E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjyqi me fëmijët e Berishës, Tahiri: Gjykata s'lejoi thirrjen e dëshmitarëve

TIRANË- Deputeti i PS-së Sajmir Tahiri ka akuzuar sot Gjykatën e Tiranës për qëndrim të njëanshëm në lidhje me cështjen, ku Argita dhe Shkëlzen Berisha akuzohen për korrupsion.

“Në një rast paprecedent, në praktikën e gjykatave shqiptare dhe në shkelje të ligjit, gjyqtari mori vendim për të nxjerrë mediat jashtë dhe për të bërë gjyqin me dyer të mbyllura. Dhe vendimi i dytë akoma më absurd, për të hedhur poshtë listën e provave që i kërkova të administrohen gjatë shqyrtimit gjyqësor dhe në këtë seancë gjyqësore, në mënyrë për të më dhënë dhe mua mundësinë të provoj deklaratat e mia, se Argita dhe Shkëlzen Berisha janë të korruptuar bashkë me babain e tyre dhe akoma më absurde, nuk lejoi thirrjen e dëshmitarëve se nuk ka adresat”,- tha Tahiri pas seancës gjyqësore për gazetarët.

Duke kërkuar që në këtë proces gjyqësor “të bëhet drejtësi dhe gjykata të mos bëhet instrument i Berishës”, Tahiri ka denoncuar edhe nxjerrjen jashtë të medias nga seanca gjyqësore.

“Unë kërkova në gjykatë dhe mora kohë që këto prova ti kërkoja vetë dhe institucioneve shqiptare do ja kërkoj zyrtarisht vetë këto prova, duke synuar në këtë proces gjyqësor të bëjë cfarë është e mundur të bëhet drejtësi dhe të mos lejojë në asnjë mënyrë që gjykata të bëhet instrument në dorën e Sali Berishës dhe fëmijëve të tij”,- deklaroi deputeti socialist Sajmir Tahiri.
(el.me/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›