E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shembja e Piramidës, Kuvendi e miraton brenda tre javësh

TIRANË- Partia Demokratike pritet të përfshihet në një tjetër debat, po aq të fortë sa beteja për Tiranën; prishja e Piramidës. Në mungesë të deputetëve të opozitës, të cilët ende nuk kanë marrë vendim për tu bërë pjesë e Kuvendit, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka mbledhur dje në mëngjes Konferencën e Kryetarëve për të diskutuar mbi kalendarin tre javor të punimeve të Kuvendit, përmbajtja e të cilit u miratua po aq shpejt dhe pa asnjë kundërshtim edhe në seancën plenare. Kalendari tre javor i hap dritën jeshile edhe shqyrtimit të projektligjit “Për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar” në Komisionin e Ligjeve, por edhe në atë të Veprimtarisë Prodhuese. Edhe pse Gjykata Kushtetuese nuk ka marrë ende një vendim përfundimtar për këtë çështje, projektligji ka hyrë në procedurë legjislative. Diskutimi i kësaj nisme në komisione, dhe më pas në seancë plenare, në fakt prej katër muajsh ka mbetur peng i Ministrisë së Financave, e cila duhet të vlerësonte edhe procedurën e kostos financiare të ndërtimit të parlamentit të ri, aty ku është sot Piramida. Edhe pse nuk bëhet publike, duket se kostoja financiare është përllogaritur, sa kohë që Kuvendi ka dërguar negociatorët e saj në Arabinë Saudite, për të marrë edhe këstin e parë. Sherefedin Shehu, deputet i PD-së, që po negocion në emër të Kuvendit, deklaroi dy ditë më parë se pala e Arabisë Saudite ka shprehur parimisht angazhimin për të financuar projektin e ndërtimit të Kuvendit të ri. Madje Shehu shkoi dje duke shprehur besimin se votimi i draftit do të bëhej brenda këtij sesioni parlamentar. Megjithatë, deri më tani, në zyrat e Kuvendit nuk është depozituar asnjë kopje përfundimtare e këtij projektligji, ndërkohë që pak kohë më parë u zbuluan edhe disa detaje të saj. Projektligji mësohet se përbëhet nga 30 nene dhe se në të parashikohen të gjitha fazat, që duhet të përshkojë procesi i ndërtimit të këtij kompleksi. Sipas projektligjit, Kuvendi merr të gjitha përgjegjësitë për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar, ndërsa godina përkatëse duhet të jetë gati brenda datës 28 nëntor 2012, përkatësisht me festimet e 100-vjetorit të pavarësisë së vendit. Vetëm 10 ditë pasi ligji të hyjë në fuqi, Kuvendi do të marrë në pronësi Piramidën. Më pas Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit do të marrë në dorëzim punën, së bashku me një Komision Shtetëror, i cili do të mbikëqyrë procedurat. Në projektligj thuhet gjithashtu se çdo institucion tjetër është i detyruar të veprojë sipas kërkesave të Kuvendit. Debati për Piramidën po vijon paralelisht edhe në Gjykatën Kushtetuese. Duke e ankimuar në Kushtetuese, Bashkia e Tiranës ka argumentuar se vendimmarrja e Kuvendit, për prishjen e Piramidës dhe ndërtimin aty të kompleksit të ri parlamentar, është e paligjshme, pasi plani rregullues i Tiranës nuk e parashikon një gjë të tillë. Sipas Bashkisë, Piramida bën pjesë në ansamblin e objekteve të Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe për rrjedhojë nuk mund të prishet. Ndërsa Kuvendi ka argumentuar se Bashkia e Tiranës nuk mund të godasë një çështje që nuk ekziston, pasi të gjitha pretendimet e ngritura në këtë padi, kanë si bazë një projektligj që disa deputetë kanë paraqitur për këtë çështje, që nuk është bërë ende ligj. Megjithatë, kjo nuk e pengoi aspak Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli që, bazuar vetëm në një vendim dhe jo ligj, të shpallte studion fituese të projektit të kompleksit të ri parlamentar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›