E Diel, 1 Nëntor 2026

Tiranë, largohen me dhunë dhjetra familje rome, reagon policia

TIRANË- Dhjetra familje rome janë larguar me dhunë nga barraket e tyre në zonën pas stacionit të trenit. Në këtë vend banonin rreth 60 familje rome, të larguara tashmë. Familjet rome si fillim janë keqtrajtuar, janë rrahur nga një grup të rinjsh identiteti i të cilëve mbetet i paidentifikuar edhe nga policia.

Ngjarja, që nga data 20 shkurt kohë ku edhe ka ndodhur nuk ishte raportuar për median nga institucionet përkatëse, deri në publikimin e saj nga Gazeta Shqiptare. Duke iu referuar shkrimit në këtë gazetë mësohet se aktet e dhunës ndaj romëve u finalizuan me djegien e barakeve ndërsa 60 familjet rome që banonin në to ishin larguar më parë nga frika e përshkallëzimit të situatës, si dhe nga paaftësia e shtetit dhe e organeve të rendit për ti ardhur në ndihmë.

Një ditë pas publikimit në gazetë, ka ardhur edhe reagimi i policisë nëpërmjet një komunikate për shtyp ku sqarohet se strukturat e policisë që në momentin e para kanë ndjekur nga afër ngjarjen, duke bërë edhe ndalimin e personave të përfshirë në konflikt.

“Nga kryerja veprimeve hetimore mësohet se konflikti mes komunitetit rom dhe banorëve të tjerë të kësaj lagje ka nisur për motive të dobëta si dhe ka vijuar më tej për prishje të rendit dhe qetësisë publike. Janë kryer shoqërimet përkatëse të personave të përfshirë në konflikt”,- shprehet zëdhënësja e policisë.

I njëjti burim bën me dije se për ngjarjen nuk ka pasur asnjë kallëzim penal, ndërsa sipas tij romët janë larguar me dëshirë për tu zhvendosur në ambiente të tjera.
(m.a/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›