E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Dilemat e mbijetesës së Maqedonisë"

"Ne do të punojmë për Korridorin tetë. Por na njihni me emrin kushtetues. Si do të ndiheni ju nëse do t‘ju quanim "ish- territori i pushtuar italian"?

"Maqedonia kaloi ditët e fundit një sfidë të vështirë si zgjedhjet. Për fat të keq, shqiptarët që banojnë atje ofruan lajmin e keq që zuri vend në mediat e botës: shqiptarët i nxinë faqen Maqedonisë".

Jemi mësuar të dëgjojmë shqiptarë që flasin rreth shqiptarëve. Por tani, rreth tyre flet Kryeministri i Maqedonisë, Nikola Gruevski, i cili ofron pikëpamjet e tij për dilemat e mbijetesës së Maqedonisë, ku shqiptarët kanë një rol të rëndësishëm. Gruevski flet në një intervistë ekskluzive për "Top Show", realizuar nga kryeredaktori i emisionit, Mentor Nazarko.

INCIDENTET? A U DEMTUA IMAZHI I SHQIPTAREVE SI KOMB

Ju kishit një shumicë të arsyeshme dhe papritmas vendosët të shkonit në zgjedhje. Ishte një manovër për të siguruar mandat të ri dhe për t‘u përballur me sfidat e reja me një mandat më të fortë, kur sondazhet flisnin për një rritje tuajën elektorale?

Së pari, më duhet të shpjegoj pse ne vendosëm të shkonim në zgjedhje të parakohshme. Teknikisht ishte një parti e opozitës, parti shqiptare, ajo që paraqiti kërkesën për zgjedhje të parakohshme, por ama ishim ne që vendosëm. Kishim kohë që po e mendonim një gjë të tillë. Mandati që morëm dy vjet më parë nuk ishte i mjaftueshëm për të bërë reforma. Opozita që kishim na pengonte dhe na vononte shumë, veçanërisht në Parlament, nëpërmjet trukeve procedurale.

Imagjinoni kur ke një shumicë të ngushtë dhe disa deputetë duhet të marrin pjesë në angazhime ndërkombëtare, atëherë ti ke vështirësi për të ruajtur shumicën. U kam kërkuar rregullisht atyre të shmangnin disa prej këtyre detyrimeve, megjithëse jo gjithmonë kjo ishte e drejtë. Duhet të kesh përfaqësues atje ku merren vendime të rëndësishme për vendin tënd. E kam mbajtur të karikuar shumicën, por ishte shumë e vështirë. Tentova atëherë të ndryshoj rregulloren e Parlamentit, pasi për çdo reformë, çdo ligj të lidhur me to, opozita kishte të drejtë të bënte amendamente, ti duhet t‘i diskutoje, dhe e gjitha kjo të çonte pafundësisht në humbje kohe. E dini ç‘ndodhi me rregulloren e re të propozuar? Hodhën qindra amendamente, ndoshta një mijë dhe ishte e pamundur ta miratoje.

Kështu ne vendosëm ta pranonim kërkesën për zgjedhje të parakohshme dhe ja ku jemi sot këtu. Po ju sjell dhe një shembull të fundit. Vendimi i fundit që donim të miratonim lidhej me hapjen e 25 fakulteteve dhe një universiteti të ri. Dhe seanca nuk mund të niste për tri ditë me radhë. Ishte menjëherë pas Bukureshtit. Thashë atëherë, se nëse këta na bllokojnë për universitete dhe fakultete - kishte dhe disa në hapësirën shqiptare - atëherë ç‘mund të na lejojnë? U derdh kupa. BDI solli iniciativën dhe ne vendosëm të shkonim në zgjedhje, të dënonim këto politika të opozitës dhe të fitonim një numër më të madh deputetësh. Të shtyjmë planet tona me forcë përpara. Nëse nuk do të zbatojmë planet tona, kjo do të ishte përgjegjësi: ne premtojmë dhe nëse opozita do të diktonte çfarë dhe kur do ta bënim, do të ishte shkatërrimtare. Unë nuk do të kisha fytyrë të dilja para popullit, sepse jo të gjithë votuesit e ndjekin Parlamentin dhe të mirëkuptojnë për vonesat. Vendi ka pasur periudha specifike; marrja e ftesës, përgatitja e reformave etj., dhe ne kemi pasur telashe të tilla.

Do të miratojmë që në fillim një rregullore të re: të dihet sa do të zgjasë fjalimi i deputetit, nëse ata do të japin 10 mijë amendamente, çfarë do të bëhet. Do të kemi një rregullore si kudo në Perëndim.

