Vendimi: Puna ne ditet e festave page 25 % me shume
TIRANE- Nëpunësit e administratës publike, të cilët do të punojnë në ditët e festave zyrtare, do të kompensohen me një pagë shtesë jo më pak se 25 për qind të rrogës. Vendimi është marrë në mbledhjen e djeshme të qeverisë. Referuar pikës 1 dhe 2 të projektligjit të miratuar, i cili shumë shpejt pritet të depozitohet në Kuvend, thuhet se “si rregull, ditët e festave zyrtare janë ditë pushimi. Punëmarrësi gëzon të drejtën e pagës në këto ditë. Kur festa zyrtare bie në ditët e punës dhe me vendim të Këshillit të Ministrave, ose në kontratën kolektive është vendosur të punohet, puna e kryer ditën e festës zyrtare kompensohet me një shtesë page, jo më pak se 25 për qind ose me një pushim të barabartë me kohëzgjatjen e ditës së punës së kryer plus një pushim shtesë, jo më pak se 25 për qind të kohëzgjatjes së kësaj pune, që merret një javë para ose pas kryerjes së saj”. Kurse në pikën 3 dhe të fundit të këtij drafti sanksionohet se “kur festa zyrtare bie në ditët e pushimit javor, dita e hënë është ditë pune dhe puna e kryer kompensohet me një shtesë page prej 25 për qind”. Projektligji i propozuar nga ekzekutivi vjen si amendim i vendimit nr. 511, datë 24.10.2002, të Këshillit të Ministrave, “Për kohëzgjatjen e punës dhe të pushimit në institucionet shtetërore”, të ndryshuar. (GSH/BalkanWeb)