E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gardisti Llupo humb lirinë edhe në Apel

11/03/2011  Shefi i njësisë speciale të Gardës, mbetet në burg. Gjykata e Apelit pranon provat e Prokurorisë

Avokati Gjokutaj: Ndalimi i paligjshëm, u arrestua gjatë kryerjes së detyrës shtetërore

TIRANE-Efektivi i Gardës, Agim Llupo, që akuzohet nga Prokuroria si autor i vrasjes së demonstruesit Zivër Veizi, ka mbetur sërish prapa hekurave, pasi Gjykata e Apelit ka vendosur lënien në burg të tij. Vendimi është dhënë dje, ku pas marrjes në shqyrtim të kërkesës së avokatit mbrojtës dhe vetë të pandehurit, që kërkuan shfuqizimin e masës së sigurisë, gjykata e shkallës së dytë vendosi të lërë në fuqi vendimin e gjykatës së Tiranës për masën e sigurisë “arrest me burg”. Gjatë zhvillimit të procesit, avokati Genc Gjokutaj, i cili mbron interesat e të pandehurit pretendoi në seancë se arrestimi i Llupos është i paligjshëm, për shkak se ditën e demonstratës të 21 janarit ka qenë në ushtrim të detyrës së tij si efektiv i Gardës së Republikës. Sipas avokatit, provat e sjella nga Prokuroria nuk provojnë se Llupo ka konsumuar veprën penale për të cilën akuzohet. Ndërkohë, Prokuroria ka paraqitur si provë ekspertimin e armës se përdorur nga Llupo, duke e krahasuar atë me predhën e gjetur në trupin e Zivër Veizit. Këto pretendime u kundërshtuan nga avokati Gjokutaj, i cili i tha togave të zeza se plumbi ka deformime të shumta, nga të cilat nuk mund të përcaktohet me saktësi se kush armë ka qëlluar. Pavarësisht këtyre pretendimeve, Gjykata e Apelit vendosi të lërë në burg shefin e njësisë speciale të Gardës së Republikës. Llupo u arrestua rreth një muaj më parë, me urdhër të grupit hetimor të demonstratës së 21 janarit. Arrestimi i tij u bë brenda ambienteve të institucionit të akuzës, pasi ekspertët e Policisë Shkencore kanë identifikuar nëpërmjet akt-ekspertimit balistik dhe krahasues se predha që ndodhej në trupin e viktimës Zivër Veizi ka dalë nga gryka e armës “MP-5” 9 mm që kishte në përdorim gardisti Llupo. Shefi i shtabit të njësisë speciale të Gardës së Republikës është i vetmi nga personat nën hetim që ndodhet i arrestuar në lidhje me vrasjen e 21 janarit. Ndërkohë, Prokuroria është në pritje të akt-ekspertimit të armëve të tjera të Gardës për të zbardhur dhe tre vrasjet e tjera të ndodhura në bulevard.

Demonstrata e 21 janarit

Ditën e premte të 21 janarit, opozita shqiptare organizoi një demonstratë për të protestuar kundër mënyrës së qeverisjes së vendit dhe korrupsionit në nivele të larta të shtetit. Mijëra persona, që ishin mbledhur në demonstratë, kanë qëndruar para Kryeministrisë, ku më pas rreth 300 apo 400 vetë kanë filluar një betejë të përgjakshme me policinë dhe Gardën e Republikës.

Vrasjet në demonstratë

Pas pesë orësh përleshje mes turmës, policisë dhe efektivave të Gardës, nga Spitali Ushtarak mbërriti lajmi se në urgjencën e tij kishin mbërritur tre persona të vrarë, mes tyre dhe dhjetëra të plagosur. Zivër Veizi, Faik Myrto dhe Hekuran Deda si pasojë e goditjes me plumb kishin gjetur vdekjen e menjëhershme, ndërsa Aleks Nikaj dhe një efektiv i policisë ishin në koma.

Prokuroria nis hetimet

Fill pas armëpushimit, në vendngjarje kanë shkuar hetues dhe prokurorë të Prokurorisë së Tiranës. Grupi i hetimit, i përforcuar dhe nga oficerë të Krimeve të Rënda, është ndarë në dy pjesë, ku disa kanë kryer veprime hetimore në vendin e ngjarjes, ndërsa disa të tjerë kanë marrë në pyetje të plagosurit në Spitalin Ushtarak.

Ndalimi i gjashtë gardistëve

Gati dy javë nga ngjarja e 21 janarit, nën prezencën dhe të një prokurori amerikan efektivat e Gardës janë marrë në pyetje në Prokurorinë e Tiranës. Pas marrjes në pyetje është urdhëruar arrestimi i Agim Llupos, Agron Malaj, Alfred Ahmetcenaj, Mark Nikolli, Sadik Çela dhe Gazmend Ahmetaj, ndërkohë që kreu i Gardës Ndrea Prendi është lënë i lirë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›