E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, në rrezik! PS: 6 propozimet tona

Partia Socialiste ofron një paketë propozimesh që shërbejnë për të garantuar standardet e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Sekretari për çështjet zgjedhore në selinë rozë, Kastriot Islami, analizon në një intervistë për "Shqip" gjithë problematikën me të cilën ndeshet procesi dhe rreziqet që i kanosen. Islami identifikon si probleme ecurinë e hartimit të regjistrit themeltar elektronik të shtetasve, listat paraprake të zgjedhësve dhe kartat e identitetit. "Situata është alarmante dhe nëse nuk veprohet me shpejtësi e saktësi, zgjedhjet janë në rrezik", insiston Islami. Rezulton se numri i votuesve është rreth 3-3.2 milionë zgjedhës dhe numri i zgjedhësve pa pasaportë është rreth 750 mijë. Kjo do të thotë që në periudhën 1 shkurt 2009 deri në zgjedhje, pra për 100-110 ditë punë, mund të kryhen deri në 1-1.1 milionë aplikime. Nëse ky operacion kryhet me sukses në masën 80 për qind, atëherë ky kapacitet lejon të pajisen me karta identiteti vetëm rreth 800 mijë shtetas. PS-ja kërkon vendim të ri të Këshillit të Ministrave, ku të thuhet qartë se në periudhën 1 shkurt 2009 deri në zgjedhje do të pajisen me karta identiteti vetëm votuesit pa pasaportë, numri i të cilëve është 750 mijë. Së dyti, të dërgohet në çdo zyrë të gjendjes civile lista e votuesve që nuk kanë pasaportë. Zyrat e gjendjes civile të hartojnë kalendarin e prezencës për aplikim për periudhën 1 shkurt 2009 -deri në zgjedhje dhe të ngarkohet zyra e gjendjes civile për të bërë lajmërimin individual të çdo aplikuesi për ditën e aplikimit.

Zoti Islami, vetëm pesë muaj na ndajnë nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Një ditë më parë propozuat ngritjen e një komisioni ad hoc për të monitoruar përgatitjen e procesit, përse?

Komisioni parlamentar ad hoc do të jetë një komision që do të monitorojë procesin zgjedhor lidhur me infrastrukturën zgjedhore, më konkretisht në lidhje me i) përfundimin e regjistrit themeltar të shtetasve, të përqendruar e elektronik; ii) hartimin dhe publikimin e listave paraprake të zgjedhjeve dhe iii) procesin e aplikimit e të pajisjes së shtetasve me karta identiteti.

Në vlerësimin tuaj, ku qëndron problematika me të cilën ndeshemi?

Dhamë alarmin për disa rreziqe që kanosin zhvillimin normal të zgjedhjeve. Shkurtimisht: vihen re i) vonesa që mund të çojnë në dhunim të kërkesave të Kodit Zgjedhor; ii) shumë pasaktësi dhe iii) mungesë transparence në aktivitetin e qeverisë për detyrat që lidhen me zgjedhjet. Për momentin nuk duam të mendojmë se nuk ka vullnet, apo ka vullnet negativ për manipulim të zgjedhjeve. Konkretisht, për sa i përket infrastrukturës zgjedhore: i) regjistrit themeltar elektronik të shtetasve; ii) listave paraprake të zgjedhësve dhe iii) kartave të identitetit, situata është alarmante dhe nëse nuk veprohet me shpejtësi e saktësi zgjedhjet janë në rrezik. Duke pasur parasysh se është përcaktuar data e zgjedhjeve, në rrezik do të thotë se të gjitha detyrimet e përcaktuara në Kodin Zgjedhor për këto çështje nuk do të mund të realizohen, Kodi do të dhunohet dhe zgjedhësit nuk do të mund të votojnë sipas kërkesave ligjore. Dhe nëse ndodhin në këto tri elemente infrastrukture, atëherë mjafton për të arritur në përfundimin se zhvillimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme, në përputhje të plotë me standardet demokratike është apriori i kompromentuar. Kjo është arsyeja përse dhamë alarmin, duke artikuluar njëkohësisht angazhimin tonë maksimal jo vetëm për të monitoruar procesin, por edhe për të kontribuar në përcaktimin e masave që garantojnë zhvillimin e zgjedhjeve konform ligjit e standardeve, si edhe në datën e përcaktuar nga Presidenti.

Deklarata e kreut të PS-së, Edi Rama, për 100 mijë dublikime në listë, u mohua nga Ministria e Brendshme me pretendimin se shifra reale është rreth 50 mijë. Si qëndron e vërteta dhe nga kanë ardhur të dhënat që disponon PS-ja?

