E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bill Klinton përuron statujën mes brohoritjeve

 

Kosova ka pritur dje heroin e saj, Bill Klintonin, Presidentin e 42-të të Shteteve të Bashkuara, i cili mundësoi frenimin e spastrimit etnik nga serbët. Mijëra kosovarë ishin mbledhur dje në Prishtinë, duke sfiduar temperaturat e ulëta dhe erën e ftohtë, për të mirëpritur ish Presidentin Klinton, i cili inauguroi statujën e tij 3.5 metra të lartë, të vendosur në bulevardin qendror të kryeqytetit kosovar, që gjithashtu mban emrin e tij prej dhjetë vitesh. Kjo ishte vizita e parë e Klintonit në Kosovë, që kur vendi shpalli Pavarësinë nga Serbia vitin e kaluar. Me mijëra ishin njerëzit që kishin dalë në shesh për të pritur ish presidentin. Bulevardi ishte mbushur plot që në orët e para të mëngjesit. Ata valëvitnin flamuj amerikanë, shqiptarë dhe kosovarë dhe thërrisnin “SHBA!”. Sapo mbërriti, Presidenti Klinton zhvilloi një takim të shkurtër me liderët e Kosovës dhe më pas u drejtua nga podiumi i sheshit, i cili po ashtu mbante foton e tij me sloganin “Kosova nderon një hero!”. Turma brohoriste emrin e Bill Klintonit kur ai ecte nëpër bulevard për t’i përshëndetur ata, duke shtrënguar duart e shumë prej tyre. Qindra kishin dalë nëpër ballkone e dritare për të parë më mirë nga lart festën e përgatitur për heroin e tyre. Shumë njerëz mbanin në duar portrete të ish-presidentit amerikan. Mesazhi kryesor nga organizatorët, “Miqtë e Amerikës, miqtë e Bill Klintonit”, ishte se “Kosova nuk ka harruar gjithë ato që Presidenti Klinton ka bërë”. Duartrokitjet e forta mbytën çdo zhurmë tjetër, ndërkohë që Bill Klinton hoqi mbulesën e kuqe të statujës së derdhur në bronz, që ishte vendosur në shesh prej disa javësh, pa u inauguruar, në pritje të mbërritjes së ish-Presidentit Klinton. Statuja ishte e vendosur në një bazament të bardhë, në mes të një sheshi të vogël katror në lagjen “Dardania”, të rrethuar nga ndërtesa të epokës komuniste. Shtatorja ka një bazament prej tre metra të lartë, është e gjatë 3 metra, pra lartësia e saj është 6 metra dhe peshon 900 kilogramë. “Nuk kam pritur kurrë që dikush të bëjë një statujë kaq të madhe për mua”, tha Klinton. Fjalimi i Klintonit u ndërpre disa herë nga turma që brohoriste emrin e tij dhe valëviste flamujt. Statuja portretizon Bill Klintonin me krahun e tij të majtë lart, duke mbajtur një pllakë ku ishte gdhendur emri i tij dhe data kur NATO filloi bombardimet kundër ish-Jugosllavisë, më 24 mars 1999. Pas zbulimit të shtatores, Bill Klintoni edhe njëherë ka falënderuar udhëheqësit e vendit dhe popullin e Kosovës, duke thënë se ai ndihet i privilegjuar që atij i është ndërtuar një shtatore sa ishte gjallë. Një tortë gjigande me flamurin e Kosovës dhe fotografinë e Bill Klintonit në mes të hartës ishte vendosur në një pjesë të sheshit “Bill Klinton”. Në ceremoninë e inaugurimit të shtatores së ish Presidentit amerikan morën pjesë Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe Kryeministri Hashim Thaçi, të cilët kanë thënë se ngritja e kësaj shtatoreje është bërë për të përkujtuar kontributin që ish Presidenti Klinton ka dhënë për lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës dhe miqësinë e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Krasniqi: Ju i dhatë vulën e përjetësisë miqësisë sonë  
Kuvendi i Republikës së Kosovës mbajti dje një seancë solemne në nder të ish-Presidentit Bill Klinton. Miku i madh i Kosovës, Klinton, mbajti një fjalim para Kuvendit. I pritur me duartrokitje të gjata në sallën e Kuvendit, ish-presidenti amerikan dëgjonte të gjithë ligjvënësit ndërsa e cilësonin vizitën e tij historike për vendin dhe kontributin e tij të jashtëzakonshëm për lirinë e Kosovës, demokracinë, paqen dhe stabilitetin në rajon. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka theksuar në fillim se ishin pikërisht Shtetet e Bashkuara dhe miqtë e tyre që ndërprenë një spastrim etnik dhe një katastrofë në Kosovë. Ai iu drejtua ish presidentin me vlerësimin më të lartë: Ju keni dhënë vulën e përjetësisë për miqësinë. “Kosova e lirë, e pavarur dhe demokratike, ju pret sot si birin e vet, i cili kontribuoi aq shumë që populli i saj i shumëvuajtur të jetë përgjithmonë zot i fatit të vet. Ju zoti President, i keni dhënë vulën e përjetësisë, miqësisë së vjetër dhe besnike midis dy vendeve dhe popujve tanë”, ka thënë Krasniqi.