Qoftë Presidenti i vendit, qoftë ju, u shfajësuat se incidentet në zgjedhje lidheshin me partitë shqiptare, zonën shqiptare. Por a ju mjafton kjo alibi, kur ju jeni Kryeministër i të gjithëve?
Si Kryeministër i vendit as nuk mund të shfajësohem, por as të fajësohem. Bëra ç‘ishte e mundur t‘i ndaloja incidentet, por kur dy palë vendosin të hyjnë në konflikt, ndonjëherë ti nuk mund t‘i ndalosh ato. Është tjetër gjë sesi do të reagojmë, si do ndëshkojmë fajtorët. Unë nuk kam faje.

Fakti është se dy partitë kryesore politike shqiptare i bënë dëmet më të mëdha. Ky është dëmi më i madh që i bënë ata shtetit. Do mundohemi të riparojmë pasojat me rivotimin në vendet ku kishte incidente, por dëmi u bë dhe vetëm pjesërisht mund të riparohet, duke mbetur si kujtim i keq i këtyre zgjedhjeve. I sollën dëm shtetit, shqiptarëve. Të gjitha mediat botërore dje dhe sot, raportonin se në Maqedoni kishte probleme vetëm në zonat e shqiptarëve, si në BBC, CNN etj. Nga ky moment më duhet të them se ato u sjellin dëm shqiptarëve në përgjithësi. Megjithëse shqiptarët në Maqedoni janë njerëz të ndershëm, të qetë dhe ata nuk janë fajtorë, grupe, individë, ndoshta kriminelë, apo persona të motivuar politikisht u sollën dëm të gjithë shqiptarëve në Maqedoni. Dëmi është dhe për partitë dhe anëtarësinë e tyre. Imagjinoni si mund t‘i shikojnë ata vëzhguesit e huaj, ambasadorët! Ka një problem të madh me zhvillimin, me civilizimin në përgjithësi. Kjo është panorama që jepet jashtë. Mes shqiptarëve ka njerëz të zgjuar, inteligjentë. Me shumë mund e fitojnë bukën, megjithatë disa njerëz i krijuan dëm imazhit të tyre.

Megjithatë duket se lojërat tuaja me premtime të ndryshme ndikuan në acarimin e situatës. Njëherë thatë se do të preferonit PDSH si aleate, pastaj thatë se do të presim zgjedhjet për të parë kush merr më shumë prej partive shqiptare...

Nuk shoh se ku qëndron gabimi im. PDSH ka qenë dhe mbetet partneri ynë në koalicion. Vazhdon të mbetet. Është normale të them nëse kam pasur bashkëpunim të mirë me të, të mbroj idenë se do doja ta vazhdoja. Është normale tani, të pres të mbarojnë zgjedhjet dhe të vendos kontakte me partitë para se të marr vendimin përfundimtar. Nuk e di se ç‘do të bënte dikush tjetër në vendin tim. Pas kësaj që ndodhi, nuk mund të filloj asnjë negociatë me partitë shqiptare, pasi gjëja kryesore janë zgjedhjet e drejta dhe të ndershme. Do t‘i ribëjmë dhe së dyti do të shikojmë rezultatin përfundimtar. Nuk do të bëjmë koalicion me dikë që nuk fiton në mënyrë të ndershme. Askush nuk do të bashkëpunojë me një parti, që ka fituar në mënyrë të parregullt. Ky është parakushti kryesor. Vetëm pas mbarimit të zgjedhjeve do të shohim se cilat do të jenë kriteret.

Dakord. Ju do të prisni rezultatin e rivotimeve. Por ama keni përcaktuar kriteret: do të zgjidhni partinë më të madhe, atë që keni partner apo të dyja?

Nuk mund të them asgjë në këtë moment. Mund të ndodhin gjëra të paparashikuara. Kriteri bazë është të kemi në koalicion atë që ka fitore të pastër dhe mandate të pastra. Ky është parakushti. Gjëja e dytë, është se po bëhen spekulime se ne do jemi vetëm në qeveri. Pavarësisht sa kemi marrë, do të kemi partnerë shqiptarë. Popullsia shqiptare është 20% dhe ne duam që ajo të përfaqësohet nga partnerë seriozë në qeveri. Sot nuk parashikoj dot. Do të ishte ideale nëse partneri shqiptar do të kishte programe të përputhshme me tonin, por kjo nuk është e mundshme gjithnjë.