Kjo çështje mbi të gjitha është parimore, në kuptimin se nuk mundet t‘i mohohet e drejta e votimit qoftë edhe një shtetasi. Në planin e përgatitjes së infrastrukturës zgjedhore problemi është më kompleks. Së pari, regjistri themeltar, i përqendruar dhe elektronik, është shumë i vonuar. Premtimet fillestare për t‘u përfunduar kanë qenë për në korrik 2008, pastaj u shtynë për në shtator 2008 dhe premtimi i fundit ka qenë për në dhjetor 2008. Dhe ende nuk ka përfunduar. Përfundimi i këtij regjistri plotësisht është shumë i rëndësishëm, sepse mbi bazën e tij zhvillohen tri procese mjaft të rëndësishme, që kanë edhe ato afate strikte kohore të përcaktuara në Kodin Zgjedhor: 1) hartimi i ligjit për shpërndarjen e mandateve sipas qarqeve hartohet mbi bazën e numrit të popullsisë për çdo qark që nxirret nga ky regjistër; 2) publikimi i listave paraprake të zgjedhjeve nuk mund të kryhet nëse nuk përfundon plotësisht ky regjistër; 3) aplikimi dhe pajisja e kartave të identitetit kërkon akses në këtë regjistër, i cili shërben si baza e vetme e të dhënave për shtetasit që do të pajisen me këto dokumente.

Po cilat janë problemet kryesore të regjistrit themeltar?

Ky regjistër ka dy lloj problemesh: i) ka rreth 100 mijë dublikime, apo ndryshe 50 mijë emra që gjenden dy herë (ky është informacion që vjen nga Ministria e Brendshme, por duhet verifikuar) dhe që kërkon kohë e procedurë të qartë për t‘i eliminuar; ii) ka shumë emra me gabime, të cilat mesa duket do të korrigjohen gjatë pajisjes së shtetasve me karta identiteti. Por mund të ketë edhe përzierje të këtyre dy gabimeve, që do të thotë se një emër është dy herë në lista, por një herë i saktë e një herë i gabuar dhe kompjuteri nuk është në gjendje ta dallojë këtë lloj dublikimi.

Ku qëndron alarmi juaj?

Vonesat dhe pasaktësitë në regjistrin themeltar përbëjnë alarmin e parë. Ai duhet korrigjuar urgjentisht. Ky regjistër i vonuar dhe me gabime pengon publikimin sipas afateve ligjore të listës paraprake të votuesve, sepse lista e votuesve del nga ky regjistër, duke i dhënë vetëm një komandë: të nxjerrë nga regjistri themeltar i shtetasve vetëm ata që janë mbi 18 vjeç, pra votuesit. Nëse regjistri është me gabime, me gabime do të dalë edhe lista paraprake e votuesve, nëse regjistri është me dublikime, me dublikime del edhe lista paraprake e votuesve, nëse vonohet regjistri, po kështu vonohet edhe lista paraprake e votuesve. Kështu, alarmi për regjistrin themeltar shtrihet edhe për listat e votuesve, vonesën e tyre ligjore dhe pasaktësitë. Afati trejavor për korrigjimin e regjistrit është alarmant dhe rrit rrezikun. Dhe alarmi i tretë është për kartat e identitetit. Procesi, ndonëse në dukje "simpatik", është kaotik dhe jo i qartë për çdo shtetas e aq më pak për çdo votues dhe aspak për ata votues që nuk kanë as pasaportë. Nëse do të vazhdohet në këtë mënyrë, me siguri parashikoj minimalisht 200-250 mijë votues që janë pa pasaportë, që do të mbeten edhe pa kartë identiteti, pra që do t‘i mohohet e drejta e votimit.

Sipas PS-së, ekzistojnë 750 mijë shtetas në moshë votimi pa pasaportë. Në përgjithësi ekziston një diferencë e vogël mes PS-së e PD-së si subjekte politike dhe të dyja bashkë në zgjedhjet e fundit lokale, referuar sistemit proporcional grumbulluan 577 mijë vota. A është kërcënues për rezultatin e zgjedhjeve kjo shifër prej 750 mijë personash që ende nuk dihet a do të pajiset me kartë identiteti apo jo?

Parimisht, edhe një zgjedhësi nuk mund t‘i mohohet e drejta e votimit. 750 mijë i bëjnë zgjedhjet automatikisht të pandershme, por këtë mund ta bëjnë edhe 10 mijë votues. Duhet pasur parasysh, thjesht për llogaritje pragmatike se për një mandat duhen rreth 10 mijë votues.

Po cili është konkretisht propozimi juaj?

