E Diel, 1 Nëntor 2026

Kompensimi i pronarëve në dorë të legalizimeve

TIRANE- Qeveria me anë të një projektligji të veçantë kushtëzon kompensimin financiar të ish-pronarëve, nga pagesa që do të bëjnë banorët që do të legalizojnë truallin e ri të shtëpisë së ndërtuar në rrugë joligjore. Projektligji “Për krijimin e fondit special të kompensimit të pronave”, i miratuar dje në komisionin parlamentar të Ligjeve, parashikon në pikën 2 të nenit 5 të tij se: “Pronarët që kanë fituar të drejtën për shpërblim, në përputhje me ligjin ‘Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje’, të ndryshuar, përfitojnë kompensim nga fondi i kompensimit, në varësi të të ardhurave të arkëtuara nga transferimi i pronësisë së parcelave ndërtimore”. Sipas draftit, qeveria ka përcaktuar një llogari të posaçme bankare, që administrohet nga ana e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Për burimet e fondit të pronave qeveria parashikon pesë të tilla: të ardhurat buxhetore ku përfshihen, të ardhurat nga buxheti faktik i shtetit për kompensimin e subjekteve të shpronësuara, të ardhurat të realizuara nga shitja me ankand e pasurive shtetërore, për të cilat nuk ka vendim të dhënë nga komisionet e kthimit dhe kompensimit të pronave, si dhe të ardhurat e arkëtuara nga transferimi i pronësisë së parcelës ndërtimore.Gazeta Shqiptare shkruan sot, duke iu referuar ketij projektligji, se neni 3 i tij sanksionon konkretisht se “burime të fondit të kompensimit të pronave janë të ardhurat buxhetore ku përfshihen: a) të ardhurat nga buxheti faktik i shtetit për kompensimin e subjekteve të shpronësuara, sipas ligjit ‘Për kthimin dhe kompensimin e pronës’, ndryshuar; b) të ardhurat të realizuara nga shitja me ankand e pasurive shtetërore, për të cilat nuk ka vendim të dhënë nga komisionet e kthimit dhe kompensimit të pronave, në masën 65 për qind e vlerës së shitjes, për objektet, dhe 100 për qind e vlerës së shitjes, për truallin; c) të ardhurat e arkëtuara nga transferimi i pronësisë, së parcelës ndërtimore, sipas ligjit ‘Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje’, të ndryshuar; d) të ardhura të tjera, që sipas ligjeve të veçanta apo akteve nënligjore, kalojnë për llogari të fondit të kompensimit të pronave; të ardhura nga donatorë të ndryshëm”. Në bazë të arkëtimit të të ardhurave, qeveria, me propozim të ministrit të Financave, miraton shumën në dispozicion të pronarëve dhe parashikon shtrirjen kohore të përfitimit të kësaj shume. Fondi nuk digjetP/ligji përcakton se ky fond i akumuluar dhe i papërdorur nuk digjet sipas ligjit për “Buxhetin faktik”, por mbartet për llogari të vitit të ardhshëm. Llogaritë e fondit special të kompensimit të pronave paraqiten në Kuvend së bashku me buxhetin faktik. Konkretisht në pikën 3 dhe 4 të nenit 4 të amendamentit të propozuar nga ekzekutivi thuhet se “pavarësisht rregullit të përcaktuar në nenin 5, të ligjit ‘Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë’, gjendja e mjeteve monetare të papërdorura nga fondi i kompensimit të pronave në fund të vitit buxhetor, në llogarinë e veçantë në Bankën e Shqipërisë, mbartet për llogari të vitit të ardhshëm’. Llogaritë e fondit special të kompensimit të pronave paraqiten në Kuvend së bashku me buxhetin faktik”.(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›