt ekspertimin. Pas rrëzimit të kësaj kërkese Prokuroria renditi një sërë kërkesash të tjera, për të cilat Gjykata dha aprovimin e saj.

Prokurorët kërkojnë që ora, kamera ku janë regjistruar videot mos t’u jepet në dorë ekspertëve pasi sipas tyre aty gjendet dhe video Prifti-Beqiri, i cili sipas prokurorëve përbën sekret hetimor dhe s’ka të bëjë me cështjen e Metës.

Prokurorët thonë gjithashtu se ka rrezik që kjo video mund të shpërndahet dhe të bjerë në dorë të Ilir Metës, që mund ta përdorë atë si element për presion. Prokurorët këmbëngulin që e vetmja video që duhet ekspertuar është ajo me USB e dorëzuar në prokurori. Prej saj të hapet vetëm folderi që ka emrin “Dritan Prifti” dhe jo materiale të tjera konfidenciale që mund të gjenden aty dhe që s’kanë të bëjnë me cështjen. Prokurorët kërkojnë që gjatë marrjes në dorëzim të provave materiale të jetë prezent edhe një përfaqësues i prokurorisë.
(m.a/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›