Nga të dhënat, ende jo zyrtare të Ministrisë së Brendshme, rezulton se numri i votuesve është rreth 3-3.2 milionë zgjedhës. Dhe numri i zgjedhësve pa pasaportë është rreth 750 mijë. PS-ja pranoi të vendoste në Kodin Zgjedhor nenin që parashikon votimin "me kartë identiteti ose pasaportë" dhe asnjë lloj dokumenti tjetër. Për rrjedhojë, cilido nga të 750 mijë zgjedhësit pa pasaportë nuk arrin të marrë kartën e identitetit, ai nuk ka asnjë mundësi për të votuar dhe për rrjedhojë i mohohet e drejta kushtetuese e votimit. Ka vetëm rreth 100-110 ditë pune, duke filluar nga 1 shkurti 2009 deri në zgjedhje, që zgjedhësit të mund të aplikojnë dhe pajisen me karta identiteti. Nga ana tjetër, kapaciteti teorik i kompanisë franceze përcaktohet nga: i) angazhimi i 400 njësive operuese të shpërndara në të gjithë zyrat e gjendjes civile, fikse dhe të lëvizshme; ii) njësitë punojnë 8 orë në ditë; iii) kompania mund të prodhojë 15 mijë karta identiteti në ditë. Nga praktika në Tiranë rezulton se mund të kryhen në kushtet e një qyteti me infrastrukturë të mirë rreth 2500-2700 aplikime për karta në ditë. Duke pasur parasysh vështirësitë në zonat rurale e të thella, llogaritet lehtësisht se teorikisht nuk mund të kryhen më shumë se 10-12 mijë aplikime në ditë në të gjithë vendin. Kjo do të thotë që në periudhën 1 shkurt 2009 deri në zgjedhje, pra për 100-110 ditë punë, mund të kryhen deri në 1-1.1 milionë aplikime. Nëse ky operacion kryhet me sukses në masën 80 për qind, atëherë ky kapacitet lejon të pajisen me karta identiteti vetëm rreth 800 mijë shtetas. Konkluzioni është i qartë: koha në dispozicion, kapacitetet e kompanisë dhe pjesëmarrja e shtetasve lejojnë aplikimin vetëm për 800 mijë veta, aq sa është numri i votuesve pa pasaportë. Kjo është arsyeja përse kërkojmë që procesi të fokusohet vetëm për këta shtetas dhe jo për të tjerë. Por edhe kjo nuk mjafton. Nëse nuk ka një kalendar të qartë të prezencës së shtetasve për aplikim, por kjo lihet me vullnet të lirë, qoftë edhe me kushte të forta, kjo kategori shtetasish ka mundësi të mos jetë prezente, edhe për shkak të padijenisë, mosnjohjes së procesit, moslajmërimit e tjerë.

Kryeministri Berisha dy ditë më parë u shfaq i gatshëm t‘i jepte opozitës të drejtën për të monitoruar përgatitjet për procesin zgjedhor. Sa reale është një deklaratë e tillë dhe a po përpiqet opozita të krijojë mekanizmat ligjore, por edhe partiake për të kryer monitorimin?

E konsideroj reagimin e Kryeministrit pozitiv dhe pres që ai të jetë i sinqertë e bashkëpunues. Jo vetëm për komisionin parlamentar ad hoc që vetëm mund të vëzhgojë procesin. Më e rëndësishme është nëse realisht do të pranohet propozimi ynë për të hartuar një vendim të ri të KM-së, që fokusohet fillimisht dhe ekskluzivisht në pajisjen me karta identiteti të 750 mijë zgjedhësve pa pasaportë. Ne mbështesim plotësisht pajisjen e të gjithë shtetasve me karta identiteti dhe e konsiderojmë atë një proces shumë të rëndësishëm. Por ky proces koincidon me periudhën zgjedhore dhe për ne është prioritare pajisja me karta identiteti e zgjedhësve pa pasaportë. Përgjegjësia për vonesat dhe kjo koincidencë bie vetëm mbi qeverinë. Kërkesa jonë është kjo: i) në vendimin e ri të KM të thuhet qartë se në periudhën 1 shkurt 2009 deri në zgjedhje do të pajisen me karta identiteti vetëm votuesit pa pasaportë, numri i të cilëve është 750 mijë; ii) të dërgohet në çdo zyrë të gjendjes civile lista e votuesve që nuk kanë pasaportë; iii) zyrat e gjendjes civile të hartojnë kalendarin e prezencës për aplikim për periudhën 1 shkurt 2009 - deri në zgjedhje; iv) të ngarkohet zyra e gjendjes civile për të bërë lajmërimin individual të çdo aplikuesi për ditën e aplikimit. Po kështu jemi të gatshëm të negociojmë edhe për lehtësimin e mëtejshëm të barrës financiare për grupe të caktuara aplikuesish.

Tabelë

Propozime të PS-së

Ngritja e një komisioni parlamentar ad hoc që të monitorojë procesin zgjedhor lidhur me infrastrukturën zgjedhore

VKM-ja ku të thuhet "në periudhën 1 shkurt 2009 deri në zgjedhje do të pajisen me karta identiteti vetëm votuesit pa pasaportë, numri i të cilëve është 750 mijë"

Të dërgohet në çdo zyrë të gjendjes civile lista e votuesve që nuk kanë pasaportë

Zyrat e gjendjes civile të hartojnë kalendarin e prezencës për aplikim për periudhën 1 shkurt 2009 deri në zgjedhje

Të ngarkohet zyra e gjendjes civile për të bërë lajmërimin individual të çdo aplikuesi për ditën e aplikimit

Gati të negociohet edhe për lehtësimin e mëtejshëm të barrës financiare për grupe të caktuara aplikuesish



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›