Është herët, megjithatë sot që po flasim. Po fokusohemi të kemi në dy javët e ardhshme zgjedhje të ndershme. Nëse nuk do ta bëjmë këtë, raporti përfundimtar i vëzhguesve do ishte negativ me pasoja të dëmshme për vendin. Nëse këtë herë, individë apo parti shqiptare do të krijojnë probleme, dëmi do të jetë i pariparueshëm. Për ata, për shtetin. Edhe për shqiptarët që jetojnë jashtë do të ketë dëm në imazh. Shqipëria, Kosova përpiqen për imazh. Shqipëria kishte zgjedhje solide, vëzhguesit ndërkombëtarë thanë se zgjedhjet në Kosovë ishin të pranueshme. Ndërsa panorama jonë këtu prishet nga zonat ku jetojnë shqiptarët. E pra, nuk ka mundësi të hyjë askush në qeveri me dhunë dhe vota të parregullta.

Do ta përsërisim votimin aq herë sa të jetë i ndershëm. Dhe qeveria nuk do të krijohet deri në fund të votimeve. Institucionet do të veprojnë me forcë, pavarësisht se kush i bën shkeljet, ai që është partner apo jashtë qeverisë, shqiptar, apo joshqiptar. Ai që bën shkelje, bën krim, do të ndëshkohet.

A nuk mund të thuhet se ky raport i vështirë i shqiptarëve me votën, vjen prej situatës së vështirë ekonomike, pozitës së diskriminuar të tyre në burime, në arsim etj., që vjen prej qeverive tuaja paraardhëse? Dhe se ju duhet të përpiqeni të ngushtoni diferencat në zhvillim, nëse doni që shqiptarët të jenë qytetarë luajalë tuajt?

Ju po më kërkoni të bëj njëlloj analize sociologjike. Në pjesën lindore të Maqedonisë ka zona më të varfëra se zona shqiptare. Ne të gjithë nuk jemi të pasur si shtet. Nëse marrim Tetovën, mesatarisht banorët e saj nuk janë më të varfër se 10-15 komuna të Maqedonisë Lindore, apo Gostivari dhe Saraji, apo Çairi që është gati në qendër. Nuk nxjerr dot argument situatën ekonomike, megjithëse mendoj se ajo duhet përmirësuar. Problemet me zgjedhjet nuk i bëjnë të varfërit, por ata që janë të prirur për vepra kriminale. Ka të pasur që bëjnë vepra kriminale, dhe kjo nuk lidhet me mirëqenien. Mund të gjej shkak tek arsimimi. Arsimi? Nuk jam përgjithësisht i bindur se sa më shumë të jesh i shkolluar, nuk bën dot vepra kriminale. Është një miks arsyesh, pak ekonomia, më shumë arsimi, dhe dy ose tre faktorë të tjerë, që nuk mund t‘i them këtu. Ka të bëjë prapambetja në ndoshta dy dekada. Duhet analizë më e thellë, pse kjo prapambetje. Shpeshherë në zgjedhje ka probleme në të njëjtat vende: probleme ka përgjithësisht në zona shqiptare dhe shumë pak probleme në zonat maqedonase, pavarësisht se ku jetojnë në zona të varfëra apo të pasura.

2. MARREDHENIET ME KOMBIN SHQIPTAR

Në klasën politike shqiptare, në kombin shqiptar ka fituar terren bindja se populli maqedonas është aleat natyral i shqiptarëve. Ndërkohë kjo klasë politike, populli shqiptar pret nga qeveria juaj e re, disa hapa të rëndësishëm, si njohjen e pavarësisë së Kosovës, vazhdimin e projekteve të Korridorit 8, heqjen e vizave me Shqipërinë. A do të jenë hapat e para të qeverisë suaj?

Po e filloj nga fundi. Heqjen e vizave ne e nënshkruam me Kryeministrin Berisha. Ajo nuk erdhi në Kuvend falë frenimit të Parlamentit për arsyet që thamë. Do ta zgjidhim menjëherë në Parlamentin e ri.