Skulptori: Vështirë të skalitet një njeri kaq i madh
Autori i skulpturës, një mjeshtër i njohur në Kosovë për punën e tij, Izeir Mustafa, tha dje se është vështirë të punohet një skulpturë e mirë për një njeri aq të madh siç është Klinton. Ai ishte i pranishëm në ceremoninë e inaugurimit dhe iu drejtua me pak fjalë ish Presidentit amerikan që i mundësoi lirinë Kosovës. “Zoti President, ju falënderoj për të gjithë atë që keni bërë për popullin e Kosovës. Jam munduar ta skulpturoj sa më mirë këtë shtatore që ju kushtohet. Unë jam i bindur se nuk kam arritur të bëj aq sa duhet, sepse është shumë e vështirë të skalitet një njeri i madh si ju. Megjithatë ju falënderoj për ardhjen tuaj dhe jetofshi shumë gjatë”, tha skulptori Mustafa.

Thaçi: Bill Klintoni,lider i botës së lirë  

Përurimi i shtatores së Bill Klintonit u bë nën kujdesin e Kryeministrit Hashim Thaçi. “I nderuari President Klinton, si lider i botës së lirë, ju ishit prijësi i botës demokratike për lirinë, paqen dhe demokracinë në Kosovë. Ju bashkuat forcën demokratike për Kosovën e lirë. Kosova dhe SHBA-të janë dhe do të mbeten miq të përhershëm”, tha Kryeministri Thaçi gjatë takimit me Klintonin, ndërsa shtoi se shtatorja e tij është shtatore që i përket të gjithë qytetarëve të Kosovës sepse “ju jeni hero i popullit të vendit tim”. “Shtatorja do të shërbejë si simbol për triumfin e lirisë, për triumfin e paqes, triumfin e humanizmit në Kosovë dhe botë. I nderuar President Klinton, ne kujtojmë angazhimin tuaj në kohën e luftës sonë për liri, në kohën kur refugjatët tanë, qytetarët tanë, ishin të dëbuar dhunshëm nga shtëpitë e tyre, jetonin në kushte të vështira. Ju i nderuari Presidenti Klinton bashkuat botën demokratike për lirinë e Kosovës. Faleminderit shumë”, tha Kryeministri Hashim Thaçi.

Sejdiu: Besim tek ju për betejën e zhvillimit  

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka falënderuar ish-Presidentin amerikan Klinton, që i doli zot Kosovës në ditët më të vështira të saj. “Në ditët më të vështira për Kosovën dhe popullin e saj, të rrezikuar nga zhbërja totale fizike, ju dolët në ballë të vendeve demokratike dhe liridashëse të botës që e ndaluan makinerinë, paramilitare, ushtarake dhe policore të Millosheviçit, e cila po i dëbonte qytetarët e Kosovës nga shtëpitë e veta dhe dëshironte t’i vriste të gjithë”, tha Sejdiu. Ai i atribuoi meritën e veçantë Bill Klintonit dhe Shteteve të Bashkuara për lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës. Ai ka premtuar përkushtimin për integrimin e Kosovës në BE dhe NATO. “Misioni ynë është Kosova e integruar në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në misione të tjera ndërkombëtare. Ne jemi të bindur se përkrahja juaj për të arritur këtë qëllim nuk do të mungojë asnjëherë, sikurse nuk na ka munguar shumë deri më tani, as në kohën e lëvizjeve të mëdha për liri, demokraci e pavarësisë, së cilës i printe presidenti historik i Kosovës dr. Ibrahim Rugova, as në kohën e luftës çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe as tani në betejën e madhe të zhvillimit të Kosovës pavarur, sovrane dhe demokratike”, tha Sejdiu.

