E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjyqtarët e SHBA-Topit: Institucionet ligjore të ruhen nga fenomenet korruptuese

TIRANE- Presidenti Bamir Topi dhe njëkohësisht Kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë zhvilloi sot pasdite një takim pune me gjyqtarët e Gjykatës së Apelit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhon Uoker dhe Kliford Uallas, të cilët ndodhen në vendin tonë për të marrë pjesë në Konferencën e Kryetarëve të Gjykatave të Larta të Evropës Qendrore dhe Lindore, që po zhvillohet në Tiranë.

Dy gjyqtarët amerikanë me shumë përvojë juridike vunë në pah arritjet e Shqipërisë në të gjitha drejtimet, kryesisht në forcimin e shtetit të së drejtës dhe në përparimet në sistemin e drejtësisë.

Duke prezantuar punën e tyre dhe rëndësinë e pavarësisë së institucioneve kushtetuese e ligjore, gjyqtarët amerikanë Uoker dhe Uallas u shprehën se “edhe njerëzit e drejtësisë kanë nevojë për më tepër inkurajim dhe mbështetje në kryerjen e detyrës së tyre”, duke theksuar se “në këtë mënyrë arrihet forcimi përfundimtar i shtetit ligjor dhe sigurimi i pavarësisë së plotë të tij”.

Presidenti Topi nga ana e tij, duke përshkruar reformat e ndërmarra në vitet e fundit, që nga ndryshimet në Kushtetutë, në sistemin gjyqësor, apo dhe mbi reformën zgjedhore, vuri në dukje se “interesat e politikës nuk duhet të ndikojnë në proceset vendimmarrëse të pushtetit gjyqësor, pasi në këtë mënyrë cënohet pavarësia e institucioneve të demokracisë dhe parimi i ndarjes së pushteteve”. 

“Gjyqtarët shqiptarë duhet të jenë vetë në gjendje të mbajnë lart integritetin e tyre profesional dhe moral, duke mos u ndikuar nga presionet politike apo ekonomike në dhënien e drejtësisë. Vetëm kështu Shqipëria dhe sistemi i saj i drejtësisë do të arrijë standardet e nevojshme për marrjen sa më të shpejtë të statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Evropian, mundësisht brenda këtij viti që përkon me 100-vjetorin e themelimit të shtetit shqiptar.” – theksoi Presidenti Topi.

Ndërkaq Presidenti Topi dhe dy gjyqtarët amerikanë ndanë të njëjtat pikëpamje mbi rëndësinë e veprimtarisë së gjyqtarëve, profesionalizmit dhe etikës së juristëve, të cilët duhet të jenë të paanshëm në dhënien e drejtësisë, të kenë më tepër kurajë në mënyrë që gjyqësori t’u shërbejë kërkesave dhe interesave të qytetarëve për drejtësi si dhe të përafrimit me standardet e vendeve më të përparuara demokratike perëndimore.
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›