Për Korridorin 8 po punojmë prej një viti e gjysmë për përgatitjen e projekteve, urbanizimin, studimet e ndryshme, që të fillojnë shpronësimet, dhe vetëm pas këtyre hapave, që mund të marrin dy-tre vjet, do të fillojë puna. Ne po punojmë në zyra dhe kjo ndoshta nuk ndihet jashtë, por jemi afër fundit. Në muajin shtator do të ketë tender ndërkombëtar për të kërkuar koncesionar për pjesët e pandërtuara. Nëse nuk ka kandidatë, oferta të përshtatshme, jemi të përgatitur që ta ndërtojmë me forcat tona në gjysmën e dytë të vitit 2010. Sido që të jetë, me koncesion apo me forcat tona, në fund të 2009 apo fillim të 2010 do të ndërtojmë pjesën tonë të rrugës së Korridorit 8. Ka dhe elementë të tjerë, por nuk besoj se do të mbarojmë kaq shpejt. Për hekurudhën, ne i kemi kërkuar Shqipërisë prej një kohe të gjatë hapjen e një pike tjetër kufitare afër Dibrës, dhe me gjithë premtimin e Kryeministrit Berisha nuk ka asgjë. Nëse ju jeni gati, ne do ta bëjmë tonën. Bëhet fjalë për pikën e Trebishtit.

Për Kosovën. Ne e ndjekim situatën, komunikojmë me partnerët tanë në BE dhe NATO dhe do veprojmë në përputhje me ta dhe me interesat tona shtetërore. Mos harroni një gjë. Ne e pranuam Planin e Ahtisaarit para të gjithëve, ndoshta bashkë me Amerikën. Qëkur e prezantoi zoti Ahtisaari, biseduam me zotin Thaçi në Shkup dhe e shpalla, si Kryeministri i parë në Evropën Lindore, ndoshta në botë, që e pranoj Planin. Nuk kemi probleme si aleatë. Kemi probleme të tjera me zotin Thaçi, me të cilin kam biseduar disa herë. Ka detaje të tjera. Mirë është që këto çështje të ecin.

Në gjykimin e shumë vëzhguesve, Shqipëria, politika e saj mban qëndrime servile ndaj Greqisë, ndaj politikës, biznesit grek që është i pranishëm në vend...

Do të flas tani për një gjë të rëndësishme për ne. Shqipëria edhe sot nuk na pranon me emrin tonë kushtetues. Është mirë që spektatorët ta dinë se kjo është një gjë mjaft e rëndë. Apeloj dhe njëherë që Shqipëria ta ndryshojë këtë qëndrim. E di që në qëndrime dypalëshe na njohin me emrin kushtetues. Por zyrtarisht na njohin si ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë. Është ofendim për ne. Do të ishte kontribut i madh për ne njohja me emrin tonë. E di që është e vështirë dhe se qeveritë tuaja janë në presion nga pala greke, ana ekonomike bën pjesën e vet.

E pra ju si e bëni këtë, si e përballoni presionin grek...?

Bullgaria e bëri, megjithëse ishte fqinje. Edhe vende të tjera fqinje, madje dhe Serbia që ka lidhje tradicionale me Greqinë, na njeh me këtë emër. E kanë bërë këtë mbi 120 shtete në botë mes të cilëve shtete të mëdhenj si SHBA, Kina, Kanadaja, Rusia. Vetëm Shqipëria na quan ish. Si do të ndiheshit ju t‘u quanin për shembull, "ish-territori i pushtuar italian"?

Në lidhje me pyetjen tuaj. Ne jemi të gatshëm për marrëdhënie të mira, për paqe, bashkëpunim me Greqinë. Dhe jemi të gatshëm të sakrifikojmë shumë për këtë. Por jo gjithçka, sepse gjithçka ka një çmim të lartë. Janë disa çështje që lidhen me identitetin tonë. Janë disa çështje për të cilat ne nuk jemi të gatshëm të vetësakrifikojmë. Nuk mund të vetëfshihemi apo të ndryshojmë identitetin tonë. Duam shumë të bashkëpunojmë me grekët, të bëjmë pjesë në BE dhe NATO, që janë prioritetet tona më madhore. Por e përsëris se çdo gjë ka çmimin e vet. Ka disa çështje për të cilat nëse biem dakord, nëse do të çedonim, do të humbnim shumë: mund të mbyllnim një konflikt të jashtëm, por do të hapnim një konflikt të brendshëm, te çdo individ në Maqedoni, sidomos te maqedonasit. Ky konflikt do të vazhdonte me dekada, me shekuj, do të krijonte frustracione tepër të fuqishme dhe pasoja të paimagjinueshme. Prandaj them se ne nuk largohemi nga bisedimet, nga përpjekjet për të vazhduar me to, për të gjetur zgjidhje. Do të vazhdojmë me to. Por ka një linjë të kuqe dhe nëse kalojmë atë atëherë do të bëhemi diçka e papërcaktuar. Dhe ky do të ishte një problem akoma më i madh.

