E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbulohet drogë në motor pas përplasjes me autobusin

VLORE – Aksidenti i ndodhur dy ditë më parë në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë, ku një motor me dy të rinj u përplas me autobusin e linjës, çoi policinë në zbulimin e një sasie lënde  narkotike. Drejtuesi i motorit, shtetasi Jurges Shurti nga Lushnja, ka thyer rregullat e qarkullimit rrugor dhe u përplas me mjetin urban duke rrezikuar jo vetëm jetën e tij, por edhe të dhjetëra pasagjerëve që ndodheshin në mjetin e transportit publik. Pasi policia i çoi me urgjencë në spital 19-vjeçarin Shkurti dhe pasagjerin e tij H.Sh, 20 vjeç nga Vlora, sekuestroi motorin tip Suzuki. Gjatë kontrollit që i është bërë motorit, në pjesën e parë të saj është gjetur 20 gr lëndë narkotike e llojit kanabis sativa. Dyshohet se dy të rinjtë kanë shkaktuar aksidentin me autobusin, duke vënë në rrezik jo vetëm jetën e tyre por dhe jetën e pasagjerëve të tjerë, nën efektin e përdorimit të lëndëve narkotike. Pas gjetjes së lëndës narkotike në motorin e 19-vjeçarit Jurges Shkurti, ka filluar procedimi penal ndaj tij në gjendje të lirë, për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike. Nga kontrolli i ushtruar nga punonjësit e policisë së qarkullimit rrugor, në pjesët e dëmtuara të motorit është gjetur një qese plastike, brenda së cilës ndodhej një sasi lënde narkotike e ngjashme me atë të llojit cannabis sattiva prej 20 gramësh, bëri të ditur Policia. Sipas Policisë, ngjarja ndodhi në aksin rrugor Ujë i Ftohtë-Vlorë, kur mjeti motor është përplasur me autobusin urban me targa VL 0037 D.                     q.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›