E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, PD pranon ofertën e PS për komisionin

Demokratët pranojnë ofertën e socialistëve për ngritjen e një komisioni parlamentar për monitorimin e procesit të përgatitjes së zgjedhjeve. "PD-ja është pro ngritjes së komisionit Ad Hoc. dhe drejtimit të tij nga dy bashkëkryetarë, një nga opozita dhe një nga pozita", u shpreh nënkryetari i PD-së, Astrit Patozi.

Partia Socialiste ka depozituar në Kuvend kërkesën për ngritjen e kësaj strukture dhe kreu i grupit parlamentar demokrat ka theksuar gatishmërinë e mazhorancës për mbikëqyrjen parlamentare. Zgjedhjet e 28 qershorit e kanë përqendruar të gjithë vëmendjen e politikës në infrastrukturën për mbikëqyrjen e procesit zgjedhor dhe veçanërisht për probleme si listat zgjedhore dhe dublimet.

Imuniteti

Kampi blu është i vendosur që brenda këtij sesioni parlamentar të miratojë projektligjin për kufizimin e imunitetit. Lajmi konfirmohet nga numri dy i PD-së, Astrit Patozi. Çështja e imunitetit që prej vitit 2005 ka qenë një pikë debati mes palëve demokrate dhe socialiste, e cila ka prekur në thelb edhe disa ministra dhe ish-ministra të rëndësishëm kryesisht të kampit blu si Fatmir Mediu dhe Lulzim Basha. "Imuniteti është një obligim i të dyja palëve dhe nuk është bonusi i asnjë partie. Ai është peng i këtij Parlamenti që nuk ka pse mbartet në Parlamentin e ardhshëm", tha Patozi. Sipas tij, nuk ka sesi

një deputet apo pak deputetë, të cilët kanë dyshime për karrierën e tyre të kenë kompleksin se nuk mund të vendosin për pasardhësit. Kreu i grupit parlamentar të demokratëve kërkoi që kjo çështje të mos lihet në parlamentin e ardhshëm, por që pas zgjedhjeve të qershorit 2009 ajo duhet të jetë e zgjidhur.

Dosjet

Në të njëjtën linjë me përfaqësuesit e tjerë të mazhorancës, kreu i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi, tha se hyrja në fuqi e ligjit të dosjeve duhet të shoqërohet me dorëheqje. "Presim që morali i çdo personaliteti që është anëtari i Gjykatës Kushtetuese, apo mund të jetë çfarëdo gjyqtari, çfarëdo funksionar i lartë, duhet të funksionojë‘, theksoi Patozi.

Gara në PD

Nënkryetari i PD-së, Astrit Patozi, thyen heshtjen dhe më në fund reagon për garën për kreun e demokratëve në Tiranë. Sipas tij, kandidimi i Besnik Mustafajt, por edhe kandidatëve të tjerë është një zgjedhje personale dhe nuk përkon me zakonet e Partisë Demokratike, duke qëndruar jashtë statutit. Kandidimi i Besnik Mustafajit për kreun e demokratëve të Tiranës duket se nuk gjen mbështetje nga krerët demokratë. Sipas Patozit, Partia Demokratike po shfrytëzon zgjedhjet brenda saj dhe për të përshtatur strukturat me sistemin zgjedhor, i cili do të aplikohet për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. "Vetëshpallja e kandidatëve është një zgjedhje personale, e cila në një fare mënyre nuk përkon me zakonet e Partisë Demokratike, dhe aq më tepër me statutin e saj", tha Patozi.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›