“Gjyqtarë pa imunitet por me status”
Fatos Mahmutaj
“Imunitet të reduktuar, por pas miratimit të statusit të gjyqtarit”.Ky është qëndrimi i Unionit të Gjyqtarëve Shqiptarë, pohuar dje përmes kryetarit Artur Kalaja, i cili reagoi pas deklaratave të bëra këto ditë në media nga funksionarë të Prokurorisë për heqjen e imunitetit të togave të zeza, me pretendimin se bën pengesë për hetimin e tyre. “Drejtësia në Shqipëri ka mjaft probleme, por sipas meje, një nga më thelbësorët mbetet perceptimi jo i mire që kanë një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve. Për këtë shkak, mendoj se deklarata për heqjen sa më parë të imunitetit të gjyqtarëve pasi po pengon hetimet, më shumë se ndihmon për zgjidhjen e një problemi që vërtet meriton të diskutohet, krijon perceptim të gabuar, që nuk besoj se është as perceptimi i deklaruesve”, pohoi dje Kalaja, i cili vazhdoi më tej se: “Kështu, te qytetari që është mjaft i ngarkuar, me të drejtë do të krijohej ideja se nuk kemi të bëjmë me një pushtet të këtij shteti, madje me një pushtet të rëndësishëm, që për natyrën e punës ka gjithnjë nevojë për përkrahje, por me një grup ekstrakomunitar, në pjesë të konsiderueshme autorë veprash penale, të cilët janë shkaku i vetëm për mosarritjet e këtij vendi”. Duke vazhduar reagimin e tij, Kalaja pohoi më tej: “Mendoni për një moment imazhin e gjyqësorit shqiptar, i sharë nga politika, pa përkrahje e trajtim nga ekzekutivi, i komentuar në shumicën e rasteve negativisht nga media, e për shkak të funksionit, i parë me sy të keq nga gjysma humbëse e qytetarëve që kanë punë me të, e që së fundmi i kërkohet dhe heqje sa më shpejt e imunitetit, pasi nuk po hetohen për veprat e kryera. Nuk besoj se imazhi që krijohet tek unë ka nevojë për komente që të kuptohet. Mendoj se deklaratat publike nuk ndihmojnë në zgjidhjen e problemit”. Duke menduar se problemi po shihet bardh e zi, kreu i UGJSH tha se: “Imuniteti i gjyqtarëve shqiptarë është vendosur njëlloj si dhe gjyqtarëve të të gjithë botës. Nëse sot në vendet më të zhvilluara, parimet evoluojnë dhe gjyqtarëve i’u është reduktuar imuniteti, qoftë për këtë shkak apo referuar realitetit shqiptar, nëse kjo është e nevojshme të bëhet edhe këtu, unë nuk kam asnjë vërejtje”. “Nga ana tjetër, para se të diskutohet reduktimi i imunitetit të gjyqtarëve, duhet menduar t’iu njihet atyre ligjërisht një status që ju garanton të drejtat për shkak të detyrës. Mbrojtja që Kushtetuta u njeh gjyqtarëve nuk duhet të kuptohet si luks për ta, por si një garanci e qytetarëve për të pasur një gjyqësor të paanshëm e të pavarur. Nëse do të mësohemi ta shohim kështu, do të ishte e diskutueshme se për çfarë duhet të vrapojmë më parë: për t’iu hequr imunitetin, apo për t’iu shtuar garancitë!?”, argumentoi Kalaja. Duke analizuar zhvillimet e fundit politike, Kalaja pohoi se përshëndeste deklaratën e Kryeministrit për rritje të pagave të gjyqtarëve, por nuk mund të harronte se po kjo maxhorancë, në bashkëpunim të plotë me po këtë opozitë, vetëm për pak minuta miratuan vjet një ligj me të cilin iu shkurtuan gjyqtarëve rreth 10 ditë nga leja vjetore e pagueshme. Ndërsa vazhdoi, Kalaja pretendoi se jo vetëm kaq, por edhe Kushtetuesja e konsideroi lejen si një të drejtë të fituar të gjyqtarëve dhe që nuk mund të cënohet. “Probleme të tjera më të rëndësishme, më bëjnë të mendoj se problemi i imunitetit është një problem që duhet trajtuar me kujdes. Nuk duhet ta heqim sot për të hetuar ndoshta disa raste, për t’u ngritur nesër e thënë se gjyqtarët janë të pambrojtur dhe nuk po cënohen ata por pavarësia e pushtetit të tyre. UGJSH ka nisur tashmë punën për përgatitjen e një drafti për statusin e gjyqtarit”, përfundoi Kalaja, duke shtuar se pak ditë më parë UGJSH ka marrë pjesë në konferencën e Shoqatës Ndërkombëtare të Gjyqtarëve, ku do të anëtarësohet së shpejti dhe prej nga pritet të tërheqë eksperiencën e mjaftueshme për përgatitjen e draftit të statusit.
