E Diel, 1 Nëntor 2026

"Përjashtim policëve me komunikim të keq"

Qeveria shqiptare ka miratuar rregulloren e re të disiplinës së Policisë së Shtetit, duke sjellë një sërë ndryshimesh për kriteret e punonjësve të policisë. Tashmë, çdo uniformë blu duhet të jetë më e kujdesshme për të plotësuar kushtet e vendosura, ku edhe masat ndëshkuese do të jenë më të ashpra në rastet e shkeljes së disiplinës. Megjithatë, kjo rregullore disipline ende nuk u është bërë e njohur punonjësve të Policisë së Shtetit, ndërkohë që hyn në fuqi që me botimin e saj në Fletoren Zyrtare. Në këtë rregullore parashikohen një sërë detyrimesh dhe norma sjelljeje të punonjësit të policisë, qoftë ai në detyrë, ose jo, në orarin zyrtar të saj. Me qëllim rritjen e komunikimit dinjitoz të punonjësve të policisë, në rregulloren e re janë vënë në dukje me dhjetëra nene që parashikojnë detyrimet përkatëse për çdo uniformë blu, duke parashikuar disa edhe nga ndalimet e përgjithshme të tyre. Madje, një ndër pikat e këtyre kritereve është edhe ajo e përdorimit të uniformës, ku çdo punonjësi policie i ndalohet ta përdorë jashtë shërbimit. Gjithashtu, në rregulloren e re të disiplinës janë shtuar një sërë kriteresh të tjera, ashtu siç ishte parashikuar edhe pas ligjit të ri të Policisë së Shtetit. Madje, me pika të ndryshme parashikohen edhe masat për shkeljen e kësaj rregulloreje, që janë deri në përjashtim nga policia. Një problem i evidentuar nga shumë drejtues ka qenë edhe komunikimi i punonjësve të policisë me qytetarët, ku në shumë raste ka pasur ankesa. Por, mendohet se me rregulloren e re janë përcaktuar qartë të gjithë këto aspekte.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›