3. ORIENTIMI NE RAJON. LINDJE APO PERENDIM?

Disa vëzhgues mendojnë se juve iu deshën këto zgjedhje në mënyrë të vendosur me çështjen e emrit. Tani, sot, a e keni këtë mandat? A do ta ndryshoni emrin dhe nëse, po, cili do jetë emri?

Zgjedhjet e parakohshme nuk kishin asnjë lidhje me çështjen e emrit. Çështja e emrit nuk është çështje e një partie. Ajo do të duhet të zgjidhet me një platformë mbipartiake, ku dhe opozita do të ketë peshën e vet, të gjitha partitë do të kenë një farë konsensusi. Është një çështje jashtëzakonisht e rëndësishme për të rënë apo mos rënë dakord. Nuk duhet të ndahemi rreth tij. Së dyti, nuk mund ta caktojmë dot tani sa kohë do të na marrë kjo çështje. Nuk varet vetëm nga ne, varet nga Greqia. Po deshi ajo ta zgjidhë, mirë. Po s‘deshi ajo, nuk zgjidhet.

Nuk do ketë NATO...?

Nëse Greqia nuk do teorikisht, mund të mos hyjmë në NATO. Sipas statutit të NATO-s, ata kanë veto. Është tjetër çështje sesa ata komprometohen me këtë, dhe sa do të zgjasë ky komprometim dhe sa do ta durojnë anëtarët e tjerë të NATO-s këtë komprometim.

Kemi diskutuar, negociuar. Nuk mund të themi se do zgjidhet për një muaj, gjashtë apo një vit. Greqia mund të kërkojë kushte të parealizueshme dhe çështja e emrit do të mbetet e hapur. Ndaj nuk u premtova qytetarëve se kur saktësisht do të zgjidhet çështja e emrit. Ne bëmë çfarë duhej për anëtarësim, pjesa e emrit nuk lidhet me NATO-n. Greqia e keqpërdori të drejtën e saj dhe na bllokoi. Ne do vazhdojmë me dialog, kontakte, por nuk mund të pranojmë çdo opsion të tyre dhe të sakrifikojmë identitetin tonë me çdo kusht.

Me fitoren tuaj, a mund të themi se fituan ato forca që e lidhin Maqedoninë përfundimisht me Perëndimin dhe humbën ato forca që janë të lidhura me ndjeshmëri apo segmente që veprojnë brenda një konteksti panortodoks, lindor apo që i referohen një Rusie të ringjallur, e që kërkon rol të ri në Ballkan? Fitoi Lindja apo Perëndimi në Maqedoni?

Në Maqedoni nuk mund të bësh ndarje kaq të qartë. Të gjitha partitë, që kanë mbështetje të konsiderueshme janë të deklaruara tepër qartë për BE-në dhe NATO-n, për vlerat evropiane. Nuk ka ndarje në properëndimore apo proruse. Nuk është reale te ne kjo ndarje. Sa i takon qeverisë dhe opozitës, dhe partitë shqiptare, PDSH dhe BDI, partitë e mëdha, kanë orientim euroatlantik. Diferenca është te kapacitetet dhe ndonjëherë rrugët për të arritur qëllimin. Strategjia është e njëjtë. Nëse doni përgjigje direkte: nuk ka ndarje. Sipas nesh, në BE nuk hyn për të zgjidhur problemet, por të hyjmë me probleme të zgjidhura. Ne po punojmë për të rritur standardet, për ta krijuar Evropën këtu. Në programin tonë kemi projekte konkrete, me afate konkrete për standardet e jetesës, kulturës, të civilizimit. Nuk kemi një program të përpiktë te pala tjetër, LSDM. Ata thoshin se për 6 muaj do të hyjmë në Evropë, pra ata kërkojnë rrugë më të shkurtër, kur unë besoj dyfish se nuk ka rrugë më të shkurtër. Ata ishin 4 vjet dhe bënë progres të ngadalshëm dhe morën thjesht një ftesë, një shpërblim i vogël për t‘i shërbyer stabilitetit të vendit tonë. Ne duhet të bëjmë gjëra konkrete, të rrisim standardin e të jetuarit: në çdo sektor duhet të kemi diçka që t‘i ngjajmë Evropës. Kemi punuar në 20 muajt që shkuan krejt ndryshe nga paraardhësit tanë. Nuk shkuam thjesht drejt BE, por tentuam të zgjidhnim problemet e qytetarëve.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›