E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor betohen te Presidenti

Gjyqtarët e rinj të Kolegjit Zgjedhor janë betuar dje para Presidentit të Republikës, Topi. Ceremonia e betimit të tetë gjyqtarëve të rinj të Kolegjit Gjyqësor të Gjykatës së Apelit Tiranë, është zhvilluar në ambientet e Pallatit të Brigadave. Gjyqtarët: Astrit Kalaja, Dhurata Haveri, Entela Prifti, Marie Qirjazi, Meriban Mullaj, Petraq Koço, Sashenka Jonuzi dhe Tom Ndreca, janë betuar për profesionalizëm gjatë ushtrimit të detyrës së tyre para Presidentit të Republikës, Bamir Topi. Ceremonia është realizuar sipas të gjitha rregullave të caktuara nga protokolli i shtetit. Në fillim është ekzekutuar himni kombëtar dhe më pas është lexuar teksti i betimit nga sekretari i Përgjithshëm, Aleksandër Flloko. Teksti i kësaj ceremonie është: "Betohem solemnisht se do të respektoj, do të mbroj dhe do t‘i bindem Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë, se do të respektoj të drejtat dhe liritë e qytetarëve dhe do të përmbush detyrat e mia! Betohem se do të kryej detyrën time me të gjitha mundësitë e mia dhe në mënyrë të paanshme, të drejtë dhe pa favorizuar ndonjë person ose parti". Të pranishëm në këtë ceremoni betimi kanë qenë kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe anëtarë të kabinetit të Presidentit të Republikës. Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka zgjedhur dy ditë më parë anëtarët e Kolegjit Zgjedhor. Pas hedhjes së shortit me gogla janë përcaktuar edhe emrat e gjyqtarëve që do të përbëjnë kolegjin që do të merret me ankesat e zgjedhjeve. Procedura u zhvillua në transparencë të plotë, në prani të katër anëtarëve të partive me numrin më të madh të mandateve në Kuvend dhe medias. KLD-ja tha se janë përfshirë në short të gjithë gjyqtarët e nivelit të dytë që plotësojnë kërkesat e Kodit Zgjedhor. Janë tërhequr emrat me përzgjedhje rastësore të tyre nga vetë anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, duke përjashtuar anëtarët që përfshihen në listën e gjyqtarëve të Apelit. Është respektuar vullneti i përfaqësuesve të katër partive politike nga pozita dhe opozita, me numrin më të lartë të mandateve në Kuvendin e Shqipërisë, PD-së, PR-së, PS-së, PSD.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›