E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjyqtarët: Ligji i ri prek statusin tonë

Gjyqtarët reagojnë për cenimin e statusit të tyre dhe i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për mosprekjen e së drejtës për pushimin vjetor, që me bujari ishte përcaktuar në ligjin e mëparshëm, atë të vitit 1998, "Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Shqipëri".

"Gjyqtari përfiton leje të pagueshme vjetore prej 30 ditësh kalendarike. Leja vjetore bëhet në muajin gusht". Kjo pjesë e nenit 24 të ligjit që ka hyrë në fuqi më 18 shkurt të këtij viti nuk ka gjetur mbështetje te gjyqtarët, të cilët shohin në të cenimin e drejtpërdrejtë të nenit 138 të Kushtetutës së Shqipërisë, që përcakton qartë se paga dhe përfitimet e tjera të gjyqtarëve nuk mund të ulen. Kërkesa e gjyqtarëve për shfuqizim të vetëm njërit prej neneve të ligjit "Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Shqipëri" ka mbërritur pranë Gjykatës Kushtetuese. Bordi drejtues i Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë ka kërkuar shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e vendit të një pjese të nenit 24 të Ligjit 9877. Ligji i ri "Për organizimin gjyqësor" në këtë nen shmang ekuivoket ligjore mbi kuptimin që neni 39 i ligjit të mëparshëm 8436, të datës 28 dhjetor 1998 kishte. Në të thuhej se "gjyqtarët përfitojnë leje të pagueshme vjetore prej 30 ditësh. Leja vjetore bëhet në muajt korrik dhe gusht". Përcaktimi i ditëve të pushimit si ditë kalendarike u heq gjyqtarëve 12 ditë nga pushimi vjetor i zbatuar gjatë dekadës së fundit, pasi 30 ditët e përcaktuara në ligjin e mëparshëm janë njohur si ditë pune, pa ditët e fundjavës.

Në kërkesën e firmosur nga kryetari i bordit Artur Kalaja, sqarohet: "Që nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të gjithë gjyqtarët e Shkallës së Parë, gjyqtarët e Gjykatës së Apelit dhe gjyqtarët e Gjykatës së Lartë në Republikën e Shqipërisë kanë përfituar në fakt 42 ditë leje të pagueshme vjetore. Ky përfitim rezulton i dokumentuar në mënyrë shkresore nga të gjitha listë- pagesat e mbajtura në gjykatat në Republikën e Shqipërisë". Ndërkohë, rregullimi i ri ligjor e kufizon gjyqtarin në kohën e kryerjes së lejes, vetëm në gusht, si dhe ul ndjeshëm ditët e pushimit. Kështu, me këtë rregullim të ri të sanksionuar nga ligjvënësi, leja vjetore e gjyqtarëve zvogëlohet nga 42 ditë në 30 ditë.

Duke cituar nenin 138 të Kushtetutës, Unioni shprehet se Kushtetuta nuk i ka lënë ndonjë hapësirë ligjvënësit, që në kuptim të rregullimit të statusit të gjyqtarëve, të bëjë rregullime ligjore, që mund të cenojnë sado pak ato të drejta dhe përfitime që tashmë janë gëzuar dhe përfituar nga gjyqtarët. Ndryshimi i bërë konceptohet si një shkelje që i bëhet një parimi garantues të pavarësisë dhe paanësisë së funksionit të gjyqtarit. Paga dhe përfitimet e tij janë në funksion të statusit të gjyqtarit, i cili duhet të ketë përfitim dhe shpërblim të plotë për të siguruar një pavarësi ekonomike.

Pushimet e pagueshme vjetore, sipas Unionit të Gjyqtarëve, nuk duhet të jepen si mjete për të përfituar gjyqtari, por duhen cilësuar si elemente të qenësishme që ndikojnë drejtpërdrejtë në pavarësinë dhe paanësinë e tij gjatë ushtrimit të aktivitetit të tij. Në kërkesë, Unioni citon edhe pjesë nga parimet themelore mbi pavarësinë e pushtetit gjyqësor, miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara me anë të Rezolutës 40/32, datë 13 dhjetor 1985, si dhe nenin 13 të Kartës Universale të Gjyqtarëve, miratuar më datë 17 nëntor 1999, ku theksohet pavarësia e pushtetit gjyqësor që duhet të garantohet nga shteti dhe të sanksionohet në Kushtetutë, ose në ligjin e vendit, si dhe rëndësia e shpërblimeve për të siguruar një pavarësi të vërtetë ekonomike.

Në formulimin e kërkesës së tyre, duke e parë jo thjesht si reduktim të disa ditë leje vjetore për gjyqtarët shqiptarë, por si cenim të standardeve dhe garancive që Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë i ka vendosur në funksion të mbrojtjes së standardeve kushtetuese për pavarësinë dhe paanësinë e pushtetit gjyqësor, gjyqtarët e Unionit kanë kërkuar nga Gjykata Kushtetuese të vendosë shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të nenit 24, paragrafi II i Ligjit Nr. 9877, datë 18.02.2008 "Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë" dhe pezullimin e zbatimit të këtij neni deri në dhënien dhe hyrjen në fuqi të vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›