Grabiste dyqanet në Tepelenë, zbulohet e kapet 19-vjeçari
TEPELENE - Vihet në pranga një grabitës dyqanesh në Tepelenë. Dorijan Zhupa, 19 vjeç është arrestuar në orët e para të mëngjesit të së dielës pasi policia ka vërtetuar se ai është autor i disa vjedhjeve të ndodhura ditët e fundit në këtë qytet. Burimet zyrtare kanë bërë të ditur për gazetën “Panorama” se arrestimi në flagrancë ka ardhur fill pas një grabitjeje me thyerje të kryer disa minuta më parë. Specialistët e Parandalimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Tepelenë e kanë arrestuar Zhupën, pasi dispononin prova të plota dhe informacione të marra nga terreni, se ai është autor i një serie vjedhjesh të kryera në këtë qytet. Zhupa është kapur duke grabitur një minimarket në pronësi të shtetasit F.C. në lagjen “Selam Musai”. Nga veprimet e mëtejshme hetimore bazuar edhe në informacionet e marra më parë në rrugë operative, policia e Tepelenës ka arritur të zbulojë edhe aktivitetin e kryer nga Zhupa ditët e fundit ku vetë ai rezulton të jetë autor i disa vjedhjeve të kryera kryesisht në njësi të ndryshme tregtimi. Akti i fundit i realizuar nga Zhupa ka qenë rreth orës 23:00 të së shtunës, ku ka vjedhur me thyerje në lagjen “Tre Heronjtë” në qytetin e Tepelenës, lokalin e shtetasit F.D., në të cilin ka marrë një shumë prej 50 mijë lekësh së bashku me disa paketa cigaresh si dhe pije alkoolike me vlerë 60 mijë lekë. Tre ditë më parë i riu ka vjedhur me thyerje në po të njëjtën lagje lokalin e një shtetasi në të cilën ka grabitur para e paketa cigaresh. Ciklin e serisë së grabitjeve për muajin e kaluar, Zhupa e pat filluar më 17 tetor ku ka arritur të kryejë një grabitje në qendër të qytetit të Tepelenës në lokalin e shtetasit SH.A. Shuma prej 80 mijë lekësh ka qenë gjithçka që ka marrë nga lokali i ndodhur në pjesën më të dukshme të qytetit. p.n