Malaj: Qeveria "Berisha" cenon lirinë ekonomike
Anëtari i Kryesisë së Partisë Socialiste, Arben Malaj, shprehu dje shqetësimin e tij për raportin e lirisë ekonomike të vitit 2009 dhe keqpërdorimin që qeveria i bën këtij dokumenti. "Të shqetësuar për dështimet në elementet thelbësore të rritjes ekonomike, siç janë pronësia dhe mirëqeverisja, të shqetësuar për fushatat mediatike abuzive që tani kanë përfshirë edhe vetë Ministrinë e Financës, përgjegjësen për keqpërdorimin e fondeve buxhetore", konstatoi Malaj. Sipas tij, liria ekonomike e vendit tonë vazhdon të mbetet e kufizuar, ajo cenohet rëndë nga niveli i ulët i lirisë së pronës dhe niveli i lartë i korrupsionit. "Liria e pronës është vetëm 30% dhe liria e korrupsionit 29%, ose niveli më i ulët në të gjithë vendet e rajonit", tha ai. Ish-ministri i Financave vlerëson se mburrja me lirinë fiskale është vetëm dekorative. Kjo, pasi përkeqësimi i administratës fiskale, nepotizmi dhe emërimet militante, mbledhjet abuzive të të ardhurave, çmimet e referencës abuzive dhe korruptive, rimbursimet korruptive, i kufizojnë në maksimum impaktet pozitive të lirisë fiskale. "Shqipëria, për shkak të uljes së nivelit formal të taksave, vlerësohet se ka lirinë fiskale 92%, por korrupsionin 29%, ndërsa Danimarka, një nga vendet më të zhvilluara dhe me politika sociale të harmonizuara, e ka lirinë fiskale vetëm 35%, por lirinë nga korrupsioni 94%", krahasoi Malaj. Në vitin 2008, shtoi ai, forumi botëror i "Davos" e rendit Shqipërinë në nivele shumë të ulëta për të konkurruar në ekonominë globale dhe e klasifikoi qeverinë shqiptare si një nga më të korruptuarat në marrjen e vendimeve, si edhe një nga më pak transparentet në 134 vende të botës. "Me këtë shkallë të lartë të korrupsionit dhe problemeve të pronësisë, motori ekonomik i qeverisë ‘Berisha‘ vazhdon të nxjerrë tym ndotës në ambientin e biznesit shqiptar, sikur të punojë 100% me naftë D2", u shpreh Malaj. Socialistët insistojnë se deformimi i sfidave të vendit, fshehja e dështimeve, fokusimi te demagogjia dhe jo përgjegjësia e reformave afatgjata, vështirësojnë sfidat ekonomike të vendit.