E Diel, 1 Nëntor 2026

Pengohet investimi për kanalizimet në rrugën "Hazbi Serrani"

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Eduard Shalsi, është prononcuar dje në lidhje me pengesat që sjell mosmiratimi i buxhetit për banorët e Njësisë Bashkiake Nr.6 në kryeqytet, për të cilët, bazuar edhe në kërkesat e tyre, Bashkia e Tiranës ka planifikuar ndërtimin e kanalizimit në rrugën "Hazbi Serrani" (zona përballë kombinatit të drurit "Misto Mame"). Duke folur mbi rëndësinë e këtij investimi për banorët e zonës, si dhe pengesat që do të sillte mosmiratimi i buxhetit të Bashkisë së Tiranës, në realizimin e këtij projekti, Shalsi u shpreh: "Kërkesës së përsëritur të këtyre banorëve, ne i jemi përgjigjur duke përfshirë në buxhetin e vitit 2009 projektimin dhe fillimin e investimit të ndërtimit të këtij kanalizimi jetik për këta banorë, të cilët votojnë si kryeqytetas dhe meritojnë të jetojnë si kryeqytetas, por Sali Berisha dhe Ilir Meta e rrëzuan këtë buxhet që do të zgjidhte edhe këtë hall të këtyre banorëve". Sipas Shalsit, atyre, hallet e banorëve u interesojnë vetëm për të bërë politikë dhe për të sulmuar kundërshtarin. "Politika e vjetër e Sali Berishës dhe Ilir Metës, theksoi numri dy i bashkisë, duhet të marrë fund, në mënyrë që të marrin fund edhe hallet e shumë shqiptarëve që vuajnë vetëm për shkak se kjo politikë ushqen sulmin për kundërshtarin apo rivalin".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›