Gjyqi, nesër seanca e pajtimit mes Berishës e Dulakut
TIRANE- Gjykata e Lartë ka caktuar 5 shkurtin si datën e seancës pajtimore mes kryeministrit Sali Berisha dhe biznesmenit Artan Dulaku. Pronari i kompanisë së ndërtimit “Edil Al It”, e ka paditur kreun e qeverisë për shpifje, pas akuzave publike që bëri në drejtim të tij, se kishte përvetësuar qindra metra katrorë tokë në zemër të Tiranës. Gjykata supreme ka caktuar seancën e parë pajtimore, që në bazë të ligjit kërkon prezencën e të dyja palëve. Nuk dihet ende nëse kryeministri Berisha do të paraqitet në Gjykatën e Lartë për t’u përballur me biznesmenin Dulaku. Padia e biznesmenit Dulaku do të shqyrtohet nga trupa e gjyqtarëve, Mirela Fana, relatore, Aleksandër Muskaj, Irma Bala, Guxim Zenelaj dhe Evjeni Sinoimeri anëtarë, të cilët janë përzgjedhur nga shorti me gogla. Në seancën e së premtes ka shumë gjasa që pala paditëse të kërkojë prezencën e të paditurit, kryeministrit Sali Berisha. Ky i fundit hodhi një sërë akuzash ndaj Artan Dulakut, duke e quajtur “don Dollaku”.(s.g/BalkanWeb)