Xhindi, 300 vetë protestë për gjetjen e ekzekutorëve
ROSKOVEC/ MAJLINDA RAMA
“Kush e vrau deputetin?”. Me këtë pyetje drejtuar shtetit ka zbritur dje në shesh i gjithë Roskoveci pas 6 muajsh nga krimi i pazbardhur. Në kërkim të drejtësisë mbi zbardhjen e vrasjes së deputetit Xhindi dhjetëra banorë kanë protestuar në sheshin qendror të qytetit të Roskovecit për t’i kushtuar më shumë se dy orë vëmendje çështjes së birit të tyre, deputetit Fatmir Xhindi.
E para e këtij lloji, kjo thirrje mblodhi shumë familjarë të së ndjerit, shumë bashkëqytetarë të tij, si dhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme pa dallim feje dhe bindje partiake. Të gjithë së bashku, mbi 300 qytetarë firmosën edhe një peticion për krerët e lartë shtetërorë. “Kërkojmë zbardhjen e vrasjes së birit tonë, të deputetit tonë të dashur. Ai nuk i humbi vetëm familjes Xhindi, por të gjithëve ne që e rritëm në gjirin tonë. Kërkojmë që organet e drejtësisë të zbardhin këtë vrasje, e cila nuk është si të tjerat. Të gjithë duhet të tregojmë se tek ne ka shtet dhe funksionojnë ligjet. Nuk dimë përse shteti e ka lënë pas dore, nuk dimë ku çalojnë punët, nuk dimë nëse e kanë të pamundur apo nuk duan që të gjejnë vrasësin e djalit tonë të përbashkët”, deklaroi Faruk Bane, një prej banorëve. Ndërkohë, të shumë kanë qenë ata që kanë hedhur akuza kundrejt shtetit duke vënë në dyshim pikërisht drejtësinë. “Kur do të na tregojë ky shtet se ne jemi të sigurtë? Ku mund ta gjejmë ne këtë siguri? Fatmirin nuk do ta tresë dheu pa u gjetur autori, por as ne nuk do të na zërë gjumi rehat pa gjetur emrin e vrasësit. Prandaj jemi mbledhur këtu që t’i japim fund njëherë e mirë kësaj neglizhence shtetërore. Nëpërmjet këtij peticioni kërkojmë me ngulm zbardhjen sa më shpejt të ngjarjes, në të kundërt do të përshkallëzojmë protestat tona popullore jo vetëm në kërkim të zbardhjes së vrasjes së Xhindit, por edhe në kërkim të sigurisë së jetës”, ka vijuar Malo Kerraci, një tjetër banor protestues. Në protestë merrte pjesë edhe djali i të ndjerit Xhindi, kandidat për deputet në zgjedhjet e qershorit, Anduel Xhindi. Ai deklaroi se ka ardhur koha që e drejta të triumfojë. “Ka ardhur koha që t’i thuhet stop kësaj indiference shtetërore. Ky nuk është vetëm problem imi apo i një rrethi familjar, por siç shihet kjo çështje është e të gjithëve, u përket të gjithëve, gjithë komunitetit, jo vetëm në Roskovec. Nuk e dimë nëse kjo indiferencë është me dashje apo me paaftësi që e la të kyçur atë krim në errësirë natën e 2 majit. Përsa kohë ky krim do të mbetet i pazbardhur ai nuk do të jetë vetëm peng i madh yni, por do të mbajë të dëmtuar moralisht shoqërinë tonë. Do të ngarkojë me përgjegjësi politikën shqiptare. Do të mbetet një akuzë e hapur për shtetin dhe pushtetarët aktualë shqiptarë. U bëjmë thirrje publike institucioneve më të larta shqiptare, prokurores së përgjithshme Ina Rama, Kryeministrit Sali Berisha, Presidentit të Republikës Bamir Topi të ushtrojnë përgjegjësi dhe të veprojnë maksimalisht në funksion të zbardhjes së kësaj ngjarjeje. Shteti shqiptar duhet të bëjë të gjitha përpjekjet për të gjetur vrasësin duke angazhuar edhe ekspertët ndërkombëtarë”, ka vijuar në fjalën e tij djali i deputetit, Anduel Xhindi. Ndërkohë, Xhindi i ri ka falënderuar përzemërsisht të gjithë komunitetin e Roskovecit për këtë iniciativë të ndërmarrë. Protesta e djeshme u mbështet edhe nga deputetë të Partisë Socialiste, të cilët morën pjesë në këtë tubim.