Klinton: Jam krenar për ju, Kosova është shembull

“Duhet të jeni krenar për arritjet tuaja, Kosova është shembull”, ky ishte thelbi i mesazhit që përcolli në Prishtinë ish-presidenti amerikan, Bill Klinton.

 “Duhet të jeni krenar për atë që keni arritur gjatë 10 viteve të kaluara. Unë i thashë Presidentit Sejdiu, dhe mikut tim të vjetër Kryeministrit Thaçi, se e keni bërë shumë më mirë punën, më mirë sesa kanë menduar të tjerët, madje shumë më mirë sesa kanë menduar të tjerët, madje edhe miqtë tuaj. Duhet të jeni krenar për këtë. Keni konsoliduar institucionet demokratike, keni nxitur mediat e lira, keni krijuar shoqërinë civile, partitë e mëdha punojnë së bashku. Keni shpallur Pavarësinë, 62 vende kanë njohur Pavarësinë tuaj, dhe ju thatë se dëshironi t’i bashkoheni bashkësisë ndërkombëtare. Jeni pjesë e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar dhe besoj se së shpejti do të jeni pjesë e Bashkimit Evropian, NATO-s dhe institucioneve tjera”, tha Klinton para ligjvënësve të Kosovës.
Ai bëri thirrje për të harruar të kaluarën dhe për të mos menduar për të, duke ftuar kosovarët për integrim të mëtejshëm të serbëve dhe grupeve të tjera pakicë. Ish-presidenti amerikan, Klinton ka përcjellë në Kosovë mesazhe nga Shtëpia e Bardhë që premtojnë ndihmën e mëtejshme të shteteve të bashkuara për zhvillimin e Kosovës. “Dua t’ju siguroj se edhe administrata e tanishme në krye me Presidentin Obama dhe sekretaren Hilari Klinton, do ju ndihmojnë për të ndërtuar të ardhmen”, tha ai duke sqaruar se “kur u nisa për në Kosovë bisedova në telefon me Hilarin dhe, edhe ajo u dërgoi të fala nga ana e saj, pasi ndodhet në Lindjen e Mesme në përpjekje që të arrihet paqja. Nënpresidenti Xho Bajden, por edhe të tjerët, kanë treguar përkushtimin e tyre që t’ju ndihmojnë”, tha Klinton, i cili kujtoi edhe takimet me ish-presidentin Rugova dhe ndihmën të cilën ia kërkoi ai për popullin e Kosovës. “Para 10 vjetëve ne ndaluam diçka të tmerrshme që po ju ndodhte. Ajo që ju bëtë në 10 vjetët e kaluar ishte diçka e mirë, një vend të lirë dhe të pavarur, një vend shumetnik, ku respektohen të drejtat e të gjithëve. Ju duhet të ndërtoni gjëra të mira dhe ne duhet t’ju ndihmojmë”, tha Klinton. Ish-presidenti ka rikujtuar edhe ata të cilët pas luftës së Kosovës kontribuan në ndërtimin e shtetit të Kosovës. Ai ka falënderuar NATO-n, ish-sekretaren e shtetit, Madlin Ollbrajt, Uezli Klark, ish-presidentin Xhorxh Bush dhe ish-sekretaren Kondoliza Rajs për kontributin e dhënë. Siguria në Kosovë ishte në maksimum. Trafiku në disa rrugë u bllokua dhe mijëra forca të rendit ishin në gatishmëri për vizitën historike.

Lidhja me Kosovën
Bill Klinton njihet në mesin e shqiptarëve të Kosovës si njeriu që ndihmoi në lirinë e vendit. Ai ishte President i SHBA-së në vitin 1999, kur u mor vendimi për fillimin e fushatës ajrore të NATO-s mbi objektivat serbe. Pas 78 ditësh të fushatës ajrore, forcat serbe të sigurimit u larguan nga Kosova dhe afro 1 milionë shqiptarë të Kosovës të dëbuar, u kthyen në shtëpitë e tyre. Bill Klinton ka qëndruar në Kosovë, pak muaj pas përfundimit të luftës, në vitin 1999, kur u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës që të tejkalojnë dallimet mes tyre dhe të punojnë në ndërtimin e vendit. Në vitin 2003, ai mori pjesë në një ceremoni të ndarjes së titullit Doktor Honoris Causa, me të cilin e nderoi Universiteti i Prishtinës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›