Bejleri: Heqja e imunitetit paralelisht me pavarësinë
TIRANE – “Heqja e imunitetit të gjyqtarëve duhet të ecë paralelisht me pavarësinë e gjyqësorit”. Ky ishte pohimi i Manjola Bejlerit, kryetares së Shoqatës së Gjyqtarëve Shqiptarë, e cila pohoi dje në emër të Shoqatës se ishte dakord me mendimin se gjyqësori do të shkojë drejt heqjes së plotë të imunitetit. Sipas saj, imuniteti për gjyqtarët u vu në fillim të viteve ’90, sapo kishin nisur ndryshimet demokratike në vend, dhe se kjo gjë nuk ishte bërë që të krijonte imunitet për gjyqtarin si qytetar, por për gjyqësorin. Bejleri tha se heqja e imunitetit duhet të bëhej e plotë për togat e zeza, por jo e menjëhershme. Sipas saj fillimisht imuniteti duhet të reduktohej shkallë-shkallë, derisa pas pak kohësh të hiqej tërësisht. “Heqja e imunitetit për gjyqtarët duhet të shkojë paralelisht me rritjen e garancive të pavarësisë së gjyqësorit. Nuk mundet që gjyqësorit t’i heqim pavarësinë dhe togave të zeza t’iu heqim imunitetin. Nuk mund të hiqen të dyja njëkohësisht”, - tha kryetarja e SHGJSH, e cila pohoi më tej se: “Aktualisht jemi në një moment reformimi të sistemit dhe pushtetit gjyqësor. Kjo me synimin e plotësimeve të standardeve që do të na çojnë drejt Bashkimit Evropian. Vetëm në momentin që janë kapur këto standardet si dhe janë realizuar qëllimet, atëherë duhet të hiqet imuniteti për gjykatësit”. Duke vazhduar në këtë linjë, Bejleri pohoi se vende të ndryshme evropiane që kemi marrë si modele, momentalisht janë në këtë pozicione dhe këtë nivel. Sipas saj, janë pikërisht këto vende që kanë arritur standarde të larta dhe për pasojë në to gjykatësit nuk gëzojnë imunitet. Duke analizuar situatën në vend, Bejleri pohoi se momentalisht nuk është domosdoshmëri e madhe heqja e imunitetit të gjykatësve, me pretendimin se mund të jetë hasur ndonjë pengesë në lidhje me këtë çështje. Kryetarja e SHGJSH pohoi se në të gjitha rastet kur Prokuroria ka kërkuar heqjen e imunitetit, Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka vendosur, sipas ligjeve, brenda 48 orësh në favor të organit të akuzës, duke mos penguar aspak hetimin. “Gjërat lindin nga nevoja. Nuk e di ku qëndron nevoja e prokurorisë që kërkon me ngutje, heqjen e imunitetit të gjykatësve”, -përfundoi kryetarja e Shoqatës së Gjyqtarëve Shqiptare Manjola Bejleri. fa.ma.
Rama: Imuniteti pengon hetimin e gjyqtarëve
TIRANE – Pak ditë më parë Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama bëri apel në një konferencë ndërkombëtare për drejtësinë, duke thënë se organi i akuzës ndodhet përballë vështirësish në hetimin e gjyqtarëve për veprat penale që lidhen me korrupsionin. Sipas kryeprokurores, ndërkohë që prokurorët tashmë nuk kanë asnjë imunitet, organi i akuzës duhet të kërkojë autorizim paraprak në KLD dhe në gjykata për hetimin e gjyqtarëve, çka vë në rrezik sekretin e hetimit. Prokurorja e Përgjithshme tha se nuk mund të hetosh apo të përgjosh një gjyqtar për korrupsion në momentin që ai e di se po hetohet. Më tej Kryeprokurorja bëri thirrje për një reformë në këtë drejtim, në mënyrë që hetimet ndaj gjyqtarëve të denoncuar për korrupsion të jenë efektive.