E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet e pjesshme, lakmus për LSI

Zgjedhjet e pjesshme lokale të 15 nëntorit do të shërbejnë si një lakmus për fatin elektoral të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Kjo forcë politike e majtë, për herë të parë që prej krijimit futet në një palë zgjedhje duke qenë pjesë e një koalicioni të djathtë. Duke i shtuar këtu edhe faktin se Partia Socialiste është në opozitë dhe ka bojkotuar zgjedhjet e pjesshme, mbetet interesante të shihet se sa vota do marrë LSI. Ajo çka do të tregojë lakmuesi për zgjedhjet në pesë njësi vendore do të shërbejë si tregues i vetëm për të parashikuar sadopak zgjedhjet e ardhshme të pushtetit lokal.

Rezultatet

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2005, Lëvizja Socialiste për Integrim shënoi përballjen e parë me votuesit që prej krijimit. Në këtë proces zgjedhor, LSI u fut në garë përballë Partisë Socialiste të drejtuar nga Fatos Nano dhe Partisë Demokratike të Sali Berishës që ishte në opozitë. Rezultati i zgjedhjeve, ndonëse më pas shumë i kontestuar çoi në 114,798 vota për Lëvizjen Socialiste për Integrim. E shndërruar në përqindje, nga 1,366,226 votues që morën pjesë, alternativën e LSI e zgjodhën 8.40%. Sakaq, në zgjedhjet e vitit 2007, Lëvizja Socialiste për Integrim do të garonte së bashku me koalicionin e majtë të kryesuar nga Partia Socialiste. Në sistemin proporcional Lëvizja Socialiste për Integrim, në të gjithë territorin arriti të marrë 121,172 vota. Thënë ndryshe, nga 1,318,642 votues që morën pjesë, alternativa e partisë së Ilir Metës u votua prej 9.19% të tyre. Sfidat e pjesshme zgjedhore për mandate deputetësh në Pogradec, Shijak dhe Tiranë nuk japin një tregues konkret për Lëvizjen Socialiste për Integrim. Kjo e fundit, në të gjitha këto zgjedhje të pjesshme, ashtu sikurse në votimet e pjesshme lokale mbështeti kandidatët e koalicionit të majtë të kryesuar nga PS. Testi tjetër elektoral i Lëvizjes Socialiste për Integrim ishte Komuna e Kasharit, në Qarkun e Tiranës. Votimet në këtë njësi vendore u zhvilluan pas krisjes së marrëdhënieve Rama-Meta. LSI arriti të marrë me kandidatin e saj 1,619 vota duke u renditur forcë e dytë politike, pas Partisë Demokratike. Në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009, Lëvizja Socialiste për Integrim grumbulloi 73,678 vota. E shndërruar në përqindje rezulton se nga 1,519,176 votues që morën pjesë, për LSI-në votuan vetëm 4.85%.

Kthesa

Zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit shtruan pikëpyetjet mbi rrugën që do të ndiqte Lëvizja Socialiste për Integrim. Rezultati i zgjedhjeve e shndërroi këtë parti në pozicion kyç për përcaktimin e ekuilibrave qeverisës. Në pamundësi për të ndërtuar një koalicion qeverisës me 71 mandate deputetësh, Kryeministri në detyrë, Sali Berisha, kërkoi ndihmën e katër deputetëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Pas shumë negociatash, më 20 shtator 2009 u hodh firma mbi paktin Berisha-Meta që përcaktonte bashkëqeverisje në katër vitet e ardhshme. Berisha dhe Meta nënshkruan publikisht të hyjnë së bashku në zgjedhjet lokale të vitit 2011, por kanë të përcaktuar në kontratën e djeshme që të ketë edhe një tjetër marrëveshje të dytë. "Koalicioni do të realizojë zgjedhjen e Presidentit të Republikës mbi bazën e konsensusit PD-LSI", thuhet në kontratën bashkëqeverisëse të Berishës dhe Metës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›