E Diel, 1 Nëntor 2026

Gërdeci, Gjykata Kushtetuese çon për gjykim Fatmir Mediun

Tiranë- Ish- ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu do të gjykohet për tragjedinë e Gërdecit, pasi sot Gjykata Kushtetuese ka rikthyer për gjykim çështjen mes 2 të plagosurve nga shpërthimi dhe ministrit.

Në një njoftim për shtyp, Shoqata e Familjarëve të Gërdecit njofton se Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar vendimin e Gjykatës së lartë dhe ka rikthyer për rishqyrtim çështjen penale R. Durdaj dhe A. Hazizaj kundër Fatmir Mediut.

Gjykata Kushtetuese e ka cilësuar të padrejtë dhe në shkelje të Kushtetutës mënyrën sesi Gjykata e Lartë vendosi të mosfillojë procedimin penal ndaj ish- Ministrit të Mbrojtjes, ku ajo përdori pa të drejtë kompetenca që i takojnë akuzës duke cënuar paanshmërinë e gjykatës, si dhe interesat e ligjshme të të plagosurve- thuhet në deklaratë.

Sipas kësaj shoqate është sqaruar ligji i cili nuk e lejon Gjykatën e Lartë të vendosë nëse e fillon ose jo një procedim penal, por kjo është një e drejtë e akuzuesit.

Një vit pas tragjedisë së Gërdecit ku humbën jetën 26 persona 2 të plagosurit Durdaj dhe Hazizaj, e akuzuan ministrin Mediu për “plagosje të rëndë nga pakujdesia”. Ndërsa në vitin 2010 ishte Gjykata e Lartë ajo që e pushoi këtë çështje.

Pak kohë më parë Gjykata e Tiranës dënoi disa prej të akuzuarve për çështjen Gërdeci, por askush prej tyre nuk u dënua për vrasje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›