E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pesë artistë shqiptarë prezantohen në Bienalen e Venecias

Edicioni i 53-të i këtij evenimenti kulturor i çelur në Venecia, vjen me temë Të krijosh botë
Bienalja e Venecia këtë vit vjen me temën Të krijosh botë. Në edicionin e 53-të të këtij evenimenti kulturor, që u çel këto ditë në Venecia të Italisë, artistët shqiptar kanë mundur të ballafaqojnë artin shqiptar me atë të huaj në një eveniment kaq të rëndësishëm të artit, siç është Bienalja. Ky aktivitet i cili u çel në datën 7 qershor, pritet të zgjasë disa muaj. Në këtë eveniment kulturor marrin pjesë artistë nga 80 vende të ndryshme të botës.  Korssing, titullohet projekti i artistëve shqiptar që trajton temën e afrimit nga periferia drejt qendrës, i organizuar nga  ArtKontakt me kurator, Andi Tepelenën. Artistët pjesëmarrës që ekspozojnë punimet e tyre në Bienale janë Robert Aliaj Dragoti, Venera Kastrati, Artan Shabani, Eliza Hoxha dhe Klodian Deda. Pjesëmarrja e Shqipërisë në Bienalen e Artit të Venecias tashmë është kthyer në një traditë, ku arti shqiptar arrin të ballafaqohet me artin e vendeve të tjera, nëpërmjet pjesëmarrjes së artistëve shqiptarë në këtë aktivitet kulturor. Një prezantim ky i munguar ndër vite mes artit tonë dhe atij evropian, pasi Bienalja mund të themi se është një ndër më të rëndësishmet në botë ku dhe pjesëmarrja e artistëve është e larmishme. Në Bienalen e Venecias marrin pjesë rreth 77 vende pjesëmarrëse dhe 38 evente kolaterale, midis të cilëve është dhe ai shqiptar i titulluar "Krossing". Binalja, e cila u çel më 7 qershor në Venecia vlen për të theksuar se këtë vit, ndryshe nga edicionet e tjera, pjesëmarrja shqiptare nuk u mbështet nga shteti shqiptar. Ideatori dhe nismëtari i këtij projektit  Andi Tepelena, pohon se ArtKontakt, ka vendosur që arti shqiptar të mos mungojë në Bienalen e Venecias, e të prezantohet denjësisht nëpërmjet pesë artistëve, të përzgjedhur në këtë edicion si Robert Aliaj Drago, Venera Kastrati, Artan Shabani, Eliza Hoxha, Klodian Deda duke u bërë pjesë e projektit të pavarur Krossing. Por çfarë trajton projekti Krossing? Përtej kufijve midis territoreve gjeografikë, përtej kufijve midis artistit dhe spektatorit. Përgjatë territorit kompleks të qytetit të Venecias, duke ndjekur rrugëtime të pazakonta dhe duke prekur vende që janë në periferi të itinerarëve të zakonshëm urbanë. Një hulumtim i arrirë duke ndjekur një hartë stacionesh arti bashkëkohor, që shkon nga  laguna në qendër të qytetit. Çdo stacion bëhet një pikë takimi i gjallëruar nga projekte origjinale, nga seminaret dhe laboratorët, përvoja artistike që vijnë nga zona me tension shoqëror-politik ose janë në fazë shndërrimi të thellë. Katër stacione arti të lidhura nga një fill kulturor unikal, që përbëjnë një rrjet hapësirash publike domethënëse për vlerat historike, kulturore, natyraliste dhe për të qenit të tyre si dëshmitarë të proceseve aktuale të ndryshueshme në territorin venecian. Pjesëmarrja e artistëve shqiptarë në bienalen më të madhe të artit ka nisur që në vitin 2005, ku Shqipëria u prezantua në mënyrë zyrtare me artistin e njohur kosovar Sislej Xhafa. Një tjetër pjesëmarrje ishte dhe ajo e vitit 2007, e cila vijoi me një sërë kontestimesh dhe debatesh. Pjesëmarrja e artistëve shqiptarë në këtë edicion pritej të realizohej me pjesëmarrjen e Adrian Pacit, Anri Salës dhe Sislej Xhafës, por që u prezantua me Armand Lulaj, Heldi Pema, Alban Hajdinaj, Genti, Helidon Gjergji, Gent Gjokola me kuratoren amerikane Bonnie Clearwater. Por fill pas këtij projekti kuratori Tepelena bën të ditur se një tjetër projekt është në vazhdimësi, Kalaja e Bashtovës, ku me 13-14 qershor kalaja antike e vendosur ne skajin më perëndimor të vendit,  prania e së cilës gati inegzistente pritet të mbledhë rreth saj artistë të ndryshëm nga vendi dhe rajoni. Për 24 orë kjo kala antike do të mund të "rigjallërohet", duke u kthyer në një arenë arti ku artistët do të kombinojnë ndjeshmërinë piktorike me zbulimin e hapësirës në kuptimin psikologjik dhe arkitektonik,  ku pritet të ketë dhe zhanre të tjerë artistike si world music, danc modern etj. Ky është edicioni i tretë i realizuar në Shqipëri. I pari u realizua në Porto Palermo me temë Sapce and History,  ku filozofia e projektit fokusohej ne "çmilitarizimin: e zonës ushtarake të Porto Palermos. Edicioni i dytë, me temë "Nomadizëm në Art" në Lëkurs ku u trajtua tema e hulumtimit të territoreve të reja gjeografike në sensin intelektual. Edicioni i tretë është Momeries and Futures. Filozofia e projektit është referimi te kujtesa historike, aq më shumë që aty fillon rruga e famshme Egnatia një rrugë që përshkon territore shpesh me ngarkesa historike dhe kontradikta ndëretnike dhe dëshira për një të ardhme tjetër e shprehur nëpërmjet vizionit të artistëve pjesëmarrës.
ArtKontakt në fushën e artit
Fillimisht synimi i ArtKontakti-it ishte promovimi i imazhit të artit/kulturës shqiptar në qytetin e Venecias në veçanti nisur nga lidhjet historike midis këtij qyteti dhe brigjeve shqiptare, si dhe nxitjen e shkëmbimit kulturor në rajonin Adriatik/ballkanik kryesisht. Puna më e madhe ishte ngritja e urave të dialogut ndërkulturor dhe përdormi i artit bashkëkohor për valorizimin e siteve me interes kulturor historik në Shqipëri dhe rajonin Adriatik/Jonik dhe më gjerë. Tani ArtKontakt si institucion tashmë, ka hyrë në partneritete dhe programe të rëndësishme rajonale që operojnë në fushën e artit dhe kulturës dhe turizmit kulturor, kjo falë dhe përfshirjes dhe të profesionistëve shqiptar dhe të huaj me përvojë ndërkombëtare në këtë drejtim.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›