E Diel, 1 Nëntor 2026

Vidhte vakëfet për bukën e gojës, arrestohet

Varfëria ekstreme ka detyruar një 64-vjeçar të vjedhë në mënyrë të përsëritur paratë që hidheshin nga besimtarët në një vakëf të fshatit. Pas një denoncimi të kujdestarit të këtyre vendeve të shenjta në zonën e Arrëzës, policia ka vënë në pranga një 64-vjeçar nga kjo zonë. Ka qenë ora 06.00 e mëngjesit, kur Shyqyri Hysolli është shfaqur sërish për të vjedhur paratë e grumbulluara në arkën e një prej vakëfeve të fshatit, por është kapur në flagrancë me një shumë të vogël parash që po i merrte nga vendi i shenjtë. Policia ka bërë të ditur se ka arrestuar 64-vjeçarin nga Arrëza. Ai ka pranuar për policinë faktin se ka vjedhur në mënyrë të përsëritur, por sipas deklarimeve të tij këtë e ka bërë nga varfëria e tejskajshme dhe nga uria, ndërsa paratë i përdorte për të blerë bukën e përditshme të fëmijëve. Ka qenë denoncimi që ka bërë kujdestari, pasi ishte kthyer në problem për besimtarët e zonës, që ka bërë të mundur edhe kapjen e 64-vjeçarit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›